A është kjo Kosova që ndërkombëtarët deshën dhe qytetarët ëndërruan?

04 nëntor 2025 | 13:29

Shkruan: Naser Krasniqi

Pas përfundimit të luftës në qershor 1999, Kosova hyri në një fazë të re – atë të administrimit ndërkombëtar nga UNMIK-u, që për shumëkënd simbolizonte fillimin e ndërtimit të shtetit të munguar. Në vitet që pasuan, çdo hap i shtetformimit – nga administrata e parë e UNMIK-ut, tek strukturat e përkohshme vendore, shpallja e pavarësisë me 17 shkurt 2008 dhe më vonë ardhja e EULEX-it – u zhvillua nën mbikëqyrje ose ndikim të drejtpërdrejtë të partnerëve ndërkombëtarë. Por pas më shumë se një çerek shekulli, një pyetje mbetet thelbësore dhe ndoshta më aktuale se kurrë:

A është kjo Kosova që ndërkombëtarët deshën dhe qytetarët ëndërruan?

Stabilitet përpara drejtësisë

Në vitet e para të pasluftës, prioriteti i UNMIK-ut dhe i KFOR-it ishte stabiliteti dhe shmangia e rikthimit të dhunës. Drejtësia, ndërtimi institucional dhe llogaridhënia ishin në plan të dytë. Në këtë kuadër, shumë figura me ndikim në terren u trajtuan me kujdes, madje shpesh edhe me tolerim të plotë ndaj veprimeve të jashtëligjshme. Në emër të qetësisë, u krijua një realitet i heshtur: stabiliteti kishte më shumë peshë se drejtësia. Kështu u formua një kulturë imuniteti politik dhe moral që me pastaj u shndërrua në imunitet institucional.

Heshtja që u bë sistem

Shumë raste të shkeljeve të pasluftës janë përmendur në media dhe dokumente të brendshme të misioneve të huaja. Megjithatë, shumica e këtyre rasteve nuk u çuan kurrë në gjykatë. Arsyeja zyrtare ishte frika nga destabilizimi. Në praktikë, kjo do të thoshte se ligji nuk vlente njësoj për të gjithë. Në vend të drejtësisë tranzicionale, u vendos heshtja tranzicionale – një kompromis që la pasoja të gjata në kulturën politike të vendit.

Një shtet mbi kompromis

Kosova u ngrit si shtet kompromisi. Ndërkombëtarët ndërtuan institucionet formale të shtetit, por pushteti real shpesh qëndronte tek individë me rrjete politike, ekonomike dhe parapolitike. Në vend të shtetit ligjor, u krijua një sistem i balancave të interesave, ku llogaridhënia u zëvendësua me marrëveshje të heshtura. Në shumë raste, bashkësia ndërkombëtare mbylli njërin sy ndaj veprimeve kriminale dhe shkeljeve tjera serioze, duke besuar se qetësia në terren ishte fitore më e madhe sesa drejtësia në institucione. Ky pragmatizëm mund të ketë shmangur kriza afatshkurtra, por krijoi themelet e mosbesimit qytetar dhe mosndëshkueshmërisë që është bërë pjesë e kulturës politike.

Roli ambivalent i ndërkombëtarëve

Ndërkombëtarët në Kosovë kanë pasur një rol ambivalent – njëkohësisht ndërtues dhe kufizues. Ata sollën paqe, stabilitet dhe përkrahje për ndërtimin e institucioneve. Falë mbështetjes së tyre, Kosova sot është shtet i pavarur dhe pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Por të njëjtët aktorë shpesh e ngadalësuan zhvillimin e brendshëm demokratik, duke mbajtur sistemin në një lloj kujdestarie të përhershme. Ata imponuan standarde, por pa ndërtuar mekanizma të qëndrueshëm për zbatimin e tyre. Në përpjekje për të shmangur kaosin, ndërtuan një demokraci të kontrolluar – që funksionon më shumë për të ruajtur rendin sesa për të garantuar drejtësinë.

Sot: një shtet në kërkim të drejtësisë

Pas 25 vjetësh, Kosova ka institucione, ligje dhe një kornizë moderne shtetërore. Por ende vuan nga boshllëku midis formës dhe përmbajtjes – midis asaj që duket dhe asaj që funksionon. Drejtësia shpesh shihet si fushë betejë politike, ndërsa qytetari vazhdon të mos e ndjejë barazinë para ligjit. Në këtë realitet, përgjegjësia nuk i takon më vetëm ndërkombëtarëve. Ajo është e përbashkët: e politikës, institucioneve dhe shoqërisë që ka pranuar gjatë të jetojë me “stabilitet pa drejtësi”. Po, Kosova është ndërtuar ashtu siç e deshën ndërkombëtarët – një shtet i qëndrueshëm, me institucione funksionale dhe paqe relative. Por ende jo ashtu siç e ëndërruan qytetarët: si një shtet i drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit.

Ky është paradoksi i Kosovës së sotme – një shtet që ekziston falë ndërkombëtarëve, por që ende pret të bëhet vërtet shtet i së drejtës, i vetvetes dhe i qytetarëve të tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas mbledhjes së…