
Trajneri i Moldavisë: Kosova ekip shumë i mirë, do të japim maksimumin që ta ndalim
Trajneri i Moldavisë, Engin Firat, ka deklaruar se ndeshja ndaj Kosovës do të jetë shumë e vështirë, pasi Kosova ka një skuadër shumë kualitative.
Në një konferencë për media, para ndeshjes së nesërme të Ligës C kundër Kosovës në “Fadil Vokrri”, strategu i kombëtares moldave ka vlerësuar lart kundërshtarin, por tha se do të mundohen që të nxjerrin një rezultat pozitiv.
“Nesër është ndeshja e fundit në vit, shumë e vështirë për ne. Kosova është ekip shumë i mirë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta ndalur Vedatin dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për një rezultat pozitiv”.
Më tutje, trajneri i Moldavisë deklaroi se Kosova me potencialin që ka mund të garonte edhe në Ligën B.
“Unë e kuptoj që edhe ne kemi vuajtur shumë nga COVID-19 dhe të njëjtën situatë e ka pasur edhe Kosova. Nga potenciali që e ka Kosova mund të themi që e ka një të ardhme shumë të ndritur dhe besoj se mund të arrijë më të mirën e mundshme. Kosova është dashur dhe mund të garonte në Grupin B për shkak të potencialit që ka për të ardhmen”.
Kosova ka pësuar humbje në ndeshjen e kaluar të grupit nga Sllovenia si mysafirë në minutat e fundit, duke bërë kështu që sfida e nesërme ndaj Moldavisë të jetë vendimtare për të qëndruar edhe më tutje në grup./KP