11 marsi i vitit ‘81, pararendësi i lirisë së Kosovës

11 mars 2022 | 19:45

Lulëzim ETEMAJ

Demonstratat e 11 marsit ‘81, të pasuara nga ato të 26 Marsit, 1 dhe 2 Prillit, paraqesin një etapë më vete dhe krejt të veçantë në historinë më të re shqiptare, si për nga numri i pjesëmarrësve në to, ashtu dhe për nga kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për të drejta dhe liri njerëzore, politike, sociale dhe kombëtare të cilat duhej të realizoheshin përmes ngritjes së statusit të Kosovës në Republikë.

Kosova Republikë, krahas kërkesave tjera, ishte njëkohësisht parulla dhe kërkesa kryesore e këtyre demonstratave të nisura në Prishtinë nga studentët e Univeristetit të Prishtinës e të përkrahura fuqishëm më pastaj nga rinia shkollore, punëtorët dhe inteligjencia shqiptare e Kosovës.

11 Marsi i vitit ‘81 shënon kthesën vendimtare të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Përkundër dënimit të kërkesës “Kosova Republikë”, shtypjes së dhunshme me polici e ushtri nga shteti jugosllav si dhe ndjekjes e burgosjeve të shumta që pasuan, Lëvizja Kombëtare Çlirimtare as nuk u shua dhe as nuk u ndal, por e vazhdoj edhe më fuqishëm rritjen dhe strukturimin, për të arritur majat me themelimin e UÇK-së.

Ajo, përmes luftës çlirimtare në përmasa gjithëkombëtare, e pasuar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-së, e çliroi Kosovën dhe i krijoi parakushtet e domosdoshme që Republika e Kosovës të bëhej realitet i njohur ndërkombëtar përmes shpalljes së saj nga Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt 2008.

Duke i vlerësuar e çmuar meritueshëm demonstratat e Mars-Prillit të vitit 1981, institucionet politike shtetërore, qytetarët dhe institucionet shkencore, nderojnë njëkohësisht përpjekjet e parreshtura kombëtare dhe sakrificat e shumta të bëra nga breza të tërë shqiptarësh në shërbim të lirisë, pavarësisë së Kosovës dhe bashkimit kombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Agron Gërguri Përkitazi me dramën “Katër epoletat” të autorit…