Identifikohet sulmuesi i dyshuar i Ambasadës Amerikane në Podgoricë

22 shkurt 2018 | 17:03

Prokuroria dhe Policia në Mal të Zi e kanë identifikuar sulmuesin e dyshuar të Ambasadës Amerikane në Podgoricë, si Dalibor Jaukoviq, i lindur në Kralevë të Serbisë.

I dyshuari ka hedhur një pajisje shpërthyese në ndërtesën e ambasadës në orët e para të ditës së sotme, përpara se të vriste veten.

Prokuroria dhe policia malazeze kanë theksuar se Jaukoviq dyshohet se ka aktivizuar një granatë dore “M75” në drejtim të kompleksit të ambasadës.

Në hetime është thënë se është përfshirë edhe FBI-ja.

Ambasada Amerikane në Podgoricë, ka bërë me dije se askush nga stafi nuk është plagosur.

Drejtoria e Policisë së Malit të Zi, ka thënë se nuk i di ende motivet e sulmuesit.

“Ky person mashkull, sipas aktiviteteve të ndërmarra deri më tani, është vrarë pasi ka shpërthyer një mjet shpërthyes dhe pasi ka hedhur një mjet shpërthyes në kompleksin e ambasadës”, ka thënë Policia më herët.

Në deklaratën e saj po ashtu është thënë se nuk ka asnjë dëm tjetër përveç një krateri nga shpërthimi.

Në një postim në llogarinë e vet në “Twitter”, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, ka konfirmuar se ka pasur një “shpërthim të vogël pranë kompleksit të ambasadës amerikane në Podgoricë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fitorja me 5 gola ndaj Beshiktashit, duket se për lojtarët…