19 grupe kriminale janë shkatërruar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti

17 korrik 2019 | 17:28

Në ambientet e stacionit policor “Qendra” në Prishtinë, sot Policia e Kosovës ka organizuar një konferencë në të cilën u shpalosën të arriturat dhe rezultatet për periudhën e parë të këtij viti.

Në konferencë u prezantua raporti gjashtëmujor janar – qershor 2019 duke u fokusuar edhe në aktivitetet më të rëndësishme të policisë gjatë kësaj periudhe.

Policia e Kosovës ka arritur t’i shkatërrojë nëntëmbëdhjetë grupe të krimit të organizuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Kështu ka deklaruar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ai ka bërë me dije se gjatë kësaj periudhe raportuese ka pasur rënie të kriminalitetit në vendin tonë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Gjatë periudhës gjashtëmujore të këtij viti ka pasur rënie të veprave penale. Përderisa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 kanë qenë 14 692 vepra penale, në periudhën e njëjtë të vitit 2018 kanë qenë 16 417 vepra penale. Në periudhën janar-qershor të vitit 2019 kanë qenë 12 vepra penale të vrasjes, kurse në vitin 2018 kanë qenë 16 sosh. Lëndime të rënda në vitin 2019 kanë qenë 129, ndërsa në vitin 2018 kanë qenë 138. Po ashtu, ka rënë edhe numri i grabitjeve për 23.30 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Gjithashtu në këtë periudhë Policia e Kosovës ka arritur të shkatërrojë 19 grupe të krimit të organizuar. Këta gjashtë muaj kemi pasur rënie të veprave penale”, ka deklaruar Mehmeti.

Mehmeti ka thënë se prioritet i policisë vazhdon të mbetet ofrimi i sigurisë dhe forcimi i bashkëpunimit me qytetarë, si dhe parandalimi i krimit, korrupsionit dhe terrorizmit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej sot pacientët e Komunës së Kamenicës do ta kenë…