Kaosi dhe dashuria në librin poetik “Ikje nga vdekja” të Din Mehmetit

30 Janar 10:58

Blerina Hajdini

Libri poetik “Ikje nga vdekja” (1978) i poetit Din Mehmeti ndërtohet përmes konceptit “kaos dhe dashuri” që, njëherësh, janë dy linja poetike me tema të ndryshme. Tematika që realizohet në këtë libër poetik paraqet një ndërlidhjeje të fuqishme me gjendjen që mbizotëronte në vend (Kosovë). Ky libër që prej titullit “Ikje nga vdekja” paraqet esencën e një titulli figurativ që pasqyrohet edhe në strukturën e librit në vazhdimësi.

Tematika në këtë libër poetik, përpos që përshkruan një realitet shoqëror, këtu jepet një realitet emocional shpirtëror. Kaosi dhe dashuria janë dy gjendje emocionale, që në punimin tonë do t’i trajtojmë në vazhdim, por që këto dy gjendje emocionale do ta marrin statusin e personales, ku kalohet prej gjendjes shoqërore në atë shpirtërore emocionale.

Qasjen dhe mënyrën e zhvillimit të kërkimit do ta ndjekim përmes dy koncepteve të lartpërmendura, që njëherësh janë objekt i punimit tim. Gjatë punimit do të ndjekim një lexim sistematik të këtij libri dhe librave të tjerë poetikë të poetit Din Mehmeti për ta realizuar temën e punimit tim.

Sa i përket metodës së zhvillimit të punimit tim, do ta përdor metodën e psikoanalizës, ku do të ndalemi te gjendja emocionale e subjektit lirik në këtë libër poetik. Pres që rezultatet e këtij punimi të jenë në nivel të kënaqshëm, duke kontribuar në studimet letrare mbi poezinë e Din Mehmetit.

Libri poetik “Ikje nga vdekja” botuar më 1978 i poetit Din Mehmeti vjen në radhë të parë deklarim i fuqishëm poetik, duke mos iu nënshtruar ligjit natyror, po themi figurativisht, që në këtë gjendje e deklamon në poezinë e tij në fjalë.
Emri i librit në fjalë konstrukton në vete një vetëqëndrim të përhapur para një gjendjeje shpirtërore dhe shoqërore.
Ndërsa studiuesi Agim Vinca për poezinë e Din Mehmetit thekson se: poezia e tij ka një lidhje të ngushtë me vendlindjen dhe njerëzit e saj, me vuajtjet dhe dhembjet e tyre, me dilemat dhe brengat që përcaktojnë ideotematikën e emocionale të subjektit lirik.

Poezia e tij është medium ku gërshetohet reagimi emocional dhe reagimi intelektual, ndonëse poezia e Din Mehmetit më tepër mund t’i detyrohet elementit të parë (gjendjes emocionale), ku tensioni emocional është një veçori në vete, në poetikën e Din Mehmetit dhe kryesisht te librat poetikë “Heshtja e kallur” dhe “Ikje nga vdekja”.
Opuset letrare e poetike të poetëve tanë, në mesin e të cilëve gjendet edhe poeti Din Mehmeti, në këtë rreth poeti qëndron në një hapësirë, ku në një rrafsh të vetëm shtrihen dhe përpiqen të zënë vend emocionalja dhe refleksivja.

Bota e ndjenjave në këtë libër poetik udhëton, çasteve të jetës, të cilat bartin në vete emocionin për jetën. Libri në fjalë është i mbushur me emocion ku njeriu gjendet para një udhëkryqi se çka do të ndodhë në të vërtetë me të.

Vargu “Këndo ose vdis pa klithmë”, që njëherësh është titulli i një poezie, ku brenda kësaj poezie paraqitet një emocion shpirtëror, që subjekti lirik paraqet një emocion në vete, por që gjithsesi do të përballet me një gjendje të tillë që mbizotëron.

Ky varg (titull poezie) paraqet një alternativë poetike që na kujton prozën e Migjenit, “Ose ose” ku në këtë rast jepet një alternativë me zgjedh se cila mund t’i përshtatet gjendjes shpirtërore. Në këtë varg jepen zgjedhjet, por në formë të prerë se çka mund të zgjedhë subjekti lirik.

Por ajo që e karakterizon këtë varg është se duhet patjetër t’i përshtatesh ose këngës që në këtë rast del qëndrim ndaj një furtune të jetës, ose t’i nënshtrohet një pushteti pa asnjë fjalë. Sipas studiuesit Basri Çapriqi, subjekti lirik nuk ka dilema dhe nuk dorëzohet as përpara fatit të parathënë si në librat poetikë “Ikje nga vdekja” dhe “Fatin tim nuk e nënshkruaj”.

Në këtë libër vdekja deklarohet me jetën e përditshme, por që kërkohet të dilet nga kjo gjendje e cila po e preokupon njeriun. Ikja këtu simbolizon jetën për të cilën duhet të luftohet në çfarëdo mënyre, sepse vdekja ndoshta është zgjidhja e fundit për njeriun e robëruar por, para së gjithash, kërkohet një zgjidhje. Në të gjithë ciklin e parë “Koha i dënon mëkatet” hapet kjo gjendje e rëndë emocionale e subjektit lirik, por në mënyrë figurative.

Jam shtrirë në barin përrallor
Diku në fshat
E marrë frymë thellë:
Çlirohem robërohem
Lindi vdes
E bëj ç’dua vetë…

Poezia Lindi e vdes bëj ç’dua vetë

Deklarimi i tillë poetik, si në vargjet e lartpërmendura, shfaq një dëshirë të pafundme të subjektit lirik që është i mbushur përplot me emocion, ku njëherësh dëshiron të vendosë vetë për fatin e vet. Vetëm dy vargjet e fundit shfaqin një deklarim poetik emocional, që simbolizon dëshirën e brendshme emocionale.

Në këto vargje, përveçse na shfaqet gjendja emocionale e subjektit, në të njëjtën kohë na shfaqet një lloj refuzimi që lind si rezultat i gjërave të imponuara, e që subjekti nuk mund të pajtohet me një imponim të tillë. Vdekja në poezinë e poetit Din Mehmeti është sa figurative, po aq reale në kuptimin e gjendjes shoqërore; por ajo çka e fuqizon vdekjen është jeta, sepse në jetë mbeten të gjitha shpresat, të cilat esencializohen në çdo moment, për t’u tejkaluar kjo gjendje shpirtërore, në kuptimin emocional.

Jam pakëz i ndrydhur pakëz i çliruar
Pakëz i zverdhur pakëz i frikësuar
Jam pakëz i ngrirë pakëz i shkrirë
Pakëz i rrahur pakëz i ndjekur jam

Poezia Pakëz ëndërr pakëz zhgjëndërr

Në këto vargje që i paraqitëm këtu, shohim se kemi të bëjmë me një gjendje emocionale të përzier për faktin se në secilin varg ndërron gjendja emocionale, ku na paraqitet figura e krahasimit që përdoret për ta përshkruar gjendjen e subjektit lirik brenda vargjeve, e që këto vargje shfaqin hapur dyshimin, frikën, pasigurinë etj., por në asnjë moment nuk paraqitet zmbrapsja e subjektit si shenjë e peripecive që i përjeton ai.

Ndërsa studiuesi Agim Vinca për këto vargje thekson se: drama jetësore e njeriut i ngjan një lufte ndërmjet jetës dhe vdekjes, ndërmjet ëndrrës dhe zhgjëndrrës, pra një paradoksi specifik.

Në mes të dy gjendjeve që shfaqen në këtë poezi gjithmonë kërkohet. Ajo që është më e mira, për t’u tejkaluar kauza që në forma të ndryshme, në njërën anë gjendja e rëndë bëhet shtytje në kërkim të më të mirës.

Në këtë libër poetik “Ikje nga vdekja” të poetit Din Mehmeti gërshetohen kaosi, dashuria, realiteti, që të gjitha lidhen për emrin Kosovë, duke pasur parasysh tanimë se emri Kosovë lidhet ngushtë jo vetëm në këtë libër poetik, por në një pjesë të madhe të krijimtarisë letrare të poetit Din Mehmeti. Tematika që realizohet në këtë libër poetik paraqet një gjendje emocionale në vete ku e përcjell subjektin lirik gjatë gjithë kohës, por që shpeshherë subjekti lirik kalon nëpër sfida të ndryshme si: nëpër kaos, dashuri, realitet shpirtëror dhe shoqëror, që mund të themi se subjekti lirik në këtë libër poetik është i pathyeshëm përball gjendjes shoqërore.

Përmes alegorisë përshkruhet jeta reale në Kosovë, sepse gjendja emocionale e subjektit që jepet për Kosovën, që edhe ashtu në poezinë “Rembi i blertë i diellit” e shfaq jetën tipike në kohë të vështira në Kosovë, po ashtu edhe poezia nuk lë shumë enigmë, por që e percepton vendin Kosovën.

Ndërsa kur jemi te ky libër poetik i poetit Din Mehmeti, një gjendje emocionale të përzier na e shfaq edhe poezia “Kosovë zog i diellit”, ku na shfaqen shumë pamje, shumë emocione, shumë dëshira të subjektit lirik, që njëherësh të gjitha janë gjendje emocionale që i përjeton subjekti. Por studiuesi Agim Vinca, për këtë poezi shprehet: përmes kësaj gjuhe nga pak solemne e retorike, njëkohësisht edhe metaforike, poeti arrin ta portretizojë fytyrën e vendlindjes dhe ta përgjithësojë dashurinë ndaj saj.

Pra, libri poetik “Ikje nga vdekja” pasqyron një botë të tërë emocionale dhe nacionale, ku gjithmonë e para ndërlidhet me të dytën si rezultat i një dëshire që paraqet në vete subjekti në tërësi të librit. Ndërsa kur jemi te tematika e këtij libri, duhet të theksojmë se ky libër përbëhet prej temës së dashurisë dhe temës shoqërore, që natyrisht ndërlidhet një tematikë mjaft kompakte.

Përfundimi

Qasja ime mbi librin poetik “Ikje nga vdekja” të poetit Din Mehmeti është një qasje që ndërlidhet me metodën psikanalitike dhe që paraqes përfundimet e mia lidhur me këtë libër, por që natyrisht arritja deri këtu është një rezultat ku synoj që qasja dhe interpretimi im të mos jenë mendime përfundimtare mbi poezinë e këtij poeti, por ky punim të jetë kontribut sado i vogël mbi poezinë e Din Mehmetit.

Lidhur me metodën e përdorur jemi fokusuar më tepër rreth gjendjes emocionale të subjektit lirik, që është një qasje sa analitike po aq psikologjike, ku jam munduar ta ndjek paraqitjen e gjendjes emocionale të subjektit brenda librit poetik në fjalë.

(Fusnotat i ka hequr redaksia. Kjo kumtesë u lexua në “Konferencën doktorale” në Prishtinë)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Një ndër artistet e veshura më mirë në ceremoninë e…