162 vjet kundër shqiptarëve, rusomadhja

29 gusht 2018 | 07:09

Lladrovci ofron dëshmi të shumta të diplomacisë dhe të qëndrimit të kundërt rus ndaj çështjes shqiptare për vite të tëra

Qendresa Rama

“Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe (1856-2018)” është libri studimor i Hamz Smajl Lladrovcit, të cilin e ka nxjerrë nga shtypi para disa javësh e promovimin e të cilit do ta bëjë këtë të shtunë në sallën e “Grand Hotel”-it në Prishtinë.

Libri i Hamzës ka shtatë kapituj, një shtojcë të veçantë me dokumente të ndryshme rreth çështjes shqiptare ndaj diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe. Po ashtu, ka edhe katër shtojca të tjera, në të cilat dokumentohen, me fotografi dhe me faksimile, qëndrimi i gjeopolitikës rusomadhe nga viti 1856 deri në vitin 2018 kundër Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar. Por, para këtyre të dhënave, libri ka tre vlerësime për librin nga prof. dr. Eqrem Zenelaj, nga prof. dr. MuhametMala dhe nga prof. dr. Haxhi Ferati, të cilët çmojnë kontributin shkencor dhe dokumentar të Hamz Lladrovcit sjell në këtë libër mbushur me dëshmi të shumta, të cilat ruhen nëpër arkiva të ndryshme të botës, ato më të vjetra veçanërisht në të Brukselit, të Parisit, të Vjenës, sidomos të Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë.

Prof. dr. Eqrem Zenelaj, në recensionin e vet për këtë libër, thotë se ky libër ka rëndësi të veçantë shkencore dhe historike, sepse autori në të trajton rivalitetet, shkaqet dhe gjeopolitikat, që nga gjeneza e tyre, mes diplomacisë shqiptare dhe ruse. Ndër të tjera, profesor Zenelaj thotë se Lladrovci në këtë libër ka punuar me sens shkencor dhe analitik, si njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, duke shtjelluar dhe argumentuar shkencërisht, se kjo gjeopolitika rusomadhe-sllave-ortodokse i ka rrënjët që nga viti 1856 dhe ka vazhduar hapur apo fshehurazi, për zgjerim territoresh dhe ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke favorizuar dhe mbështetur idetë pansllave – rusomëdha, deri në ditët e sotme, pasoja e së cilës politikë gjeografike bie mbi trojet shqiptare dhe Ballkanin. “Autori i librit me guxim dhe kompetencë shkencore zgjedh për hulumtim dhe analizë një periudhë të caktuar interesante kohore të gjeopolitikës ruse, e cila daton që nga viti 1856 e deri në ditët e sotme”, shkruan Zenelaj në vlerësimin e vet për librin e Lladrovcit dhe shton se “autori, për ta realizuar këtë projekt shkencor dhe për ta publikuar këtë libër, ka hulumtuar dhe ka punuar mbi dy vjet nëpër arkivat e Brukselit, të Parisit, të Vjenës, sidomos të AQSh-së në Tiranë”.

Duke shfletuar këtë libër, lexuesi sheh dokumente me vlerë shkencore, historike e kombëtare, të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Lidhjes së Pejës, të Kuvendit të Dibrës. Pastaj raportet e konsujve të huaj, si dhe dokumente e të dhëna të tjera autentike e origjinale të cilat ia shtojnë besueshmërinë shkencore këtij libri dhe e bëjnë të kuptueshëm dhe me mjaft argumente për lexuesin. Po ashtu, faksimile, vendime dhe të dhëna sekrete të organeve dhe të institucioneve partiake e shtetërore të Shtetit Shqiptar në kohën e Enver Hoxhës, e sidomos vendime të rëndësishme dhe të dhëna të panjohura sekrete dhe tejet interesante të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, si dhe të strukturave të tjera të larta shtetërore e partiake, sidomos në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, që tregojnë për vlimet politike e ushtarake në Shqipëri, si dhe raportet Enver – Stalin dhe Enver – Hrushqov. Të një rëndësie të veçantë janë edhe qëndrimet, por dhe vendimet e organeve partiake e shtetërore të Shqipërisë për gjykimin e akteve agresive të BRSS-së dhe të Paktit të Varshavës, të ndërhyrjes ushtarake në Hungari dhe në Çekosllovaki, por edhe vendimi i guximshëm i Shqipërisë për daljen e saj nga Pakti i Varshavës.

Pa dyshim se Hamz Lladrovci, duke qenë në dijeni të gjitha zhvillimeve historike-diplomatike që ka shkruar në libër, duke pasur dijen historike dhe përkrahjen e prof. dr. Eqrem Zenelaj, me këtë libër, thotë profesor Muhamet Mala, plotëson një zbrazëtirë të mbetur studimore, duke na afruar një tablo të raporteve dhe qëndrimit të diplomacisë ruse ndaj shqiptarëve që nga Konferenca (Traktati) e Parisit e vitit 1856, kur fuqitë evropiane ndërhyjnë ushtarakisht kundër Rusisë së atëhershme, duke mbështetur Perandorinë e dobësuar Osmane, si dhe duke e afruar atë në të ashtuquajturin “Koncertin e Evropës” e deri në vitin 2018, respektivisht deri në ditët e sotme, kur Federata Ruse ende vazhdon të veprojë nën hijen e pansllavizmit rus, duke mbështetur planet shoviniste serbe ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi si dhe ndaj çështjes së Kosovës në veçanti.

Edhe profesor Haxhi Ferati shpreh mendimin se autori HamzLladrovci ka arritur të japë kontribut të rëndësishëm për problemin e parashtruar në librin “Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe (1856-2018)”, duke publikuar një studim të thellësishëm të politikës, të gjeopolitikës dhe të diplomacisë rusomadhe në raport me shqiptarët dhe çështjen shqiptare për liri, pavarësi dhe bashkim të trojeve të tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i integrimeve evropiane, Vigan Qorrolli, ështëshprehur i bindur se…