Zyrtari kryesor amerikan për kundërterrorizëm jep dorëheqje për shkak të luftës në Iran dhe i kërkon Trumpit të ‘ndryshojë kurs’
Zyrtari më i lartë i administratës Trump për kundërterrorizëm ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, duke përmendur kundërshtimin ndaj luftës në Iran dhe duke i bërë thirrje presidentit të “ndryshojë kurs”.
Në një letër të publikuar në llogarinë e tij në “X”, drejtori i Qendrës Kombëtare për Kundërterrorizëm, Joe Kent, ka thënë se Irani nuk paraqiste “asnjë kërcënim të menjëhershëm” për ShBA-në dhe ka pretenduar se administrata Trump “e filloi këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobi i tij i fuqishëm amerikan”.
Kent, 45 vjeç, është një veteran i forcave speciale amerikane dhe i CIA-s, bashkëshortja e të cilit, Shannon Kent, tekniciene kriptologjike e marinës është vrarë në një sulm vetëvrasës me bombë në Siri në vitin 2019, shkruan “BBC”.
“BBC” ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për koment mbi dorëheqjen e Kent.
Në letër, Kent, një kandidat republikan për Kongres nga shteti i Uashingtonit që ka dështuar dy herë, ka thënë se deri në qershor 2025 ai besonte se “Trump e kishte kuptuar se luftërat në Lindjen e Mesme i kushtonin Amerikës jetët e çmuara të patriotëve tanë dhe dobësonin pasurinë dhe prosperitetin e vendit tonë.”
Gjithashtu, Kent ka pretenduar se “zyrtarë të lartë izraelitë” dhe gazetarë me ndikim në ShBA kishin përhapur “dezinformim” që e kishte shtyrë Trumpin të devijonte nga platforma e tij “Amerika e Para”.



