Arsyet e të pakënaqurve s’janë të forta

26 Janar 10:47

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, ka bërë me dije se arsyet e të pakënaqurave brenda këtij subjekti politik nuk janë të forta. Ai ka thënë se deri më tani ata nuk kanë treguar se besojnë në ndonjë projekt tjetër politik.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Lajçi ka deklaruar se nuk i kupton qëndrimet dhe veprimet e deputetëve të LV-së, të cilët kanë dalë kundër Albin Kurtit.

“Deri tash ata nuk kanë ofruar arsyeje të forta, nuk kanë ofruar ndonjë projekt alternativ, apo ndonjë koncept tjetër politik jashtë Vetëvendosjes. Përderisa ata besojnë në projektin e Vetëvendosjes dhe nuk kanë ndonjë projekt tjetër politik, do të duhej që këta njerëz të rrinë rreth këtij projekti”, ka thënë Lajçi. Ai ka thënë se të pakënaqurit edhe mund të krijojnë parti të re por, sipas tij, ai subjekt politik do t’u ngjajë partive të tjera politike në Kosovë dhe jo LV-së.

“Çdokush ka të drejtë të formojë parti politike, por jashtë projektit të LV-së gati se bëhen sikur këto partitë e tjera që janë, e të cilat nuk kanë ndonjë imazh të mirë për administrimin apo menaxhimin e vendit”, është shprehur ai.

Deputeti i LV-së ka thënë se ata nuk mund të sjellin diçka të re për vendin, duke shtuar se ndryshimet i sjell vetëm LV-ja. “Mendoj se ata nuk do të sjellin diçka të re, do të jenë sikur partitë e tjera. Dhe, siç dihet, ne asi partish kemi mjaft në Kosovë, të cilat nuk japin diçka të re. Ato zakonisht ofrojnë ndonjë interes grupor, megjithatë kjo mbetet të shihet. Të pakënaqurit deri më tani si program nuk ofrojnë diçka që do t’i sillte vendit ndryshime. Dhe, siç dihet, Kosova ka nevojë për ndryshime”, është shprehur Lajçi.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për qeverisjen Haradinaj, për të cilën ka thënë se po merr vendime antiligjore. Ai ka paralajmëruar se kur të vijë koha opozita do të ngrehë mocion të mosbesimit për ta rrëzuar këtë qeveri. “Ne do të kërkojmë mocion atëherë kur të shohim se është e arsyeshme. Mendoj se në këtë drejtim nuk do të ketë ngutje, të shohim se deri në çfarë shkalle i bënë keq vendit ky koalicion qeverisës. Nëse ne e shohim këtë, natyrisht se do të veprojmë”, ka thënë Lajçi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Një fakt i tillë konfirmohet nga të dhënat e nxjerra…