Hoxhaj: Ballkani do të përdorë reforma të thella dhe rritje ekonomike

24 Janar 14:04

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë fjalimit në “Forumin Ekonomik të Tiranës” ka thënë se çdo qeveri në rajon do ta përdorë vitin 2018 për reforma të thella të brendshme dhe për rritje ekonomike.

“Pritet që në fillim të muajit shkurt Komisioni Evropian të propozojë një strategji të re e cila ka të bëjë me zgjerimin e BE-së në Ballkan. Ky është lajmi më i rëndësishëm që mund të marrë rajoni”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina do të duhej deri sa të prezantohet kjo strategji ta formësojnë një qëndrim të përbashkët.

Duke folur për sfidat e vendeve të rajonit, Hoxhaj ka thënë rajoni mund të lëvizë me një shpejtësi të re në vitin 2018.

“Rajoni mund të lëvizë me një shpejtësi të re në vitin 2018, nëse në vijim adresohen tre sfidat historike. Adresimi i çështjes së emrit të Maqedonisë. Nëse Maqedonia dhe Greqia merren vesh për çështjen e emrit, rajoni do ta kishte një sfidë më pak. Raportet Serbi-Kosovë, mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë dhe pa njohje të ndërsjellë, pa anëtarësim të Kosovës në OKB ne nuk mund të pretendojmë që raportet mes dy vendeve do të jenë normale dhe një sfidë tjetër është Bosnja, e cila vitet e fundit është përballur me sfida serioze të shtetndërtimit”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian nuk mund të jetë një proces i shkëputur nga rrugëtimi drejt këtij procesi i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Meta ka thënë se presioni në rritje që vjen nga globalizimi është i fortë për të gjithë rajonin.

“Ekonomia globale ka një dinamikë multipolare e udhëhequr nga disa superfuqi ekonomike dhe disa ekonomi emergjente. Ekonomitë e Ballkanit nuk kanë luksin për t’u angazhuar në gara individuale dhe afatshkurtra me njëra-tjetrën për dominancë tregu apo atraktivitet investimesh të huaja. Strategjia më e zgjuar dhe afatgjatë do të ishte krijimi i sinergjisë mes vendeve tona për të hartuar një platformë të unifikuar të investimeve strategjike, ku gjithë rajoni të shikohej si një i vetëm për biznesin e korporatave multinacionale, apo për projekte madhore me impakt rajonal”, ka thënë Meta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri…