
Zyrtarët policorë nuk do të marrin tri paga përcjellëse pas pensionimit
Me Ligjin e ri të Pagave që ka hyrë në fuqi më 5 shkurt të vitit 2023, është shfuqizuar neni 39 i paragrafit 3, ku thuhet se “personeli policer që arrin moshën e pensionimit, gëzon të drejtën e marrjes së tri pagave mujore në vlerën e pagës së fundit”.
Mbi 8 500 policë të uniformuar sigurojnë të tjerët, por vetë gjenden përballë rrezikut.
Me Ligjin e ri të Pagave i cili hyri në fuqi më 5 shkurt të vitit 2023, ani pse nuk morën shtesat për dy muaj radhazi, për rrezik në punë, zyrtarët policorë tashmë nuk do t’i marrin edhe beneficionet e vetme që i kanë.
Duke u bazuar në udhëzimin administrativ nr. 01/2021, neni 39, paragrafi 3, thuhet se “personeli policor që arrin moshën e pensionimit, gëzon të drejtën e marrjes së tri pagave mujore në vlerën e pagës së fundit”.
Por Halim Gashit, i cili është pak kohë para pensionimit, kjo nuk po i takon. Gashi, i cili ka 37 vjet që ka shërbyer në Policinë e Kosovës, shprehet i zhgënjyer me Ligjin e ri të Pagave.
Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
Përveç shfuqizimit të pagës përcjellëse pas pensionimit, Ligji i ri i Pagave nuk parasheh edhe ndihmesën për familjarët e zyrtarëve policorë të cilët kanë marrë në rast të vdekjes së anëtarit të familjes.