Në pod të Qiqavicës…

02 shkurt 2018 | 11:14

Behram Hoti (Mal Drenica)

Ditar: Ushtria Çlirimtare Kombëtare 1900-2002 me rastin e 73-vjetorit të luftës së Drenicës 1941-1945. Morali ushtarak kombëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (3)

Dimër i vitit 1945, Kosovën e kishte okupuar shtetrrethimi serbian. Drenicën heroike e kishin sulmuar shtatë brigada partizane, dy divizione të armatës serbo-malazeze-maqedone dhe pritnin urdhëresën në gjendje gatishmëri edhe dy brigada të bugarit që ta sulmonin Drenicën, përkatësisht, Ushtrinë Kombëtare Shqiptare të komandantit Shaban Polluazha, që i kishte shpallur luftë komunizmit të shtatë vendeve ballkanike dhe Rusisë së Madhe. Pikërisht komandanti legjendar Shaban Polluzha e shpalli para ushtrisë shqiptare deklaratën kombëtar: “Vëllazën shqiptarë, ne nuk shkojmë në Serbi, as në Srem. Luftojmë në vendin tonë, në Kosovë dhe në Shypni. Boll kemi luftue për tokat e huaja. Gjithkush le ta çliron tokën dhe vendin e vet. Nëse na kundërshtojnë komunistët do t’i shpallim luftën shtatë ballkanave dhe Rusisë së Madhe. Ndoshta nuk do të fitojmë, por një histori do ta lamë…” (Podujevë 21 janar, ora 11:25 minuta).

Dhe… Ushtria Kombëtare Shqiptare u kthye në Drenicë. Gjendej në Kroimir në Qiqavicë. Acar… lisat qaheshin nga mrazi i dimrit 1945… “O Muhamet Gjinoci kah a kibla, m’u kthye mbarë, se po due me dekë”, tha Miftar Bajraktari që e kishte shituar plumbi i zi i pushtuesit zëmrën e tij të madhe…i bëzamë Isuf Gjinocit, Mulla Hoxhë Jonuzit të Kroimirocit, Mulla Brahim Hotit të Polacit. E ftuam edhe Shabanin, Mehmet Gradicën, Sefer Haxhin… I thirrem edhe Mujës (djalit të Bajraktarit që luftonte në front në Strehë…). Erdhi edhe Hasani… Bajraktari legjendar, truri i Ushtrisë Kombëtare të Drenicës 1940-1945 i mbylli sytë para agimit. Duke gropuar varrin luftonin Sefer Haxhia, Haradin Gjinoci me luftëtarë. Pak pa e lëshuar në varr Mehmet Gradica foli: “Bajraktar nga e thave krahun”.
(Kujtime të Salih Azem Gjinocit, sekretar i Shaban Polluzhës).

Varrimi në istikamet e frontit

Miftar (Adem) Bajraktari, ishte moçalik dhe shok jete me mulla Brahim Hotin e Polacit, me mulla Jonuzin e Krasmirocit dhe me pastërtinë shpirtërore të brumosur në dashurinë e madhe kombëtare dhe fetare që e kishte trashëguar nga të parët e tij, ishte një ndër bajraktarët më në zë, që e dallonte besimi i patundur në islam.
Mu nga ky respekt që gëzonte në Drenicë, në xhaminë e Llaushës, por edhe në atë të Polacit, bëri shumë pajtime kombëtare në Drenicë. Sipas kujtimeve të bashkëkohanikëve të tij, Miftar Bajraktari është figura më e denjë kombëtare dhe fetare në këtë drejtim. Në xhamin e Llaushës, në kulla e kuvende të burrave, në saje të pastërtisë së tij shpirtërore, fetare, pajtojë shumë gjaqe. Ai lexonte Kuranin, e mbante me vete, kurse nën pallton e tij, në trupin e tij qëndronte arma e lirisë siç ndodhte edhe me mulla Brahimin dhe mulla Rexhepin e Hotit, të cilët ishin të pandarë me Bajraktarin e Llaushës.
Gjatë varrimit, në malet e Qiqavicës, trupi i Bajraktarit i shtrirë si viganë, sytë e tij kishin mbetur të çelur… u afrua mulla Jonuzi, ia lexoj duan e fundit dhe e mori në ngryk Bajraktarin duke i thënë: “Bajraktar tash Mus-hafin po e nxjerri nga palltoja dhe po ia dhurojë djalit tënd, Mujës”.

Derisa bëhej varrimi, në istikamet e frontit të luftës luftonin luftëtarët e batalioneve të Brigadës së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare të Shaban Polluzhës dhe të Mehmet Gradicës… Kur e morën në duar, trupin e tij, Mehmeti më luftëtarët për ta vendosur në varrin e dheut të tokës nënë, plumbat e “sharcëve” të shkelësit barabar komunistë i korrnin si me kosë rremat dhe degët e lisave, bungave dhe qarrave të malit të Qiqavicës. Lisat qindvjeçar u bënin mburojë dhe strehë luftëtarëve të lirisë. Degët dhe rremat e prerë nga trungjet e lisave binin mbi varrin e Bajraktarit të Llaushës. (Fund)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izet Abdyli (Izet Sarajliq, “Përmbledhja sarajevase e luftës”, “Armagedoni”, Prishtinë,…