Shoqatat e luftës kërkojnë që shtatorja e Adem Jasharit të vendoset në Prishtinë

02 prill 2018 | 17:23

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së nuk po pajtohen që Sheshi “Adem Jashari” në kryeqytet të emërohet me këtë emër nëse në të nuk vendoset shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të largohet monumenti i vjetër i “Vëllazërim-Bashkimit”.

Ndërsa nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se për emrin e sheshit dhe vendosjen e shtatores do të vendoset në Kuvendin Komunal

Ditë më parë kanë nisur punimet për rregullimin e Sheshit “Adem Jashari” në Prishtinë, i cili gjendet në mes të ndërtesës së Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës.

Është evidente se ky shesh për vite të tëra është lënë pasdore dhe ndodhet në gjendje të keqe. Por, punimet e nisura nuk po i përkrahin organizatat e dala nga lufta.

Migjen Shala, udhëheqës i kësaj organizate dhe asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë për “Radio Kosovën” se nuk do të lejojnë të punohet pa u vendosur paraprakisht për emrin e sheshit dhe heqjen e simbolit të “Bashkim-Vëllazërimit”.

Shala ka theksuar se nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të kërkojnë që Sheshi “Adem Jashari” të zhvendoset diku tjetër.

“Nëse nuk ndërrohet ai monument, pra nuk i ndërrohet sheshit emri, atëherë Sheshi ‘Adem Jashari’ duhet të zhvendoset diku tjetër”, ka deklaruar Shala.

Ndërsa Adonis Tahiri, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka sqaruar se punimet do të vazhdojnë në shesh, ndërsa për emrin e tij do të vendoset në Kuvendin Komunal.

“Projekti ka të bëjë vetëm me nivelizimin e sheshit dhe vendosjen e pllakave dhe nuk ka të bëjë as me statujë e as me emër. Për emrin e gjëra të tjera do të vendosë Kuvendi Komunal. Ky projekt ka të bëjë vetëm me rregullim të sheshit”, ka thënë Tahiri.

Rregullimi i sheshit do të zgjasë 90 ditë, ndërsa investimet kapin shifrën rreth 312 mijë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Winnie Mandela, aktivistja e kampanjave kundër aparteidit ka ndërruar jetë…