1 milion euro për deponitë ilegale, Kurti prezanton paketën e emergjencës për menaxhimin e mbeturinave
Me një buxhet prej 1 milion eurosh, Qeveria e Kosovës ka nisur një paketë emergjente për menaxhimin e mbeturinave dhe largimin e deponive ilegale në të gjithë vendin, ka bërë me dije të mërkurën në një konferencë për medie kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka theksuar se kjo nismë synon përmirësimin e gjendjes në një sektor që, sipas tij, mbetet ndër më problematikët në sistemin institucional të vendit.
“Buxheti 1 milion euro, parashihet largimi i 500 deponi ilegale të mbeturinave, në anën tjetër rritja e numrit të të punësuarve dhe rritja e kapaciteteve me theks te pajisjet te kompanitë publike që merren me menaxhimin e mbeturinave por edhe mirëmbajtjen e hapësirave publike të gjelbra”, është shprehur ai.
Ai ka njoftuar shpalljen e një pakete emergjente për këtë fushë, e cila synon pastrimin e deponive ilegale dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
“Sot jemi këtu për të shpallur një paketë të emergjencës në fushën e mbeturinave, aksionin kundër mbeturinave. Ky aksion ka për qëllim të arrij dy efekte: të intervenojë në vendet ku hedhja ilegale e mbeturinave rrezikon ambientin dhe shëndetin, por edhe të shtrojë një rrugë të re ku qeveria nuk rri më duarkryq, por është prijëse e organizimit”, ka deklaruar Kurti.
Kurti, ka deklaruar se sektori i menaxhimit të mbeturinave përbën një nga pikat më të ndjeshme të sistemit institucional në vend dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar.
“Sektori i mbeturinave mund të konsiderohet pika më neuragjike e tërë sistemit institucional në vendin tonë. Mbledhja e trajtimi i mbeturinave kërkon harmoni dhe ekuilibër shoqëror e institucional, gjë që nuk është lehtë e arritshme,” ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, aktualisht vendi përballet me mangësi serioze në këtë sektor, sidomos në zonat jashtë vendbanimeve.
“Prandaj sot kemi një situatë me mangësi serioze në menaxhimin e mbeturinave, dhe kësisoj mendojmë se ky sektor duhet të jetë prioritet i qeverisë,” është shprehur ai.
Kurti ka bërë me dije se është përgatitur projektligji për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa ka paralajmëruar edhe masa të reja emergjente.
Ai ka thënë se për realizimin e aksionit janë paraparë marrëveshje me kompanitë rajonale të mbeturinave dhe ndërmarrjet publike, disa prej të cilave tashmë janë nënshkruar.
“Që aksioni të rezultojë i suksesshëm janë paraparë 5 marrëveshje me kompanitë rajonale të mbeturinave dhe kompanitë e tjera publike disa prej të cilave janë nënshkruar”, ka theksuar ai, duke shtuar se aksioni synon gjithashtu rritjen e përgjegjësisë për ndotjen në territor.
“Aksioni kundër mbeturinave, paketa ka për qëllim edhe vendosjen e përgjegjësisë për ndotjen”, ka deklaruar Kurti.
Ndërsa ministrja në detyrë e Ministrisë së Ambientit, Fitore Pacolli, ka thënë se kjo pako është më e madhja për largimin e deponive.
“Janë nënshkruar marrëveshje me kompanitë rajonale në Kosovë. Ne po synojmë largimin e rreth 500 deponive të mbeturinave në mbarë Kosovën. Nuk do të ketë tolerancë për dëmtuesit e natyrës. Çdo ndotës do të përballet me forcën e ligjit”, ka thënë Pacolli.



