Djali i Hysni Gucatit ia prezanton dorëheqjen Kadri Veselit, shkak manipulimet në PDK-në e Skenderajt

04 qershor 2018 | 19:44

Djali i kryetarit të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, Musliu ka dhënë dorëheqje nga Kryesia dhe Këshilli Drejtues i Rinisë Demokratike të Kosovës, dega në Skenderaj.

Këtë vendim, Gucati e ka arsyetuar me manipulimin në procesin zgjedhor të rinisë së PDK-së në këtë komunë.

“Pas votimit për Këshill Drejtues, kur ka filluar numërimi i votave, ka pasur njerëz jokompetent në komisionin që ka numëruar votat, të cilët me anë të kërcënimeve e shantazheve, kanë bërë manipulime të shumta të votave. Për këto që po i ceki më lartë, posedoj edhe dëshmi. Disa herë ua kemi tërhequr vërejtjen kryesisë së punimeve të Kuvendit për manipulimet e ndodhura, por ata kanë vazhduar me zgjedhjen e Kryetarit, ku njëkohësisht i propozuar isha edhe unë, por kam qëndruar në sallë për ta përcjellur procesin zgjedhor”, ka thënë ai, në letrën e dorëheqjes të cilën ia ka prezantuar edhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.

Kjo është letra e dorëheqjes së Musli Gucatit drejtuar Kadri Veselit:

I nderuar kryetar, më 02.06.2018, si delegat në Kuvendin e pestë zgjedhor të RDK-së në Skenderaj, isha kandidat për Këshillin Drejtues si dhe kandidat për kryetar të RDK-së, mirëpo procesi zgjedhor nuk u zhvillua në kushte demokratike, pasi që pati shumë manipulime. Gjatë punimeve të Kuvendit e sidomos gjatë procesit zgjedhor, kishte presione nga njerëz të ndryshëm, për ta drejtuar votën aty ku atyre ju duhej, përkatësisht të zgjedhen njerëz në Këshill Drejtues, që pastaj do ta favorizonin kandidatin për kryetar, e që ishte i preferuari i tyre Alban Berisha. Pas votimit për Këshill Drejtues, kur ka filluar numërimi i votave, ka pasur njerëz jokompetent në komisionin që ka numëruar votat, të cilët me anë të kërcënimeve e shantazheve, kanë bërë manipulime të shumta të votave. Për këto që po i ceki më lartë, posedoj edhe dëshmi. Disa herë ua kemi tërhequr vërejtjen kryesisë së punimeve të Kuvendit për manipulimet e ndodhura, por ata kanë vazhduar me zgjedhjen e kryetarit, ku njëkohësisht i propozuar isha edhe unë, por kam qëndruar në sallë për ta përcjellur procesin zgjedhor. Për shkak të këtyre manipulimeve, ka pasur edhe pakënaqësi të shumë delegatëve, të cilët edhe i kanë lëshuar punimet. Të gjitha këto arsye, më detyrojnë që të jap dorëheqje nga Kryesia dhe Këshilli Drejtues i Rinisë Demokratike të Kosovës, dega në Skenderaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë, opinionistë e sportistë bashkërisht, i…