17 të infektuar me koronavirus në veriun e Mitrovicës, 1 i vdekur

02 prill 2020 | 22:48

Komandanti i KFOR-it së bashku me kryetarët e Mitrovicës, Agim Bahtirin e Mitrovicës së Jugut dhe Goran Rakiqin e Mitrovicës së Veriut kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media.

Komandanti i KFOR-it ka kërkuar nga qytetarët e Mitrovisës t’i ndjekin rregullat dhe këshillat e institucioneve publike të Kosovës.

“Dua t’i përshëndes të dy kryetarët e komunave që janë me mua këtu sot. Ata të dy e dinë që situata me koronavirusin e cila është shumë e rëndë. Është shumë serioze këtu në Ballkan, shumë serioze në Evropë dhe shumë serioze në botë. Jam i sigurtë që të gjithë qytetarët në Mitrovicë do të ndjekin shumë kujdesshëm rregullat dhe ndalimet që janë dhënë nga Institucionet Publike të Kosovës dhe kryetarët e Mitrovicës. Dua t’i falënderoj mediat të gjithë shtypin, sepse kjo është një punë që ndihmon shumë për të gjithë”, tha ai.

Më tutje, kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka porositur qytetarët e të dy anëve të Ibrit të respektojnë rregullat, duke thënë se virusi nuk njeh nacionalitet e as racë.

“Faleminderit gjeneral i KFOR-it, faleminderit edhe nga Rakiq. Kisha pasur një lutje për të gjithë qytetarët e Mitrovicës pavarësisht nacionalitetit. Ne jemi duke luftuar maksimalisht virusin që ka ardhur nga jashtë dhe përballet secili nga ne dhe virusi nuk njeh nacionalitet e racë por po përballet jo vetëm Kosova por edhe Evropa e bota dhe apeloj të gjithë qytetarët të Veriut dhe të Jugut që t’i ndjekin rekomandimet e Këshillit që është ndërtuar në Prishtinë dhe ata rekomandojnë të rrini në shtëpi sepse kjo mënyrë ndihmon në luftën kundër koronavirusit. Ju lus të respektoni edhe orarin e lëvizjes dhe të ruani higjenën në shtëpitë e juaja sepse i vetmi shpëtim për neve është t’i respektojmë rregullat. E dimë se në veri dy janë të infektuar dhe një ka ndërruar jetë dhe shpresojmë të jetë i fundit”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kreu i Mitrovicë së Veriut Goran Rakiq, njoftoi se në pjesën veriore të Kosovës janë 17 të infektuar dhe mbi 200 qytetarë të izoluar.

Më tutje edhe kreu i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq ka udhëzuar qytetarët e Mitrovicës të jenë bashkë në luftën kundër koronavirusit dhe të respektojnë rregullat e parandalimit të përhapjes së virusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka…