147-vjetori i lindjes së kolosit shqiptar Faik Bey Dominik Konica

17 mars 2022 | 13:28

Daim Ilazi

Faik bej Konica (më vonë i quajtur Faïk Dominik Konitza, lindi më 15 mars 1875, vdiq më 15 dhjetor 1942). Ishte një nga figurat më të rëndësishme të gjuhës dhe kulturës shqiptare të shekullit njëzet. Ministër fuqiplotë, ambasador i Shqipërisë në Uashington, themelues i revistës letrare “Albania”.

Faik Konica shkroi pak në fushën e letërsisë por, si stilist, kritik, publicist dhe figurë politike, pati ndikim të jashtëzakonshëm në shkrimin shqip dhe në kulturën shqiptare të asaj kohe.

Faiku, djali i Shahin dhe Lalia Zenel beut, lindi në qytetin Konicë, Vilajeti i Janinës, Perandoria Osmane, tani Greqia veriore, jo shumë larg kufirit të sotëm shqiptar. Ai kishte vëllezër Mehmedin, Rustemin dhe Hilmiun, ndërsa motra Rukijen dhe Sanijen. Pas shkollimit fillor në gjuhën turke në qytetin e lindjes, ai studioi në Kolegjin Xavierian Jezuit në Shkodër, i cili i ofroi jo vetëm disa mësime në Shqipëri, por edhe një kontakt fillestar me kulturën e Evropës Qendrore dhe me idetë perëndimore. Prej aty vazhdoi shkollimin në gjuhën franceze në shkollën eminente Imperial Galatasaray në Stamboll. Në rininë e tij Konica kultivoi aftësitë e tij në shqip dhe grumbulloi një bibliotekë me libra të albanologëve të huaj.

Në vitin 1890, në moshën pesëmbëdhjetë vjeçe, u dërgua të studiojë në Francë, për shtatë vjet. Pas shkollimit fillestar në shkollat ​​e mesme në Lisieux (1890) dhe Carcassonne (1892), u regjistrua në Universitetin e Dijonit, në të cilin diplomoi më 1895 në gjuhët romane dhe filologji. Pas diplomimit u transferua në Paris për dy vjet. Aty studioi letërsinë mesjetare franceze, latinisht dhe greqisht në kolegjin e famshëm të Parisit. Aty kishte miqësi me poetin e madh Guillaume Apolinaire, i cili thoshte se “ky shqiptari i Ballkanit e flet frëngjishten më mirë se unë dhe ma jep kompleksin e inferioritetit”. Ai mbaroi studimet në Universitetin prestigjioz të Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si rezultat i formimit të tij shumë të larmishëm arsimor, ai ishte në gjendje të fliste dhe të shkruante rrjedhshëm shqip, greqisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, anglisht dhe turqisht. Në vitin 1895 Konica u konvertua nga islami në katolicizëm dhe ndryshoi emrin nga Faik në Dominik, duke u nënshkruar për shumë vite si Faik Dominik Konica.

Konica u përpoq për një kulturë perëndimore më të rafinuar në Shqipëri, por i vlerësoi edhe traditat e vendit. Ai ishte, për shembull, një nga të parët që përhapi idenë e redaktimit të teksteve të letërsisë së vjetër shqipe. Në një artikull me titull “Për themelimin e një gjuhe letrare shqipe”, botuar në numrin e parë të “Albanisë”, Konica vuri në dukje domosdoshmërinë e krijimit të një gjuhe letrare të njësuar. Ai sugjeroi zgjidhjen më të dukshme, që dy dialektet kryesore, toskërishtja dhe gegërishtja, të shkrihen dhe të përzihen gradualisht. Vetë stili i tij i rrjedhshëm ndikoi shumë në përsosjen e prozës së toskërishtes jugore të shqipes, e cila dekada më vonë do ta përbënte bazën e gjuhës moderne letrare shqipe (gjuhës standarde).

Në vitet 1895-1896 Konica filloi studimet pasuniversitare në Collège de France në Paris, ku u përqendrua në “letërsinë mesjetare frënge dhe letërsi romake”. Në vitin 1897 shkoi në Bruksel, ku themeloi të përkohshmen “Albania”, me ndihmën e autoriteteve austro-hungareze. Sipas dokumenteve belge, gjatë kohës që jetoi në Francë, Konica kishte njohur Sophie Annette Hugon, me të cilën, më 1897, pati një djalë të quajtur Henrik. Më 1903 u shpërngul në Londër, ku mori leje të punonte në Departamentin e Dorëshkrimeve në Muzeumin Britanik. Në Londër jetoi pesë vjet dhe studioi dokumentet shtetërore veneciane që lidheshin me Shqipërinë si dhe me dorëshkrime të tjera, disa prej të cilave i botoi tek “Albania”. Më 1909 u ftua prej shqiptaro-amerikanëve të shkonte në Shtetet e Bashkuara, të jepte një varg leksionesh, të cilat i filloi më 1909 dhe i mbaroi më 1911. Më 22 tetor 1909 mori në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e “Dielli”-t, botim javor i Shoqërisë “Besa-Besë”. Konica punoi kryeredaktor i “Dielli”-t deri më 18 mars 1910.

Më 24 dhjetor 1911, në një mbledhje drejtuar nga Kristo Floqi, Konica caktohet anëtar i Komisionit për Bashkimin e Organizatave Shqiptare në ShBA. Përpjekjet e mbarë patriotëve shqiptarë, përfshirë Konicën, arritën kulmin me themelimin e Shoqatës “Vatra” më 28 prill 1912. “Vatra” bashkoi shoqëritë “Besa-Besë”, “Flamuri i Krujës Kombëtare” dhe “Dallëndyshja” dhe luajtën rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Një Pleqësi e përkohshme u zgjodh për ta drejtuar organizatën e re. Sekretar i saj u zgjodh Fan Noli, kurse Konica dhe Floqi u ngarkuan me detyra për ngritjen e degëve të reja të organizatës në Masaçusets dhe shtete të tjera.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, në vitet 1896 dhe 1897, Konica filloi botimin e revistës “Albania”, e cila vazhdoi të botohet deri në vitin 1909. Revista është shtypur në Bruksel dhe në Paris. “Albania” ishte një nga revistat rilindëse frëngjisht-shqip, më prestigjiozja dhe më e rëndësishme e asaj kohe.

Botimet shqiptare u botuan jashtë vendit dhe, ashtu si shkrimtarët e tjerë shqiptarë të kohës, Konica përdorte pseudonimin Trank Spiro Beu. Bashkëpunëtorë të tij ishin shkrimtarët dhe intelektualët e njohur të kohës së tij në Francë e në Evropë, si Guillaume Apollinaire, Emile Legrand, Jan Urban Jarnik, Holger Pedersen, Albert Thumb, Théodore Ippen etj.

Në vitet 1903-1904 Faik Konica u bë banor i Oakley Crescent në Islington, Londër. Aty vazhdoi ta redaktonte dhe ta botonte, me pseudonimin Trank Spiro Beg, gazetën periodike dygjuhëshe “Albania”. Ai kontribuoi me artikuj sarkastikë mbi atë që ai e shihte si prapambetje kulturore dhe naivitet i bashkatdhetarëve të tij, duke theksuar nevojën e zhvillimit ekonomik dhe bashkimit kombëtar midis shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë. Mjeshtëria e Konicës për shqipen dhe dialektet e saj u pasqyrua në stilin e tij të të shkruarit të rafinuar dhe të pasur në shprehje. Gjithashtu, ai u përpoq ta pasuronte fjalorin shqip përmes fjalëve të popullit dhe folklorit duke rritur aftësinë e shqipes për të trajtuar tema komplekse dhe të vështira, të pashoqe ndër botimet e tjera në gjuhën shqipe të kohës.

Faik Konica kontribuoi në zhvillimin e ndjenjës kombëtare te shqiptarët duke u fokusuar në tema të avancimit evropian, përparimit dhe emancipimit kulturor të shqiptarëve.

Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë – ambasador në ShBA, pozitë që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e melodisë së kompozitorit të famshëm – Vagnerit, që aq shumë e kishte pëlqyer.

Testamenti i Faik Konicës është ky: “Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, – thuhet në testamentin e Konicës.

Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Malëshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruan Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vetë Noli tek autoritetet shqiptare dhe, fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut, intelektualit me përmasa botërore që një shekull u la në haresë.

Prozator dhe poet, publicist dhe eseist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij polivalente pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe dhe dhunti artistike. Ishte mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe. Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike dhe vizion modern.

Ka pasur guximin dhe i ka dhënë vërejtjeje Mbretit Zog, bile disa ministra kanë kërkuar nga Mreti që ta shkarkonte nga pozita e ambasadorit. Por, Mreti Zog, vizionar, ka reaguar ndaj tyre, duke u thënë: “Asnjëri nga ju nuk mund t’i vini në gisht të vogël Faikut. Krejtve ju fut në një xhep, dhe asnjëri nga ju nuk mund ta luajë rolin e tij si patriot, erudit e diplomat poliglot”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se…