>

Viti 2017, vit jo i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarinë, Kosovën, Luginën, Ulqinin dhe Maqedoninë

31 dhjetor 09:36

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Shekulli i shqiptarëve, por jo edhe viti i shqiptarëve: Në fund të çdo viti në çdo vend të botës bëhen llogaritë e zhvillimeve gjatë atij viti, sikur që bëhet edhe bilanci financiar pas së cilave fitohet një pasqyrë reale e gjendjes financiare dhe politike. Vendet normale këtë llogaritje e kanë shndërruar në rutinë dhe pasqyrat u dalin ashtu si janë, kurse në vendet jonormale pasqyrat janë improvizime dhe përdoren si mjete për mbajtje të pushtetit përmes zhvatjes së shtetit. Po në cilat vende bën pjesë Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve (së fundi edhe i disa kosovarëve që kanë qenë rrogëtarë të Jugosllavisë dhe të Serbisë si dhe disa anarkistëve, të shndërruar në dhunues dhe milionerë socialistë)?! Të gjithë dëshirojmë që Shqipëria të bëhet Piemont i të gjithë shqiptarëve dhe, rrjedhimisht, edhe vend normal në mënyrë që të mos ketë nevojë të bëjë pasqyra të manipuluara të gjendjes ekonomike dhe politike. Në politikë dhe jetën e përditshme dëshira është përcaktuese për ta kaluar ditën, kurse bëhet pengesë në planin afatgjatë nëse mbështetemi në improvizime. Sidomos te vendet jonormale ku, për fat të keq, bën pjesë edhe Shqipëria.

Shqipëria e shpalli pavarësinë në Vlorë më 28 nëntor 1912, në një sipërfaqe prej 20 – 30 km katrorë, pasi që u ndoqën nga Durrësi ku menduan ta shpallin pavarësinë, nën kërcënim me jetë të bandave kaçake proturke. Sido që të jetë, u ngjiz një fryt i një shteti shqiptar që do të mund të ishte strehë e sigurt dhe e amshueshme e të gjithë shqiptarëve po të kishte kush ta mbronte dhe kush ta udhëhiqte këtë shtet.

Vetë Babanë e Pavarësisë e përzunë nga Shqipëria për ta eliminuar në një shtet tjetër kurse, pas kësaj kohe, Shqipërinë e “drejtuan” tre persona që më së shumti e dëmtuan; “mbreti” malok dhe pa asnjë pedigre mbretërore, Ahmet Zogu, që e shiti një pjesë të territorit shqiptar, i vrau ose i mbyti me uri të gjithë patriotët e vërtetë shqiptarë (aty ku i zuri), iku pas sulmit të Italisë fashiste pasi me vete e mori pasurinë e shqiptarëve që ua mori stolitë dhe arin në këmbim të parave pa vlerë si dhe mbajti pushtetin me ndihmën e gardistëve të bardhë të Rusisë cariste dhe xhandarëve të Nikolla Pashiqit. “Mbreti” Zog i bëri do punë të mira duke e reformuar administratën dhe duke ndërtuar disa rrugë dhe hekurudha, për interes dhe nevoja të italianëve.

Enver Hoxha e vazhdoi sundimin pas përfundimit të luftës së dytë botërore duke u bërë vazal i Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik për ta vazhduar pastaj “miqësinë” e përjetshme me Republikën e Kinës. Realisht, ai u lidh dhe u bë i varur nga armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik për t’u lidhur pastaj me Kinën në vend se të drejtohej kah perëndimi, përkatësisht kah Gjermania, kur e kishte rastin, por se u përcaktua për ushqimin vegjetarian (barin) dhe kjo i hapi rrugë pastaj Polonisë. Enver Hoxha i vrau apo arrestoi të gjithë ata që e donin Shqipërinë dhe në këtë kontekst i vrau apo arrestoi 60 deri 70 % të arsye që e nënshkruan apo e përkrahën Deklaratën e Pavarësisë të vitit 1912.

Gjatë sundimit mbi 40-vjeçar, vrau dhe burgosi shqiptarë më shumë se që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Analfabetët partiakë i bëri prokurorë, hetues, gjykatës, gjeneralë, udhëheqës uzinash, diplomatë, ambasadorë etj. Mjerimin e bëri mënyrë të mbijetesës në Shqipëri, kurse shqiptarin e zhveshi nga çdo vlerë njerëzore, kombëtare, morale, në emër të internacionalizmit proletar i cili, në Shqipëri, në rrethana normale, do ta gjente strehën e fundit. E luftoi nacionalizmin në vend se ta forconte sikur që, nën ndikimin e Revolucionit Kulturor Kinez, me masa të dhunshme e ndaloi besimin fetar, gjë që nuk e bëri askush në botë. E mbylli hermetikisht Shqipërinë e që në plasaritjen e parë të këtij sistemi, shumë shqiptarë ua mësynë vendeve perëndimore. Pikërisht këta shqiptarë e zhvilluan Shqipërinë. Kush e ka vizituar Shqipërinë para viteve të ’90-ta e që në të njëjtën kohë i ka vizituar edhe shtetet perëndimore, përmes krahasimeve ka ardhur në përfundim se as në imagjinatën më të shëmtuar nuk do ta dëshironin Shqipërinë e tillë, sidomos ata që e duan sikur që as në imagjinatën më të dëshiruar nuk do ta bënin këtë Shqipëri armiqtë më të mëdhenj të saj. Italinë e ka ndërtuar mafia sikur edhe disa shtete evropiane. Mafia ka pasur ndikim edhe në zhvillimin e Amerikës sikur edhe në rezultatet e Luftës së Dytë Botërore.

Në këto shtete asnjëherë mafia nuk ka qenë mbi shtetin dhe ajo ka qenë e kontrolluar nga shteti dhe në shërbim të shtetit. Personi i tretë që jashtëzakonisht shumë e ka dëmtuar Shqipërinë është Sali Berisha, një “demokrat” i dalë nga brekushet e Enverit. Gjatë sundimit 27-vjeçar të Sali Berishës, Shqipëria u zhvillua më shumë se të gjitha shtetet e rajonit, kryesisht me para të pista dhe para të krimit. Shteti, në vend se ta zhvendosë mafien nga pushteti real që e kishte, u bë vetë mafia, shtet i mafiozëve politikë. Skemat piramidale, trafikimi me narkotikë dhe qenie njerëzore, korrupsioni dhe nepotizmi u bënë shenjë identifikuese e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke e identifikuar politikën shqiptare me Cosa Nostran dhe familjet e tjera mafioze.

Politikanët e Shqipërisë u bënë latifundistë duke e ndarë Shqipërinë në zona që sundohen nga klanet Berisha, Nano, Meta, Topalli etj. E të gjithë këta ishin bartës të pushtetit, pas vdekjes së Enver Hoxhës. Për këtë arsye Shqipëria nuk arriti të stabilizohej asnjëherë sepse interesat shtetërore mundeshin nga interesat e politikanëve të korruptuar. Po këta i zgjatën pipëzat e krimit edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës duke krijuar politika klanore dhe duke dëmtuar pariparueshëm interesat e shqiptarëve në këto vende. Kjo trashëgimi e interesave personale përballë atyre shtetërore edhe sot e mbajnë Shqipërinë në kthetra të politikës kriminale.

Shiheni se si sillen sot deputetët në Kuvendin e Shqipërisë. Si kanibalë të vërtetë, në mungesë të armëve duan ta shqyejnë njëri-tjetrin me dhëmbë të shtrenjtë porcelani, me para të korrupsionit! Shiheni si e kundërshtojnë Vettingun pikërisht ata që janë këmbë e kokë në krim. Shiheni Sali Berishën se si u turret gardistëve të Kuvendit. Po të kishte vepruar kështu Sali Berisha në luftën e fundit në Kosovë, sigurisht se do të përmendej si Adem Jashari. Sali Berisha e quan Edi Ramën si Noriega i Evropës, ndërkohë që vetë ka qenë Eskobari i Evropës. Ai e akuzon Ramën për tradhti ndaj amerikanëve për shkak se e kundërshtoi vendimin e Trampit që të njihet Jerusalemi si kryeqytet i Izraelit (besoj se Rama ka bërë mirë), kurse vetë Sali Berisha në kohën kur serbët e përgjakën Kosovën theu embargon që bota ia kishte vënë Serbisë duke e furnizuar ushtrinë serbe dhe malaziase me karburante për avionët, tanket dhe blindat e kësaj ushtrie kriminale që vranë mbi 12 000 qytetarë të Kosovës.

Sali Berisha e di fort mirë që ka gjasa të shkëlqyera të përfundojë në burg, me anëtarë të familjes dhe dhëndurë, zyrtarë dhe jozyrtarë, prandaj po lufton me dhëmbë dhe me thonj kundër drejtësisë. Kjo është Shqipëria e sotme e cila, jo se nuk është shndërruar në Piemont të shqiptarisë dhe të gjithë shqiptarëve, por në Piemont të kanabisit, heroinës, kokainës, trafikimit të qenieve njerëzore, prostitucionit, pastrimit të parave dhe vrasësve me pagesë. Për këtë arsye shqiptarët që nuk jetojnë në Shqipëri nuk mund të stabilizohen dhe të ecin para.

Në Shqipëri duhet të ndërrohet klasa kriminale politike, të bëhen reforma të thella në arsim, ekonomi, shëndetësi, sidomos në sistemin e drejtësisë në mënyrë që të ndryshojë vetëdija e deformuar dhe e ashtëzuar për dekada me radhë. Shqipëria duhet t’u kthehet Fishtës, Lasgushit, Nolit, Konicës dhe gjeneratës së re që e përdorë trurin për Shqipërinë, shqiptarët, pastaj për veten dhe njerëzimin, nëse mendon të bëhet anëtare e ndershme e familjes botërore. Shqipëria ka tru, por nuk ka hapësirë për shfrytëzim të këtij truri. Nuk i lejohet kjo hapësirë nga politikanët kriminelë dhe të korruptuar të Shqipërisë, opozitë dhe pozitë. Shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës nuk mund të kenë zhvillim normal me një Shqipëri të tillë. E mos të flasim për përkrahje dhe mbrojtje eventuale.

Kosova si kubëz e mozaikut shqiptar: Kosova ishte nën okupimin serbosllav për më tepër se 100 vjet dhe Shqipëria, që me Kushtetutë e ka të detyruar ta bashkojë me Shqipërinë, nuk bëri asgjë, madje kontribuoi në stërzgjatjen e kësaj robërie. Kundërshtimi i shqiptarëve kundër okupimit serbosllav zgjati aq kohë sa ishte edhe e robëruar, herë me sukses, herë më me pak sukses. Shqiptarët e Shqipërisë, me gjeneralin Shefqet Peçi, me Fadil Hoxhën, Ali Shukriun dhe vasalët e tjerë në shërbim të Jugosllavisë, e shtypën me gjak dhe shumë viktima kryengritjen e Drenicës, me Shaban Polluzhën dhe Mehmet Gradicën, e detyruan që në Prizren ta nënshkruajnë qëndrimin e Kosovës në Serbi dhe Jugosllavi, pas së cilës nisi arrestimi dhe vrasja e të gjithë atdhetarëve shqiptarë që e kundërshtonin okupimin e Kosovës nga Jugosllavia. Goli Otoku dhe burgjet e tjera të Jugosllavisë ishin të mbushura me shqiptarë që nga viti 1945 e deri te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata që e donin lirinë dhe bashkimin kombëtar ishin në burgje apo të margjinalizuar, kurse ata që u shërbenin okupatorëve ishin në pozita “shtetërore”, hetues, prokurorë, gjykatës, ambasadorë, profesorë universitetesh, akademikë, bartës të posteve të larta ushtarake dhe policore etj. Këta shqipfolës dhe serbofilë e krijuan mendësinë serbe dhe jugosllave dhe tërë jetën e tyre ua kushtuan luftës kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Lufta e lavdishme e së Lavdishmes, Ushtri Çlirimtare e Kosovës, me gjeneralin politik Bacë Adem Demaçin dhe të Pavdekshmin Adem Jasharin, i solli liri Kosovës, por jo edhe përmbushje të qëllimit, bashkim kombëtar dhe bashkim me Shqipërinë.

Pa asnjë dyshim, historia më e re e shqiptarëve nuk mund të shkruhej pa dy Adema, Demaçin dhe Jasharin. Dhe pa luftën, vetëmohimin dhe sakrificën e ushtarëve të UÇK-së të cilët luftonin kundër një armiku shumë të fortë siç ishte ajo e Jugosllavisë e ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës që bënë përpjekje ta sabotojnë luftën, madje duke e formuar edhe një formacion ushtarak të paqenë. Shumë eprorë të kësaj ushtrie fantome ishin në shërbim të ish-Armatës Jugosllave duke marrë pjesë në vrasjen e më shumë se 150 ushtarëve shqiptarë dhe duke kurdisur procese të montuara politike ndaj qindra ushtarëve shqiptarë që u dënuan me dënime drakonike, deri më 20 vjet burg.

Disa prej këtyre eprorëve renegatë, kolonelë dhe kapitenë u nderuan me dekorata më të larta shtetërore të Kosovës, u bënë sekretarë të ministrive, militantë kryesisht të LDK-së, por edhe të PDK-së, e mos të flasim për postet që i morën bijtë dhe bijat e tyre biologjikë, kurse fëmijët e atyre që e bënë sakrificën mbetën të papunë. Mbeturinat titiste, rankoviqiste, rrahmanmoriniste, hoxhiste, alishukriste, mehmetmaliqiste i faktorizuan bashkëvuajtësit dhe bashkëveprimtarët tanë, tash të veshur me pushtet dhe me logjikën e gllabërimit të çdo gjëje që u bie në duar apo dhëmbë. Ka shumë pak përjashtime në këtë drejtim të refuzimit të tundimit për t’u bërë gllabërues dhe dhunues të sakrificës dhe gjakut të derdhur për liri.

Këto bërllogje njerëzore titiste më mirë po kalojnë në kohën e sundimit të Hashim Thaçit se në kohën e kriminelit Tito. Merreni me mend, kur është dashur të dekorohet i Madhërishmi Fehmi Lladrovci apo Hasan Prishtina i UÇK-së, mbeturinat titiste dhe jugosllave e kanë kushtëzuar që kjo të bëhet në pako me një oficer të KOS-it (Shërbimi Kundërzbulues i Ushtrisë Jugosllave), emri i të cilit është në shumë aktgjykime të shqiptarëve të dënuar në procese të montuara politike në Armatën Jugosllave.

Hajdutët e politikës e kanë pranuar këtë kushtëzim. Mohuesit e luftës për liri thonë se pavarësinë e Kosovës e bënë ndërkombëtarët në ndërkohë që vetë ndërkombëtarët deklarojnë se intervenimi ushtarak ishte i karakterit humanitar dhe jo për ta bërë Kosovën shtet. Për këtë arsye shqiptarët në Rambuje u detyruan t’i ulin brekët, në Kumanovë ishte marrëveshje midis ndërkombëtarëve dhe Serbisë, kurse shqiptarët nuk i pyeti kush. Ushtria, policia dhe paramilitarët e Serbisë u tërhoqën nga Kosova me tërë armatimin, duke kënduar, duke plaçkitur dhe duke vrarë shqiptarë si rezultat i Kumanovës.

Pas një jave të nënshkrimit të Kumanovës, të njëjtit gjeneralë, ndërkombëtarë dhe serbë, u bënë tapë me raki shlivovicë në Merdare, kurse UÇK-ja “demitilarizohej” nga pushkallat, duke u dhënë lopata dhe kazma, në ndërkohë që Serbia ishte e pranishme në tërë Kosovën, me të gjitha strukturat (policore, ushtarake, paramilitare, të zbulimit dhe kundërzbulimit dhe me spiunët shqiptarë në politikë, medie dhe shoqëri civile) duke krijuar struktura paralele. Ndërkombëtarëve nuk u pengonte kjo prani, por u pengonte çdo gjë që kishte të bënte me UÇK-në. Për fat të keq, një pjesë e atyre që ishin pjesë e luftës u shndërruan në plaçkitës dhe hajna duke e instaluar hajninë si model të qeverisjes dhe shtetndërtimit.

Pas luftës, në Kosovë ishte kaos apo anarki e organizuar ku pati vrasje për të plaçkitur prona e jo se ishte ndonjë hakmarrje për krimet serbe. Ata që pësuan më së shumti, e pësuan edhe pas lufte, kurse horrat përfituan dhe po përfitojnë në emër të tyre. Kështu veproi një pjesë e krahut të luftës dhe një pjesë e krahut të paqes apo nostalgjikët jugosllavë, besnikë të Titos dhe të Millosheviqit. Në sistemin e drejtësisë u instaluan ata që dikur na hetonin, torturonin, dënonin dhe vrisnin për shkak të bindjeve dhe aktiviteteve politike.

Ma gjeni dikë nga ata që kanë pasur të kaluar antikombëtare e që e kanë pësuar apo nuk janë sistemuar në institucionet e reja të Kosovës. Apo, ma gjeni ndonjë bir apo bijë të bashkëpunëtorëve të Jugosllavisë dhe Serbisë i cili ka mbetur i parehatuar apo i cili ka punuar për një rrogë nga buxheti i Kosovës! Profesorët që kanë edukuar mijëra e mijëra studentë shqiptarë në frymën e socializmit vetëqeverisës jugosllav, në atë kohë kanë marrë nga një pagë, në kohën e Hashim Thaçit dhe Him Govës i kanë marrë nga shtatë (7) paga. Ata që e bënë sakrificën duke vuajtur dënime të gjata burgu për aktivitete patriotike dhe të cilët e bënë edhe luftën, nuk patën kohë dhe mundësi të shkollohen, por u pajisën me tituj të pavlerë doktorë shkencash, pas përfundimit të luftës, kurse ata që bënin aktivitet antikombëtar dhe e sabotuan luftën u shkolluan sipas modelit jugosllav dhe u përgatitën për kohën pas përfundimit të luftës që e shfrytëzuan për mrekulli në saje të injorancës së një pjese të krahut të luftës, me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe të Serbisë, duke u futur në çdo pore të jetës dhe në të gjitha strukturat.

E tëra që është e shkruar është histori e së kaluarës apo shkaku pse jemi në këtë gjendje, kurse prania 100 % e Serbisë në Kosovë, ndarja e brendshme e Kosovës, korrupsioni dhe nepotizmi galopant, ndryshku moral, politik, njerëzor dhe kombëtar, gjendja në veri, demarkacioni, asociacioni, analfabetizmi në arsim, kanceri gjithëpërfshirës në shëndetësi, gladiatorizmi dhe kanibalizmi në politikë, dhunimi në drejtësi, mbyllja e brendshme dhe liberalizimi për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit, mohimi i sakrificës, vlerave të luftës, heronjve të popullit dhe përmendoreve të qëndresës dhe luftës për liri të shqiptarëve dhe bashkimit me Shqipërinë siç janë Bacë Adem Demaçi dhe Legjendari Adem Jashari janë pasojat me të cilat po merremi dhe do të merren gjeneratat e ardhshme.

Për të përfunduar me një Gjykatë raciste që qenka formuar me ligje të Kosovës (e besueshme për leshkot e dhënë pas parave dhe pozitave) e quajtur Dhomat e Specializuara apo Gjykata Speciale. Këta që e pranojnë këtë gjykatë që kujdeset vetëm për viktimat në baza etnike apo politike e që janë mbetje të jugosllavizmit të struktura në parti politike, medie dhe shoqëri klienteliste civile, e harrojnë faktin se nuk ka vullnet të sigurohet drejtësi për të gjitha viktimat dhe përgjegjësi për të gjithë kriminelët, por se qëllimi është të krijohet një strukturë e re politike e përshtatshme që do ta krijojë një narracion të përbashkët ku UÇK-ja do të portretizohet si organizatë kriminale.

Nuk e kanë të qartë se, edhe pas 500 vjetëve apo miliona vjetëve studentët e drejtësisë në gjithë botën do të mësojnë se në Kosovë, (leshin në Kosovë!), por në Hagë është formuar një Gjykatë Speciale që t’i dënojë krimet e shqiptarëve dhe të UÇK-së kundër serbëve të” viktimizuar”, ndërkohë që Serbia ka vrarë 12 000 shqiptarë dhe ka bërë gjenocid. Nuk ka fare rëndësi nëse në Hagë do të dërgohen apo edhe të dënohen Hashimi, Rasimi, Tasimi, Tahsini, Rrahimi dhe X të tjerë sa është me rëndësi dëmi i pariparueshëm që i bëhet Kosovës dhe shqiptarëve.

Në fund të fundit, çdokush që ka bërë krime duke shkelur zakonet e luftës duhet të dënohet, por pse të bëhet ndarje në baza etnike?! E patë reagimin e ndërkombëtarëve kur u aktivizuan 43 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e kësaj Gjykate që qenka themeluar me ligje të Kosovës dhe se qenka pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës!? Pse aq shumë kërcënime dhe zhurmë nëse një vend i pavarur dhe sovran vendos ta ndryshojë një ligj që e ka miratuar vetë?! A ndodh kështu në ndonjë vend tjetër të botës.

Kurrë dhe asnjëherë. Pse nuk kanë reaguar kur Serbia ka miratuar ligje që madhërojnë ata që kanë kryer krime në hapësirat e ish-Jugosllavisë? Fjalori dhe kërcënimet që i kanë bërë të huajt në Kosovë atë mbrëmje janë më të ashpra sesa që i bëhen Koresë Veriore që e rrezikon tërë botën. I keni parë këta pleshtat tanë kujdestarë, në parti, media dhe shoqëri klienteliste civile që duan të përfitojnë në çdo rast, politikisht dhe materialisht. Aspekti procedural për plotësimin apo ndryshimin e ligjit në këtë rast ka qenë krejtësisht në rregull përveç faktit se këta që e kanë ndërmarrë këtë veprim e kanë përdorë si blof apo mashtrim e jo se janë për drejtësi.

Në jetë vlen rregulli se nga ajo që më së shumti ke frikë, ajo do të gjejë. Këta që po kanë aq shumë frikë nga kjo Gjykatë dhe që po dhihen në brekë ‘Armani’ ende pa shkuar atje nuk do të shpëtojnë. Vetëm do të zhyten dhe do të koriten. Nëse doni shembull konkret se nga ndërkombëtarët kurrë nuk do ta fitoni pandëshkueshmërinë në bazë të premtimeve gojore kujtojeni rastin Millosheviq dhe Karaxhiq. Që të dy përfunduan në Hagë, ndonëse kishin premtime për mosndjekje penale. Nuk duhet gjithmonë të pësojmë për të nxjerrë mësime.

Shqiptarët e Maqedonisë, rrogëtarë të përhershëm: Klasa politike shqiptare në Maqedoni e strukturuar, kryesisht sipas skemave kriminale, asnjëherë nuk u pavarësua, por mbeti rrogëtare e shovinizmit maqedonas, dje e Gruevskit, sot e Zaevit, nesër e Pançevit, pasnesër e Kurcovit dhe kështu me radhë…
Lugina e Preshevës, arenë e gladiatorëve të vegjël: Sa më shumë po zvogëlohet numri i shqiptarëve në Luginë aq më e madhe po rritet armiqësia midis tyre. Derisa të mos mbesë as edhe një lagje e vetme…

Mali i Zi dhe të drejtat e shqiptarëve: Shqiptarët ishin përcaktues në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi dhe shteti i Njegoshit po ua njeh të gjitha drejtat kombëtare, nga ajo se a flenë pa të brendshme Gjyste Vulaj, a i ka më të mëdha Afërdita apo Jehona Dreshaj, deri te se si bën dashuri Emine Çunmulaj. Të gjitha këto janë shqiptare dhe janë nga Mali i Zi. Fati i Kosovës është si fati i ujit. Uji në burim është i pastër si loti, gjatë rrugëtimit ndotet dhe bëhet i papërdorshëm kurse, pas përpunimit në fabrikën e ujit, bëhet i pastër si loti dhe i përdorshëm. Lufta e shqiptarëve në Kosovë ishte e pastër si loti dhe kishte qëllim fisnik, pastaj disa kodoshë e ndotën luftën, por gjatë procesit të pastrimit përmes gjykatave dhe të Zotit do të jetë një ardhmëri atdhetare ku nuk do të kemi vend shumë prej nesh. Kosovën e krasiti Maqedonia, po e krasit Mali i Zi, Gjuriqi po kërkon 58 % të territorit (sa të merr është në fitim) dhe pas, më së largu 20 vjet, mbetjet e Kosovës do të bashkohen me Shqipërinë. Nuk ka rrugë dhe mundësi tjetër. Jetoni për atë ditë dhe gëzuar Viti i Ri 2018, viti i persekutimit të shqiptarëve dhe përpjekjeve për eliminimin e historisë së shkruar nga UÇK-ja. E që nuk do të ketë sukses!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka…