
Zyrtarët korrektues të Burgut të Gjilanit në trajnim gjashtëmujor në Kopenhagë
Në kuadër të marrëveshjes për transferimin e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit, gjashtëmbëdhjetë zyrtarë korrektues të kësaj qendre ndodhen aktualisht në Kopenhagë, ku kanë filluar trajnimin e tyre profesional.
Trajnimi, i cili do të zgjasë gjashtë muaj, organizohet nga autoritetet daneze dhe ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të stafit korrektues për menaxhimin dhe trajtimin e të burgosurve në përputhje me standardet më të avancuara evropiane.
Shërbimi Korrektues i Kosovës vlerëson këtë angazhim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe përmirësimit të praktikave profesionale në burgun e Gjilanit.
Përvoja që zyrtarët do të fitojnë në këtë trajnim pritet të kontribuojë ndjeshëm në përgatitjen e Burgut të Gjilanit për pritjen dhe trajtimin efikas të të burgosurve nga Danimarka.