Zyrtari i Inteligjencës së Policisë pjesë e organizimit të VV-së, Policia: Ishte jashtë detyrës

14 nëntor 2025 | 22:53

Një zyrtar i Inteligjencës së Policisë së Kosovës është parë duke marrë pjesë në aktivitetin e Vetëvendosjes në përvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, që sipas ligjit për Policinë përbën shkelje. Rasti është dërguar nga Inspektorati Policor i Kosovës te Hetimet e Brendshme të Policisë për trajtim, e ky institucion dha sqarimet për rastin

Në përvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, me 5 nëntor, për çdo vit Lëvizja Vetëvendosje organizon aktivitetin e dhurimit të gjakut.

Por, në përvjetorin e nëntë, pjesëmarrës ishte edhe një zyrtar i lartë policor, të cilit aktiviteti politik i ndalohet me ligj.

Fotografia e Kreshnik Xhafollit ishte publikuar fillimisht nga vet Qendra Kombëtare për Transfuzion të Gjakut por pastaj e njëjta është fshirë.

Siç mëson televizioni, Xhafolli është polic i Kosovës nga viti 2021 dhe aktualisht është i angazhuar në departamentin e Inteligjencës së Policisë së Kosovës.

Në ngjarjen në fjalë, pjesëmarrës ishin zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, përfshirë kryetarin e kryeministër në detyrë, Albin Kurti.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet politik me qëllim humanitar, policit nuk i lejohet bazuar në dy akte normative.

Fillimisht, veprimi i zyrtarit policor bie ndesh edhe me Udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedura disiplinore në Policinë e Kosovës.

Neni 20 i këtij udhëzimi, shpjegon se çka konsiderohet sjellje e rëndë diskredituese, e në pikën 13 është edhe pjësëmarrja në aktivitete politike.

Gjithashtu, bazuar në nenin 49 të Ligjit për Policinë, prania e policit Xhafolli së bashku me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë, Albin Kurtin mund të përbëjë edhe konflikt interesi, shkruan RTV Dukagjini.

Ligji e specifikon se “Personeli policor nuk do të pranojë një pozitë apo obligim, dhe nuk do të jetë pjesëmarrës në çfarëdo funksioni apo aktiviteti, i cili krijon konflikt të interesave me detyrat zyrtare të policisë”.

“Bazuar në kërkesën tuaj ju njoftojmë se IPK krahas kërkesës suaj ka pranuar edhe informacione lidhur me këto pretendime dhe bazuar në autorizimet ligjore rasti është përcjellë në Policinë e Kosovës për të vërtetuar këto pretendime dhe për të trajtuar rastin në aspektin administrativ/disiplinor”-Inspektorati Policor i Kosovës

Por, Policia e Kosovës, thotë se ai mori pjesë individualisht, jashtë detyrës zyrtare, siç parashihet me procedura të brendshme, duke e cilësuar aktivitetin krejtësisht humanitar.

Ky veprim nuk është realizuar në cilësinë e tij zyrtare dhe se dhurimi i gjakut është një akt human dhe vullnetar, i cili nuk kufizohet apo ndalohet për asnjë qytetar apo zyrtar policor, pavarësisht motiveve personale apo emocionale që mund ta nxisin këtë veprim. Megjithatë Policia e Kosovës bënë verifikim të plotë të rrethanave nëse pjesëmarrja e përmendur ka qenë komfor parimeve dhe procedurave te Policisë se Kosovës, për të konstatuar ndonjë shkelje të dispozitave ligjore apo të etikës profesionale.

Redaksia ka komunikuar edhe me vet zyrtarin policor por i njëjti deri në momentin e publikimit të kësaj kronike nuk i është përgjigjur pyetjeve.

Kujtojmë që në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, një hetues i Policisë së Kosovës ishte suspenduar pasi që dyshohej që kishte marr pjesë në një tubim politik të PDK-së, shkruan Dukagjini.

Më pas i njëjti u rikthye në detyrë pasi që pretendimet ndaj tij ishin të pasakta./rtvdukagjini

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj ministrit në…