Dhjetëra të arrestuar në protestat në Armeni

17 prill 2018 | 13:42

Policia në Armeni ka arrestuar të paktën 29 aktivistë, të cilët po protestonin kundër një vendim të ligjvënësve, i cili mundëson ish-presidentit Serzh Sarkisian të zgjidhet në postin e kryeministrit.

Pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve, se ata do t’i kundërpërgjigjen trazirave, qindra protestues kanë bllokuar rrugët në qendër të Jerevanit, një ditë pasi dhjetëra protestues u lënduan gjatë përleshjeve me policinë jashtë ndërtesës së Parlamentit.

Më herët gjatë ditës, zëvendësshefi i policisë në Jerevan, i ka dorëzuar një njoftim liderit të protestës, opozitarit Nikol Pashinian ku e ka paralajmëruar se protestuesit kanë shkelur ligjin për tubime publike dhe se autoritetet kanë vendosur që të ndalin protestat.

Në vitin 2015 përmes një referendumi, Armenia kishte ndryshuar formën e qeverisjes, duke i dhënë më shumë pushtet postit të kryeministrit.

Ish-presidenti Sarkisian kishte premtuar në vitin 2014 se nuk do të tentojë të zgjidhet kryeministër edhe pasi vendi të ketë ndryshuar sistemin politik, nga ai presidencial në atë parlamentar.

Por, partia në pushtet, Partia Republikane e Armenisë ka nominuar ish-presidentin Serzh Sarkisian për postin e kryeministrit dhe sot ligjvënësit do të votojnë për këtë çështje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një muaj pasi u lirua nga burgu maqedonas, Avdyl Jakupi…