Zyrtarët e aeroportit thonë se kërkesat e punëtorëve janë joligjore

08 gusht 2019 | 13:29

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë protestuar të enjten për një orë, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës. Protesta nuk ka ndikuar në orarin e fluturimeve, mirëpo Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka kërkuar të gjendet zgjidhje rreth kërkesave të punëtorëve.

“Protesta e sotme e punëtorëve të aeroportit nuk ka pasur ndikim në operimet normale të aeroportit. Autoriteti i Aviacionit Civil iu bënë thirrje Sindikatës së Punëtorëve dhe organit menaxhues të ANP ‘Adem Jashari’, kompanisë LKIA sh. a., të zhvillojnë dialog social dhe të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët brenda kornizës ligjore, në mënyrë që ta parandalojnë pengimin e operimeve të aeroportit”, është thënë në komunikatën për media të këtij Autoriteti.

Ndërsa zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, i ka konsideruar joligjore kërkesat e punëtorëve.

“Të gjithë punonjësit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës janë subjekt i kontratës punonjës-punëdhënës, kërkesat e tyre konsiderohen të pabazuara dhe joligjore, duke u bazuar në këtë kontratë. Disa nga kërkesat e tyre janë të bazuara në kontratën kolektive. Me përgjegjësi të plotë themi se Aeroporti është duke i përmbushur 100 për qind obligimet ndaj punëtorëve. Sa i përket kontratës kolektive, ajo nuk është e vlefshme dhe ne nuk jemi subjekt i asaj kontrate, prandaj kërkesat e tyre konsiderohen joligjore pasi bazohen në kontratën kolektive”, ka thënë Gara.

Kontrata Kolektive në Kosovë është një marrëveshje e arritur në bazë të Ligjit të Punës dhe, si e tillë, ligjërisht rregullon të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat. Kontrata Kolektive parasheh shujtën, shpenzimet e udhëtimit dhe pagën jubilare çdo 10 vjet për punëtorët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Andy Carroll mund të rikthehet në skuadrën e Newcastel…