Zyrtari i partisë së Vuçiqit kërkon që ambasadori rus të dëbohet nga Serbia

17 mars 2023 | 08:18

Pas deklaratës së ministrit serb të Ekonomisë, Rade Basta, se Qeveria e Serbisë duhet urgjentisht të deklarohet për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, një zyrtar tjetër i pushtetit aktual në Serbi ka treguar qartë një qëndrim edhe më të fortë anti-rus.

Bëhet fjalë për zyrtarin e partisë së udhëhequr nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq – SNS, Dragan Shormaz, i cili nuk është ndalur vetëm me kërkesën për sanksione kundër Rusisë.

Sipas mediave serbe, përmes një postimi në Twitter, ai ka kërkuar edhe që të dëbohet nga Serbia ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bochan Kharchenko.

Ai reagoi ndaj deklaratave të ambasadorit rus, sipas të cilit, Rusia e sheh pozitivisht “qëndrimin e vendosur dhe të ndershëm të përfaqësuesve të lidershipit serb që u distancuan nga thirrjet anti-ruse”, si dhe se ai mendon se Serbia nuk do të vendosë sanksione kundër Moskës.

“Nuk e di edhe sa deklarata të tilla barbare të përfaqësuesve të pushtetit kriminal nga Kremlini duhen për ta dëbuar nga Serbia?! Tani ai pretendon se ministri Basta nuk po paraqet qëndrimin e tij, por qëndrimin e sponsorëve të huaj! Të vendosen menjëherë sanksione ndaj Rusisë dhe ta dëbojnë këtë person nga Serbia”, ka shkruar Shormaz.

Siç vënë në pah mediat në Serbi, së paku deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim atë ambasadës ruse në Serbi ndaj një deklarate të tillë të zyrtarit serb Shormaz.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vendet që “keqtrajtuan” Ukrainën do të mbajnë përgjegjësi pas përfundimit…