17 vjet nga anëtarësimi në NATO, Begaj: Shqipëria, aleate e palëkundur për paqen dhe sigurinë

01 prill 2026 | 15:27

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përkujtuar 17-vjetorin e anëtarësimit të shtetit shqiptar në NATO, duke e theksuar si një arritje historike që ka forcuar sigurinë, sovranitetin dhe rolin e saj në aleancën Euroatlantike.

Begaj ka vlerësuar kontributin e Shqipërisë si një aleate e denjë në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të vendit në misionet dhe operacionet e Aleancës.

Presidenti Begaj ka shprehur krenarinë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë kontribuar me dinjitet krah aleatëve kudo sa herë dhe ku është kërkuar kontributi i tyre.

Ai ka theksuar se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një faktor stabiliteti dhe sigurie dhe se krah aleatëve të saj ajo do të vijojë të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë.

“Si aleancë e vlerave demokratike, NATO është garant i paqes, sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në hapësirën euroatlantike. Shqipëria është një aleate e denjë, kontribuuese aktive në misionet dhe operacionet e saj. Krenarë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura! Mbetemi të bashkuar për paqen, stabilitetin dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, ka thënë Begaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi po vazhdon ta kontestojë ligjshmërinë…