
Zyrtari i DASh-it: Kurti shkeli “vijën e kuqe”
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit në Washington i ka thënë gazetës “KOHA” se veprimet e qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë çuar në pezullimin e Dialogut të planifikuar strategjik me Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, vendimi u motivua nga “kalimi i vijës së kuqe”, mes tjerash përmes përpjekjeve për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.
“Gjëja e vetme që do ta theksoja veçanërisht, që për ne ishte më shqetësuese, ishin përpjekjet konkrete për t’ua pamundësuar qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë rast serbëve të Kosovës, që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, si në kuptimin e gjerë ashtu edhe në pozitat udhëheqëse në institucione.” – citohet të ketë thënë zyrtari.
Zyrtari i ka thënë mediumit se nuk është një incident i izoluar, por vazhdimësi e disa hapave që, kanë thelluar përçarjet dhe kanë shtuar pasigurinë.
“Ka një varg veprimesh më gjerësisht, lidhur me veriun, që mendojmë se do të ishin destabilizuese dhe për të cilat kemi ngritur shqetësime. Por, mendoj se gjëja kryesore që duam të theksojmë janë veprimet që do t’ua mohonin qytetarëve të Kosovës të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, ka thënë zyrtari i lartë amerikan”, citohet të ketë pohuar ai më tej.
Ai ka kujtuar se Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar për pasoja nëse qasja e qeverisë Kurti 2 nuk do të ndalej.
“Ne ishim të qartë, gjithashtu, se do të kishte pasoja nëse kjo do të vazhdonte. Dhe në një moment e ndiem se nuk mund të prisnim më gjatë dhe se duhej të mbronim interesat tona”, ka thënë ai.
Rreth dy javë më parë, ambasada e ShBA-së, në një deklaratë të sapo kumtuar, njofton për pezullimin në kohë të pacaktuar të Dialogut Strategjik me ShBA-në.
“Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar për kohë të pacaktuar Dialogun e tyre të planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimit rreth veprimeve të qeverisë në detyrë, të cilat i kanë rritur tensionet dhe jostabilitetin, duke e kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta” – thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj avancimit të interesave të përbashkëta të ndara nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës” – thuhet në deklaratë.
SHBA thotë se veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë paraqitur sfida ndaj progresit të bërë ndër shumë vite.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën është e mbështetur në një qëllim të përbashkët: fuqizimi i paqes dhe stabilitetit si një bazë për mirëqenie të përbashkët ekonomike. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida ndaj progresit të bërë ndër shumë vite”.