Nga pushka te gërshërët, fitore për konflikt, jo për shtet

31 dhjetor 2025 | 09:25

Shkruan: Hisen Berisha 

(Kosova pas 28 dhjetorit, zgjedhje si instrument, jo si zgjidhje, pra, vazhdimësi e të njëjtës përballje)

Partia Demokratike e Kosovës dhe krahu i dalë nga lufta çlirimtare sot përballen me të njëjtët kundërshtarë që i sfiduan edhe në vitet 1998/99. Atëherë përballja ishte e drejtpërdrejtë dhe ushtarake; sot ajo zhvillohet përmes politikës, institucioneve dhe diplomacisë. Simbolika ka ndryshuar, por qëllimi ka mbetur i njëjtë.

Në vitet 1998/99, ky kundërshtim nuk përfaqësohej vetëm nga aparati ushtarak dhe shtetëror i Serbisë, ndaj të cilit, edhe pse më të pakët në numër, forcat çlirimtare fituan, sepse mjeti i përballjes ishte arma dhe fushëbeteja, por edhe nga një segment i brendshëm politik dhe shoqëror në Kosovë, i cili nuk mori pjesë në luftën çlirimtare, nuk e mbështeti moralisht atë dhe mbeti i lidhur me botëkuptimin jugonostalgjik të Jugosllavisë së vjetër. Sot, mjeti i përballjes politike është vota, e mobilizuar nga po të njëjtat arsye dhe e mbështetur mbi të njëjtën përqindje shoqërore.
Ishte pikërisht ajo përqindje politike dhe shoqërore që e shihte luftën për liri si pengesë, e jo si domosdoshmëri historike.

Sot, kjo përqindje nuk ekziston më si kategori shoqërore pasive, por është riorganizuar politikisht, e strukturuar dhe e instaluar brenda institucioneve dhe partive politike që veprojnë kundër trashëgimisë së luftës dhe kundër projektit të Kosovës si shtet i pavarur.
Kjo përqindje është sot ajo që po e vë në shënjestër Partinë Demokratike të Kosovës dhe gjithë spektrin politik që dikur e ndërtoi vizionin dhe e udhëhoqi luftën për Kosovën shtet.

Pra, përballja e sotme nuk është rastësi politike, por vazhdimësi historike. Atëherë lufta për ta ndalur shtetësinë e Kosovës bëhej me mjete ushtarake të APJ të komanduar nga Serbia, sot bëhet përmes delegjitimimit politik, zgjedhjeve të dizajnuara dhe marrëveshjeve që relativizojnë rezultatin e luftës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit nuk ishin proces demokratik i zakonshëm, por instrument i ndërtuar për konsolidimin e pushtetit të Albin Kurtit. Simboli i këtyre zgjedhjeve nuk ishte vota si akt sovran i qytetarit, por gërshërët, një mekanizëm që pret alternativat politike, eliminon spektrin shtetformues dhe përjashton çdo forcë që e lidh Kosovën me projektin euroatlantik të pasluftës. Pra, këto zgjedhje po konsiderohen si mekanizëm i përjashtimi politik.

Rezultati paraprak elektoral nuk mjaftonte për të realizuar detyrimet politike që Kurti kishte marrë. Çdo koalicion i mundshëm do të ishte pengesë për zbatimin e tyre. Prandaj, zgjedhjet u përdorën për të krijuar një fitore plebishitare që nuk shërben për qeverisje, por për zbatim të marrëveshjeve të parapërcaktuara.

Ky rezultat u mirëprit nga qarqe politike në Gjermani dhe Francë, vende që për vite të tëra kanë vepruar nën ndikim strategjik rus, veçanërisht në fushën e energjisë dhe sigurisë. Reflektimi i kësaj mbështetjeje shihet qartë edhe në mediat e këtyre shteteve.

Formalisht, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese. Por kjo fitore nuk ishte mandat për qeverisje normale. Ishte mandat për vazhdimin e konfliktit politik kundër opozitës, kundër PDK-së dhe kundër gjithë trashëgimisë politike që lidhet me luftën çlirimtare, shtetndërtimin dhe orientimin euroatlantik të Kosovës. Pra, fitore për konflikt, jo për shtet.

Partia Demokratike e Kosovës nuk duhet të bëhet pjesë e një procesi që synon të legjitimojë këtë arkitekturë politike. Pjesëmarrja apo votimi për presidentin në këto rrethana nuk do të ishte akt stabiliteti, por bashkëpërgjegjësi në konsolidimin e një pushteti që po përdor institucionet për ta zhbërë shtetin nga brenda. Prandaj, mungesa e PDK-së në këtë proces nuk duhet parë si bllokadë, por si akt politik mbrojtës për ta shpëtuar vendin nga një legjitimitet i rremë institucional, i ndërtuar mbi zgjedhje të dizajnuara dhe jo mbi vullnet të lirë sovran.

Ky konflikt nuk synon reformë, por zhvendosje historike të narrativës, nga lufta si akt themelues i shtetit, në luftën si “gabim politik”, nga pavarësia si qëllim final, në pavarësinë si status i përkohshëm.

Sot Kosova po shtyhet drejt një formule që diplomacia amerikane e viteve ’90 e kishte pranuar vetëm si kompromis të përkohshëm për ndaljen e luftës. Projekti i Millosheviçit, “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”, po rikthehet përmes Planit Franko-Gjerman dhe Marrëveshjes së Ohrit, të cilat ridimensionojnë statusin juridik dhe politik të Kosovës pa transparencë dhe pa legjitimitet popullor. Ky është rikthim i projektit të Millosheviçit përmes diplomacisë.

Premtimet e dhëna nga Madeleine Albright ndaj delegacionit të Kosovës dhe Hashim Thaçit, që çuan në tejkalimin e Kumanovës dhe në Projektin Amerikan për Pavarësimin e Kosovës, sot po zhbëhen gradualisht.

Fitorja e Albin Kurtit duhet parë si rezultat i një arkitekture diplomatike evropiane të ndikuar nga Rusia dhe e mbështetur nga rrjeti sorosian në rajon.
Refuzimi i projektit amerikan për pavarësimin energjetik të Kosovës ishte sinjali më i qartë i këtij orientimi strategjik.

Pas agresionit rus në Ukrainë, BE e kuptoi varësinë e saj nga SHBA, por pasojat e politikave të mëparshme po vazhdojnë të reflektohen në Ballkan, veçanërisht në Kosovë. Prandaj edhe fitorja e Kurtit shihet si produkt i arkitekturës ruso-evropiane.

Modeli politik rus, zgjedhje formale, pushtet real i përhershëm, kontroll i institucioneve, po replikohet në Ballkan, si në Serbi, Shqipëri dhe tashmë edhe në Kosovë. Ky model përputhet me interesat ruso-euroaziatike për një rajon të paqëndrueshëm dhe të kontrollueshëm. Faktikisht, po instalohet “Putinizmi” si model politik në rajon.

Partia Demokratike e Kosovës sot ndodhet në të njëjtën betejë historike si në vitet 1998/99: përballë përpjekjeve për ta zhbërë rezultatin e luftës përmes politikës. Atëherë përballë Jugosllavisë dhe Serbisë; sot përballë strukturave politike që synojnë relativizimin e pavarësisë. Kështu që i mbetet PDK dhe partive të këtij spektri, të vazhdojnë luftën për shtetin.

Kosova pas 28 dhjetorit është test strategjik për Perëndimin.
Jo test zgjedhor, por test historik, se a do të mbetet Kosova projekt euroatlantik i përfunduar, apo do të reduktohet në entitet të menaxhuar përmes status quo-së ruso-evropiane?

Zgjedhjet e ndërtuara si gërshërë nuk prodhojnë demokraci, por përjashtim të kontrolluar politik.

Koha për neutralitet ka përfunduar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Opinionisti Azdren Shala ka kritikuar ish-opozitën për paraqitjen e tyre…