Skënderbeu-Kukësi, sot luhet sfida e titullit

29 prill 2018 | 11:31

Luhen sot 3 ndeshjet e mbetura të javës së 31 të Kategorisë Superiore. Vëmendja më e madhe do të jetë në Korçë, ku do të luhet sfida mes Skënderbeut dhe Kukësit.

Skuadra korçare do të kërkojë që të marrë 3 pikët ndaj verilindorëve për të mbyllur përfundimisht llogaritë me çështjen e titullit kampion, 5 javë nga përfundimi i kampionatit, që do të jetë titulli i 8 në histori për këtë skuadër. Për më tepër, kjo sfidë do të luhet nga ana e korçarëve edhe me kujtimin e asaj që ndodhi vitin e kaluar, kur Kukësi u shpall kampion pikërisht pas ndeshjes me Skënderbeun, një sfidë që shkaktoi polemika të shumta, që kulmuan me gjestin e grisjes së kartonit të kuq të arbitrit nga Hamdi Salihi.

Nga ana e tij, Kukësi do të tentojë që të shtyjë festën e korçarëve për të paktën edhe 1 javë dhe kjo do të thotë se në orën 19:00 do të na presë një ndeshje e zjarrtë mes këtyre skuadrave, ku mund të ketë edhe ndërrimin e stafetës së titullit kampion.

Por, nuk janë vetëm Skënderbeu e Kukësi ato që do të zbresin në fushën e lojës. Në orën 16:00 do të luhen edhe dy ndeshje të tjera po kaq të rëndësishme sa ajo e Korçës: Vllaznia-Laçi e Teuta-Kamza. Në “Loro Boriçi” të Shkodrës, skuadra e Ernest Gjokës do të luajë ndaj kurbinasve një tjetër ndeshje delikate për të tentuar qëndrimin në Superiore, ndërkohë që Laçi e ka ende një shans për të arritur zonën evropiane pasi është në finale të Kupës së Shqipërisë. Në stadiumin “Niko Dovana”, Teuta do të presë Kamzën, ku do të kërkojë që të marrë një fitore që do të shkurtojë në 1 pikë diferencën me Kamzën, për ta vënë këtë të fundit në një presion akoma më të madh. (TCH)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot është duke i mbajtur gjysmë-maratona “Prishtina 2018”, ku po…