‘180 mijë qytetarë nga diaspora janë regjistruar deri më tash’
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi është pritur të hënën nga u.d. kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, për të marrë pjesë në konferencën për medie të organizuar nga ASK-ja në kuadër të takimeve të rregullta javore sa i përket ecurisë së procesit të regjistrimit të popullsisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në mbështetje të plotë procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave – ReKos 2024, dhe në mbështetje të Agjencisë së Statistikave të Kosovës që udhëheq më këtë proces, ka lansuar procesin e regjistrimin online të pjesëtarëve të Diasporës.
Regjistrimi online i mërgatës sonë, po ndodh për herë të parë, dhe është proces i integruar në platformën e-Diaspora, që është iniciativë e MPJD-së për të mbështetur bashkatdhetarët tanë me shërbime të digjitalizuar, dhe njëherë për t’i afruar me vendin amë.
Zëvendësministrja Gashi derisa ka folur për rëndësinë e regjistrimit online të mërgatës, theksoi se pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë në procesin e regjistrimit të popullsisë është jashtëzakonisht e rëndësishme ngase na ofron një pasqyrë të qartë të shpërndarjes së qytetarëve tanë nëpër botë, dhe përmes kësaj një mundësi më të madhe që të përfshijmë ata, përmes të dhënave që ofrojnë, në proceset e hartimit të politikave, strategjive e shërbimeve më të mira dhe përkitazi me nevojat e tyre.