Meta: Shqiptarët myslimanë, rol vendimtar në proceset shtetformuese

28 mars 2018 | 16:48

Komuniteti Mysliman Shqiptar ka shënuar të mërkurën 95-vjetorin e themelimit prej rilindësve dhe patriotëve shqiptar, disa prej të cilëve edhe firmëtarë kryesorë të aktit të Pavarësinë së Shqipërisë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka evidentuar rolin shtetformues të klerit mysliman. “Kontaktet e botës shqiptare me besimet fetare janë shumë shekullore. Përgjatë këtij rrugëtimi shqiptarët myslimanë kanë luajtur një rol vendimtar në të gjitha proceset shtetformuese që ka kaluar vendi ynë duke përmendur në mënyrë të veçantë Lidhjen e Prizrenit, gjithë periudhën e Rilindjes Kombëtare, Kongresin e Manastirit, dhe madje ata kanë qenë ndër frymëzuesit kryesorë dhe mbështetësit e kryengritjeve të mëdha, të cilat sollën edhe Pavarësinë e vendit”, ka thënë Meta.

Në revistën komunitetit “Zani i Naltë” klerikët myslimanë duke u mbështetur në trashëgiminë atdhetare dhe fetare ia dolën, siç tha presidenti shqiptar të ngrenë jo vetëm institucionet drejtuese, por treguan perëndimin si drejtimin e kombit.

“Ne jemi një vend evropian, shkruhej në revistën ‘Zani i Naltë’, dhe si i tillë duhet të marrim nga qytetërimi perëndimor gjithçka është e mirë’. Kjo vlen edhe sot. Regjimi ateist komunist e goditi dhe e ndaloi fenë! Shkatërroi xhami e kisha. Persekutoi klerikë dhe besimtarë, por nuk mundi të mposhtte besimin e shqiptarëve te Zoti”, është shprehur presidenti Meta, duke shtuar se bashkëjetesa, harmonia dhe toleranca midis feve të ndryshme është një karakteristikë e veçantë si për të kaluarën, ashtu edhe për të sotmen e shqiptarëve.

“Populli ynë pa dallim fetar, gjithmonë ka ruajtur në vetëdijen e vet parësore dhe mbi të gjitha vlerat kombëtare dhe atdhedashurinë. Modeli shqiptar i harmonisë dhe mirëkuptimit midis komuniteteve fetare është një pasuri e çmuar për ne shqiptarët dhe një shembull për mbarë botën”, ka thënë presidenti Meta.

Me motivacionin kontributit të gjithanshëm në promovimin e dijes, historisë dhe besimit, presidenti i Republikës i dha titullin “Naim Frashëri” revistës “Zani i Naltë”.

“Të nderuar miq, në misionin e tij për rrënjosjen e dashurisë për fenë dhe atdheun, Komuniteti Mysliman është mbështetur e ndihmuar prej botimit të revistës së mirënjohur ‘Zani i Naltë’. Kjo revistë me karakter filozofik, fetar, kulturor, patriotik dhe historik përbën një ushqim shpirtëror për të gjithë shqiptarët që te besimi për Zotin synojnë lumturinë, qytetarinë, përkushtimin ndaj Atdheut si dhe dashurinë për njëri-tjetrit. Shpreh vlerësim tim maksimal për punën dhe devocionin e botuesve, teologëve, themeluesve dhe gjithë intelektualëve të saj që kontribuojnë edhe sot duke i akorduar revistës titullin e lartë ‘Naim Frashëri’”, ka thënë Meta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vizituar familjen Bogujevci…