Amerika në udhëkryq: Beteja për kontrollin e Kongresit
Më 3 nëntor 2026, amerikanët do të votojnë në zgjedhjet e mesmandatit, të cilat do të përcaktojnë ekuilibrin e pushtetit gjatë dy viteve të fundit të mandatit presidencial të Donald Trumpit. Në garë janë të gjitha 435 ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 ulëset e Senatit. Për Dhomën, zgjedhjet zhvillohen çdo dy vjet, senatorët kanë mandat gjashtëvjeçar dhe afërsisht një e treta e Senatit rinovohet çdo dy vjet. Këtë vit, krahas 33 garave të rregullta senatoriale, zhvillohen edhe dy zgjedhje të posaçme, në Floridë dhe në Ohio.
Këto zgjedhje janë njëkohësisht garë për përfaqësim dhe vlerësim politik të administratës aktuale. Demokratët synojnë ta shndërrojnë pakënaqësinë ndaj qeverisjes në shumicë parlamentare, ndërsa republikanët përpiqen të ruajnë kontrollin e Kongresit. Krahas betejave federale, garat për guvernatorë do të ndikojnë në drejtimin e politikave shtetërore dhe në profilizimin e udhëheqësve të ardhshëm kombëtarë.
Sondazhet kombëtare të fundit favorizojnë demokratët, me 53 për qind mbështetje për kandidatët demokratë dhe 44 për qind për republikanët. Aktualisht, republikanët e mbajnë kontrollin e të dy dhomave të Kongresit dhe Shtëpinë e Bardhë.
Në Dhomën e Përfaqësuesve nevojiten 218 mandate për shumicën. Ndër përballjet kryesore janë distriktet PA-07, PA-08 dhe PA-10 në Pensilvani, të mbajtura nga republikanët, por që anojnë drejt demokratëve. Gara të hapura mbeten NY-17 i Mike Lawlerit në Nju-Jork, CA-22 i David Valadaos në Kaliforni dhe MI-07 i Tom Barrettit në Miçigan. Në Arizonë, AZ-01 dhe AZ-06 ofrojnë mundësi të tjera për demokratët. Rezultati në këto distrikte do të tregojë sa mund të mbështeten kandidatët republikanë te reputacioni lokal përballë një klime kombëtare të pafavorshm
Beteja për Senatin është më e ndërlikuar. Republikanët kanë 53 vende, ndërsa grupimi demokrat, përfshirë dy senatorë të pavarur që bashkëpunojnë me të, ka 47. Demokratëve u nevojiten katër fitore për të arritur në 51 vende. Në rast barazimi 50–50, vota vendimtare e nënpresidentit JD Vance do t’ua ruante republikanëve kontrollin.
Këto zgjedhje sjellin në vëmendje një fakt interesant: në disa shtete, demokratët nuk kanë fituar asnjë garë për Senatin prej dekadash.
Në shtetin e Kansasasit, që nga viti 1932, nuk ka fituar asnjë demokrat, qyshë kur fitoi George McGill rreth 94 vjet më parë. Po ashtu në Wyoming, që nga viti 1970, kur fitoi Gale McGee, rreth 56 vjet me parë.
Në Teksas demokrati i fundit që ka fituar zgjedhjet për Senat ishte Lloyd Bensten në vitin 1988.
Të tria këto shtete votojnë për Senatin këtë nëntor. A do të vazhdojë tradita republikane, apo do të thyhet ndonjë nga këto seri historike?
Karolina e Veriut është ndër mundësitë më të forta për demokratët, me Roy Cooperin që kryeson ndaj republikanit Michael Whatley. Në Ohio, sondazhet e mesit të tetorit tregonin 48 për qind për Sherrod Brownin dhe 44 për qind për Jon Hustedin. Në Maine, përballja mes republikanes Susan Collins dhe demokratit Troy Jackson mbetet e ngushtë.
Në Miçigan, demokrati Abdul El-Sayed përballet me republikanin Mike Rogers për një vend që demokratët duhet ta mbrojnë. Ndërkohë, Ajova , me Josh Turekun përballë Ashley Hinsonit, dhe Teksasi, me James Talaricon përballë Ken Paxtonit, e zgjerojnë hartën e konkurrencës.
Edhe garat për guvernatorë meritojnë vëmendje. Në Miçigan, demokratja Jocelyn Benson kryeson ndaj republikanit John James në sondazhet e fundit të tetorit. Në Ohio, përballja mes demokrates Amy Acton dhe republikanit Vivek Ramaswamy është më e pasigurt.
Në Ajova, demokrati Rob Sand ka shfaqur avantazh ndaj republikanit Zach Lahn, kuse në Teksas, republikani Greg Abbott ruan epërsi ndaj demokrates Gina Hinojosa, por disa matje tregojnë garë të ngushtë.
Tabloja e përgjithshme favorizon demokratët më qartë për Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa kontrolli i Senatit mbetet i hapur.
Në thelb, zgjedhjet e mesmandatit do të matin kërkesën e amerikanëve për vazhdimësi ose për një kundërpeshë ndaj presidentit. Për republikanët, sfida është mbrojtja e bilancit të qeverisjes, kurse për demokratët, është shndërrimi i pakënaqësisë në besim dhe përgjegjësi institucionale.
Përgatiti:
Zenun Halili



