Njihuni me Kfor Gashin, shqiptarin që lindi vetëm pak ditë para hyrjes së NATO-s në Kosovë

27 tetor 2026 | 09:35

Nuk është ushtarak, por mban emrin e një prej misioneve ndërkombëtare më të njohura në Kosovë. Kfor Gashi ka lindur më 8 qershor 1999, vetëm katër ditë para se trupat e KFOR-it të hynin në Kosovë më 12 qershor 1999. Sot ai është 27 vjeç. Historia e emrit të tij është po aq e veçantë sa vetë emri.

Në një rrëfim të dhënë më herët Gashi kishte treguar se kishte lindur gjatë luftës, ndërsa disa ditë më vonë familja po ndiqte lajmet për hyrjen e trupave të KFOR-it në Kosovë.

Sipas tij, familjarët kishin parë ushtarët e KFOR-it dhe helikopterët në televizion, kur njëri prej tyre propozoi që foshnjës t’i vendosej pikërisht emri KFOR.

“Unë kam lindur në Kosovë në kohën e luftës, disa ditë para se të hyjë në Kosovë KFOR-i. Në momentin e hyrjes familja ka qenë duke i shikuar lajmet. Aty i kanë parë ushtarët e KFOR-it me helikopterë dhe daja i babës ka thënë: po ia lëmë emrin KFOR”, kishte rrëfyer ai.

Nga Kosova në Gjermani
Kfor Gashi ka jetuar në Kosovë deri rreth moshës dy vjeç e gjysmë.

Më pas, familja e tij është zhvendosur në Gjermani, ku ai ka vazhduar jetën pranë familjes në zonën e Eggenfeldenit, afër Mynihut.

Emri i tij vazhdon të tërheqë vëmendjen sa herë që prezantohet para njerëzve që nuk e kanë dëgjuar më parë.

Ai kishte treguar se reagimi më i zakonshëm është habia.

“Kur u tregoj se si e kam emrin, të gjithë ndalen dhe më pyesin: ‘Wow, çfarë emri interesant. Kush ta ka lënë emrin? E kujt ishte ideja?’”, kishte treguar Gashi.

Sipas tij, në Gjermani jo të gjithë e njohin menjëherë domethënien e emrit, ndërsa ata që kanë njohuri për historinë e Kosovës dhe misionin e NATO-s e kuptojnë më shpejt lidhjen.

Një emër i lidhur drejtpërdrejt me historinë e Kosovës
Trupat e KFOR-it hynë në Kosovë më 12 qershor 1999, pas përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave jugosllave.

Fushata e bombardimeve kishte nisur më 24 mars 1999 dhe zgjati 78 ditë.

Pikërisht në ato ditë historike lindi Kfor Gashi, emri i të cilit mbeti si një kujtim personal i një prej momenteve më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Bruce Blakeman, kandidat për Guvernator të New York-ut dhe bashkëpunëtor…