Qeveria paguan rreth një milion euro dënime për kreditë e pashfrytëzuara

17 qershor 2018 | 18:46

Qeveria e Republikës së Kosovës ka paguar 890 mijë euro si formë ndëshkimi për shkak të mostërheqjes së mjeteve financiare nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshje për kredi me institucionet financiare ndërkombëtare në vlerë rreth 300 milionë euro për financim të 10 projekteve kapitale, por mjetet e zotuara nuk janë tërhequr për shkak se projektet nuk kanë qenë të gatshme për financim, thonë zyrtarë të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Në një raport të publikuar nga kjo zyrë, thuhet se, si rezultat i kësaj, për mjetet e zotuara dhe të pashfrytëzuara, Qeveria obligohet të paguajë pagesa shtesë (tarifa zotimi). Qerkin Morina, ndihmës i auditorit të përgjithshëm, tregon për “Radion Evropa e Lirë” se si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vetëm për vitin 2017 vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të patërhequra nga huamarrësit arrin vlerën prej 890 mijë eurosh.

“Sipas rezultateve të auditimit, Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e gatshme t’i tërheqë borxhet e jashtme, në shumën prej 295 milionë eurosh. Dhe për çdo vonesë në tërheqjen e këtyre kredive, Qeveria paguan një tarifë zotimi, e cila për vitin 2017 arrin në 890 mijë euro. Do të thotë, edhe pse fondet kanë qenë në dispozicion, nga 295 milionë euro, vetëm pesë milionë euro janë tërhequr, kurse më shumë se 97 për qind e fondeve janë të pashfrytëzuara”, ka thënë Morina.

Pagesën e shumës prej 890 mijë euro e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Ministrisë së Financave. Në një përgjigjeje përmes postës elektronike, thuhet se “shuma 890 000 euro përfshinë shumat që janë paguar në emër të tarifës së zotimit për projektet që janë në realizim e sipër. Do të thotë, tarifa e zotimit shoqëron kreditë edhe kur ato implementohen sipas planit të disbursimit, deri kur disbursohet shuma e fundit e asaj kredie”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për “Radion Evropa e Lirë”.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Qeveria ka hyrë në borxhe kryesisht për financimin e projekteve rrugore, energjetike, rehabilitimin e linjave hekurudhore dhe përmirësim të sistemit të arsimit dhe shëndetësisë, projekte këto që kanë dështuar së realizuari.

Vonesat e tilla, thotë Morina, janë rezultat i një studimi të dobët të fizibilitetit të projekteve si dhe mangësitë në krijimin e parakushteve të nevojshme për eliminimin e të gjitha pengesave infrastrukturore dhe ligjore në realizimin e këtyre projekteve, për çka Qeveria duhet të ketë një mbikëqyrje të shtuar.
Vlera e përgjithshme e borxhit të Kosovës këtë vit ka arritur mbi një miliard euro, që është për 9.1 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, borxhi ndërkombëtar dhe i brendshëm i Kosovës ka një trend të rritje. Në vitin 2009 borxhi i përgjithshëm ishte 6.12 për qind e Bruto Produktit Vendor, ndërsa në vitin 2017 ka arritur mbi 16 për qind. Edhe ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë analiza dhe planifikime të hollësishme para se të fillojë procesi i marrjes së borxheve qoftë ndërkombëtar apo të brendshme.

Qeveria e Kosovës në Ligjin e Buxhetit në vazhdimësi sipas viteve planifikon projektet që ka për qëllim t’i realizojë përmes financimit nga huamarrja e jashtme.

“Auditori ka ardhur në përfundim se analizat e projekteve që planifikohen të financohen përmes huamarrjes nuk janë të mjaftueshme. Një numër i projekteve kapitale për të cilat Qeveria ka hyrë në marrëveshje ndërkombëtare kredie nuk janë realizuar fare. Si rezultat, kanë filluar të paguhen shpenzime të tarifave të tjera apo tarifa të zotimeve për mjete të pashfrytëzuara”, thuhet në raport, ndërkaq programet qeveritare ende janë në nivelin e ulët të realizimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kjo xhurulldi e krijuar nga ministri MBPZHR-së Rikallo, nuk është…