Vuçiq thotë se më mirë të bisedojë me Thaçin se sa të shkrepet qoftë edhe një plumb

20 janar 2018 | 17:16

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një konferencë për gazetarë pas takimit që e pati në objektin e Fakultetit Teknik në veri të Kosovës, ka thënë se më mirë është të bisedohet sesa të përdoren armët.

“Më mirë që unë të bisedoj me Thaçin, nuk e di kush bisedon me Haradinajn, sesa vetëm një plumb të shkrepet kudoqoftë”, ka thënë Vuçiq.

Ai u kërkoi serbëve në veri që të lejojnë që gjërat të zgjidhen politikisht dhe me bisedime.

“Ju lutem na lejoni, edhe pse e di që nuk e doni këtë, na lejoni që të mos përdorim kurrfarë armësh, të provojmë që gjërat t’i zgjidhim politikisht dhe me bisedime”, ka thënë Vuçiq.

Ai u kërkoi serbëve të veriut që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

“Nuk keni shtëpi tjetër përveç kësaj dhe ne duam që ju të mos e lëshoni atë asnjëherë. Kjo është në interes të Serbisë. Ju lutem qëndroni këtu dhe mos u frikësoni”, ka thënë Vuçiq, teksa tregoi se punë e tij është që të bisedojë.

Vuçiq më tutje kërkoi edhe një herë që Serbia të përfshihet në hetimet për vrasjen e Ivanoviqit.

“Dëshiroj jo vetëm që të shkëmbejmë informacionet, por edhe të marrim pjesë në hetim. Më vjen keq që deri tash nuk e kanë pranuar bashkëpunimin në këtë mënyrë. Zgjidhja e këtij krimi është thelbësore për largimin e shqetësimit dhe do të thoja edhe frikës së njerëzve dhe një shikim tjetër drejt së ardhmes”, deklaroi Vuçiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim ku u…