Ekspertët kërkojnë veprime radikale për ndryshimin e gjendjes në arsim

02 janar 2018 | 21:12

Viti 2017 u karakterizua me zhvillime nga më të ndryshmet, për të mirë e për të keq, në sistemin e arsimit.

Përderisa ministri i ri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi njoftoi për formimin e një komisioni të veçantë që do të merret me testin PISA 2018, njohësit e fushës nuk presin ngritje të cilësisë në arsim, prandaj as ngritje të rezultatit në testin PISA.

“E kemi formuar një komision të veçantë që do të merret me testin PISA 2018 dhe tutje PISA. Ky komision e ka bërë një plan dinamik që deri në datën e mbajtjes së testit PISA 2018 planifikojmë që minimumi t’i mbajmë dy teste provuese në të gjitha shkollat e Kosovës: testi i parë do të mbahet në të gjitha shkollat e Kosovës dhe testi i dytë në të gjitha shkollat ku do të mbahet testi PISA final”, ka thënë ministri Bytyqi.

Mirëpo, njohës të fushës së arsimit nuk presin ndonjë rritje të rezultatit të nxënësve të Kosovës as në testin PISA 2018.

“Testi PISA zakonisht mat cilësinë e sistemit të arsimit dhe nuk varet nga një komision se çfarë do të jetë rezultati. Rezultati do të jetë i tillë çfarë është cilësia e sistemit. Meqë përmirësime radikale në sistemit nuk ka pasur unë nuk pres ndonjë përmirësim të madh të rezultatit në testin PISA”, ka thënë drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Popovci.

Popovci thotë se mund të ketë ndonjë përmirësim të vogël për shkak të një vetëdijesimi më të lartë të nxënësve dhe që ta marrin punën më me seriozitet. “Mirëpo, edhe në kushte të tilla ata nuk mund të demonstrojnë më shumë nga ajo që i ka përgatitur shkolla”, tha ai.

Sipas njohësve të fushës, për të pasur ndryshime në arsim duhen marrë hapa radikalë./21Media/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovë, Jakup Krasniqi…