Daku shihet e si e ardhmja e sulmit të Kosovës

03 Janar 16:40

Shumë klube të njohura evropiane bëjnë gabime me futbollistë të rinj pasi shpesh herë nuk dinë t’i vlerësojnë sa duhet ata. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qytetin e Gjilanit, ku po rritet një futbollist i jashtëzakonshëm. Fjala është për sulmuesin e talentuar, Mirlind Daku i cili ka shkëlqyer këtë edicion me Llapin pas injorimit që iu bë në qytetin e lindjes, Gjilan.

Mirlindi e nisi karrierën tek Gjilani duke luajtur deri në grupmoshën e kadetëve për t’iu bashkuar më pas rivalit lokal, Drita. Te Drita sulmuesi i talentuar luajti për juniorët për në momentin që deshi filloi stërvitjet me ekipin e parë, atë e injoruan ‘ekspertët’ e shtabit teknik tek klubi bardh e kaltër. U largua i dëshpëruar për të dalë përsëri tek Gjilani, por e njëjta ‘çorbë’ edhe tek bardh e kuqtë, duke aluduar se ai nuk është për ekipin e parë.

“Ka qenë shumë e vështirë për mua, pasi besoja në vetvete por më injoruan të dyja skuadrat në mënyrën më të keqe të mundshme”, ka thënë Daku për “Telegrafin”.

Djaloshi vendosi t’i bashkohej Hajvalisë për të luajtur pa para vetëm që të bënte ndeshje në elitën e futbollit kosovar dhe nuk gaboi. Luajti bukur dhe shënoi gola me Hajvalinë e cila luante me juniorë. Në janar kishte oferta të shumta, nga Prishtina e Llapi, por e kërkuan edhe ato që e injoruan, Drita e Gjilani.

“Më kanë kërkuar në janar pasi e panë se çfarë ndeshje kisha bërë me Hajvalinë. Të them të drejtën nuk iu besova fjalëve të tyre dhe vendosa të nënshkruaj për Llapin dhe nuk jam pishman për këtë”, ka deklaruar Daku.

Edhe pse humbën në finale, Dakun kjo nuk e ka dëshpëruar pasi e nisi në mënyrë perfekte stinorin e ri në Superligë. Pas përfundimit të stinorit vjeshtor Daku e sheh vetën në krye të golashënuesve në Superligë, me nëntë gola të shënuar.

E forma e mirë e kaluar me Llapin bëri që djaloshi i artë nga Gjilani të marrë ftesë edhe nga Kosova U21. “Jam i lumtur për ecurinë që kam pasur këtë edicion, mund të them se ishte viti më i mirë në karrierën time”, u shpreh Daku. “Të luaj me Përfaqësuesen e Kosovës është një ndjenjë e jashtëzakonshme, jam shumë krenar që po e përfaqësoj vendin tim. Shpresoj që të arrijmë shumë suksese me Kosovën”, ka deklaruar Daku.

E si çdo futbollist nga kampionati ynë, edhe Daku ëndërron që të luaj në ndonjë kampionat të madh evropian. “Ëndërroj që të luaj në njërin nga kampionatet më të mira në Evropë. E di se kjo ëndërr mund të bëhet realitet vetëm se duhet të vazhdoj të punoj edhe më shumë”.

“Me punë arrihet gjithçka, ashtu siç kam arritur me punë t’i bëjë pishman edhe skuadrat e qytetit që nuk më kanë ndalur”, përfundoi Daku.

19-vjeçari ka kontratë me Llapin deri në dhjetorin e vitit 2018, ndërsa për të interesim tanimë kanë shprehur disa skuadra nga rajoni, por qëllimi i tij është të luaj në një kampionat më të madh evropian. (Telegrafi)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, është duke…