11 vjet nga marrëveshja e Brukselit, Kurti: S’mund të flitet për Asociacionin pa e pranuar Serbia marrëveshjen baziken dhe aneksin

19 prill 2024 | 11:24

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se sot janë bërë 11 vjet nga marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013 në mes të  Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Kurti ka thënë se marrëveshja ka 15 nene, ku gjashtë nenet e para merren me “Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ndërsa nenet tjera merren me integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, energjinë dhe pajtimin që të mos pengohet rrugëtimi i njëri-tjetrit drejt integrimit në BE.

“Zbatimi i neneve për Asociacionin u përcoll me një marrëveshje tjetër të parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore që u pat arritur dy vjet më vonë, më 25 gusht të vitit 2015, nga kryeministrat e asaj kohe Mustafa dhe Vuçiq”.

“Kjo e fundit përfundoi në Gjykatë Kushtetuese në dhjetor të atij viti. Doemos, pasi që marrëveshja e vitit 2015 buronte nga ajo e vitit 2013, gjykata u mor me të dyja. Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj tha se kompetencat e parapara për ‘Asociacionin’ sipas të dy marrëveshjeve, shkelnin parimet e kushtetutës, karakterin multietnik të shtetit dhe cenonin rëndë rendin juridik”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka thënë se pas vendimit të Kushtetueses ku Asociacioni me fushëveprimin dhe kompetencat e parapara shkelte rëndë Kushtetutën, marrëveshja u shkel nga Serbia në nenet tjera të saj.

“Serbia asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi. Para 11 vjetëve u arrit një marrëveshje e cila, në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia”.

“Vitin e kaluar kemi arritur një Marrëveshje të Re Bazike e cila, në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’”, ka shkruar Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se nuk mund të flitet e diskutohet vetëm për Asociacionin, pa e pranuar dhe respektuar marrëveshjen bazike, aneksin e zbatimit, pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimit në Bruksel, e pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia, kurse vazhdimi i saj Mustafa-Thaçi është rrëzuar në Kushtetuese.

“Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
25 vjet nga rënia e dëshmorit Hysni Sylë Temaj Hysni…