
12 qershori 1999 dhe 12 qershori i vitit 2025
Imer Xhemail Lladrovci
Me 12 qershor 1999 hynë trupat e shteteve të NATO-së në Kosovë dhe aty gjetën dy ushtri që e kishin luftuar gjithë kohën njëra-tjetrën: Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrinë e Jugosllavisë. Në këtë luftë që drejtohej kundër Ushtrisë së Jugosllavisë, UÇK-ja dhe NATO-ja objektivisht ishin në marrëdhënie aleance. Derisa në ajër ishin aeroplanët e NATO-së, në tokë e vetmja ushtri që i luftonte serbët ishte UÇK-ja. Këtë fakt, strategët ushtarakë të NATO-së e vlerësonin jashtëzakonisht shumë. Tre ditë para se trupat e NATO-së të hynin në Kosovë, me 9 qershor 1999, qe nënshkruar marrëveshja për ndalimin e bombardimeve: Marrëveshja e Kumanovës. Me këtë marrëveshje Beogradi përfundimisht e pranon epërsinë ushtarake të NATO-së, duke i dhënë formë juridike sipas të drejtës ndërkombëtare një fakti e bindje politike: Jugosllavia ishte vendi me armatimin më modern në rajon, armatim ky që tanimë nuk ekzistonte. Në këtë kohë Serbia kishte sjellë në Kosovë një ushtri prej 140.000 ushtarësh. Me një ushtri të tillë ajo s’e mbajti dot Kosovën dhe as s’i frikësoi ushtritë tokësore të shteteve të NATO-së, të cilat hynë në Kosovë pa e shkrepur asnjë plumb. Serbët e dinin se me kë kishin të bënin dhe sipas marrëveshjes, ikën nga Kosova brenda afatit që e parashikonte Marrëveshja e Kumanovës. Nuk bën asnjë lloj qëndrese, sepse e dinin që ndëshkimi do të ishte i madh. Kur një ushtri e një shteti i nënshtrohet në këtë mënyrë një ushtrie tjetër, nuk mund të flitet për diçka tjetër, veçse për kapitullim. Dhe, e vërteta ishte se serbët kapitulluan para aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur bota. Kështu morën fund bombardimet 79 ditore mbi Jugosllavinë-Serbinë dhe Malin e Zi.
Përfundimi i luftës u prit me gëzim të madh nga të gjithë, jo vetëm nga një milion refugjatët shqiptarë në rajon. Filloi kthimi i tyre i shpejtë në atdhe, madje edhe duke i shpërfillur rregullat themelore të sigurisë. Në Prishtinë në këtë kohë filloi punën Qeveria e Përkohshme e Kosovës. Çdo gjë funksionoi sipas një logjike politike që ndërtohet mbi faktet në terren. Kosova kështu hyri në një epokë të re historike, ajo më s’ishte pjesë e territorit shtetëror të Serbisë. Por, për të gjitha këto ndryshime epokale, do të duhej të paguhej një çmim. Sot në 26 vjetorin e kësaj ngjarjeje udhëheqësit kryesorë të asaj kohe gjenden në Burgun e Hagës. Dikujt që gjërat i interpreton në perspektivën e psikologjisë politike të ambicieve pushtetare ky burg i duket si një ndëshkim personal. S’është aspak kështu: në këtë rast u dëshmua një atdhetarizëm i mirëfilltë shqiptar. Ata që i sollën punët deri këtu, e bën edhe hapim tjetër: në burg, duke dëshmuar kështu se nuk bën asgjë rastësisht: Kosova është gjaku që s’falet.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi presin shpalljen e vendimit të Gjykatës Speciale, pas një maratone të gjatë hetimesh dhe gjykimi. Janë vite të gjata në mes. Gjykata mori fillin me nismën e senatorit zviceran Dick Marty në Këshillin e Evropës, i cili , siç është vërtetuar në ndërkohë, u manipulua nga Beogradi politik dhe, para se të vdiste, serbët deshën ta vrisnin për shkak se ai në fund e kuptoi dredhinë. Dick Marty i bëri publike kërcënimet. Shpresojmë se Gjykata i para sysh gjithë këto fakte.
Siç kanë dëshmuar dhe deputetë të dikurshëm shqiptarë, formimi i Gjykatës Speciale në Hagë nuk ishte çështje thjesht vullneti politik apo dredhie politike e një personi, siç u paraqit padrejtësisht në mediat tona, por një detyrim ndërkombëtar që, mund të shpërfillej, vetëm me një çmim të lartë për sovranitetin e shtetit tonë. Ata që e bënë shtetin, i dolën zot atij duke shkuar në burg. Ishte një moment i madh historik ku gërshetoheshin lufta dhe politika: një luftë e madhe u pasua nga një politikë e madhe. Mund të themi se në fund të këtij procesi të gjatë gjyqësor Kosova ka fituar politikisht. Trupi Gjyqësor, nëse e merr vendimin në bazë të administrimit të provave, është i detyruar juridikisht dhe moralisht që të merr një vendim që i liron të akuzuarit nga faji. Se cili do të jetë vendimi i këtij trupi gjykues nuk e dimë, por e dimë se Kosova tashmë ka triumfuar, duke i dhënë fund një loje të ndyrë të Serbisë në arenën ndërkombëtare!