12 QERSHORI – Dita e Çlirimtarëve të Kosovës

12 qershor 2025 | 10:27

Lulëzim ETEMAJ

26 vite më parë, në ditën e 78-të të sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe objekteve strategjike të Serbisë, në mbrëmjen e 9 qershorit 1999 në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Teknike- Ushtarake. Milosheviqi dhe qeveria e tij, tanimë me barrën e rënduar të gjenocidit dhe krimeve të luftës në shpinë, pranuan kapitullimin në Kosovë. Ish-sekretari gjeneral i NATO-s, Javier Solana, me këtë rast shprehet prerazi: “NATO do të suspendojë sulmet ajrore sa më shpejtë që të verifikohet respektimi i armpushimit dhe fillimi i tërheqjes së forcave ushtarake serbe”.
Kështu “mbaroj një luftë e cila ishte e drejtuar kundër vlerave perëndimore dhe civilizimit evropian…Mbaroj një luftë e cila me siguri Kosovën do ta kishte zbrazur nga popullata e saj autoktone shqiptare dhe do të kishte destabilizuar të gjitha vendet fqinje”, shkruan në ditarin e tij ish- ministri gjerman i mbrojtjes, Rudolf Scharping.
Për t’u përballur me situatën e pas tërheqjes së trupave ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe nga Kosova, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pasdite arritën pëlqimin dhe i dhanë dritën e gjelbërt trupave paqësore ndërkombëtare, KFOR. Më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-së aprovon dërgimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, dhe ngarkon e OKB-në, përmes Rezolutës 1244, me ndërtimin e administratës së përkohshme vendore. Më 12 qershor fillon marshimi i trupave paqësore ndërkombëtare në Kosovë. Një pjesë e trupave gjermane, të vendosura në Maqedoni, stacionohet në kufi me Shqipërinë, ndërsa një numër i tyre së bashku me amerikanët dhe britanikët përmes Shkupi marshojnë në Prishtinë. Të tjerët përmes rrugëve të vështira malore të Shqipërisë arrijnë në Prizren. Aeroporti i Prishtinës tanimë ishte futur nën kontrollin e forcave ruse, që ishin të stacionuara në Bosnjë në përbërje të SFOR-it, të cilat kishin filluar marshimin në Kosovë që më natë. Ushtarët e Aleancës së NATO- s, ashtu si dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pritën nga qytetarët shqiptarë të Kosovës si çlirimtarë; me duartrokitje, buqeta lulesh, përqafime e lot gëzimi e shprese në sy. Trupat paqësore ndërkombëtare, në përpjekje të krijimit të rendit dhe qetësisë, shënojnë kontakte të ngushta me komandantët e UÇK-së. Ndërsa refugjatët shqiptarë të Kosovës, të strehuar me zemërgjerësi shembullore në Shqipëri, si dhe ata në Maqedoni, s’mund t’i ndalë asgjë, as vërejtjet për rreziqet nga fushat e minuara përgjatë brezit kufitar, për t’u kthyer sa më parë në shtëpitë e tyre prej nga i kishte dëbuar dhuna serbe. Për t’u kthyer në Kosovën e lirë.
Tashmë kishte aguar dita e re, dita e parë e epokës së shumëpritur ndër breza nga shqiptarët- epokës së lirisë së Kosovës.

Sot, në 26-vjetorin e çlirimit, në rrethana normale, Kosova do të duhej ta dridhte Prishtinën!
Do të duhej ta ngriste fuqishëm zërin kundër abuzimit dhe deformimeve të Gjykatës Speciale. Kundër shkeljes së procedurave dhe të drejtave të njeriut të çlirimtarëve si dhe tendencave të hapura politike për ta rishkruar historinë e saj dhe të UÇK-së.

Nderim i përjetshëm luftës çlirimtare të UÇK-së, sakrificave dhe gjakut të derdhur të luftëtarëve të saj si dhe popullatës civile, të të gjitha gjinive dhe moshave!

Gëzuar Kosovë!
Veteranë të nderuar, gëzuar kjo ditë e shënuar!

DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi me shokë!

Lavdi e përjetshme Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhomat e Specializuara të Hagës ia kanë refuzuar kërkesën për…