Gjashtë vjet pas arrestimit të katër krerëve të UÇK-së: ku është shteti?

05 nëntor 2026 | 10:18

Lulëzim ETEMAJ

Më 4 dhe 5 nëntor 2020, u arrestuan dhe u transferuan në Hagë katër krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Gjashtë vjet më pas, ata vazhdojnë të jenë larg familjeve dhe vendit të tyre, ndërsa Kosova përballet me një përgjegjësi që nuk mund të përmbushet vetëm me deklarata politike dhe përkujtime simbolike.
Përtej qëndrimeve ndaj procesit gjyqësor dhe vendimit të shkallës së parë të 16 shtatorit 2026, ekziston një pyetje që duhet t’i shqetësojë të gjitha institucionet dhe partitë politike: A po bëhet gjithçka që është e mundur për t’i mbështetur ata në këtë proces?
Zhvillimet e fundit krijojnë përshtypjen se përgjigjja nuk është pozitive. Përkundrazi, angazhimi për mbrojtjen e tyre duket se është lënë nën hijen e interesave partiake dhe përplasjeve brendapartiake.
Kontrasti ndërmjet deklaratave politike për UÇK-në dhe mënyrës se si u trajtua Ligji për Dhomat e Specializuara është i vështirë të mos vërehet.
PDK-ja, përmes Grupit të saj Parlamentar, kërkoi kthimin e ligjit që vetë e kishte sponsorizuar. Kjo është një e drejtë procedurale, por njëkohësisht krijon detyrimin për të shpjeguar se çfarë ishte e gabuar në tekstin që vetë e kishte hartuar dhe miratuar.
Deklaratat e ndryshme brenda grupit parlamentar, përfshirë qëndrimin e Përparim Grudës se ai vazhdonte t’i mbështeste dispozitat e ligjit, e bënë edhe më të paqartë këtë vendim.
As Presidenca nuk arriti t’i ofrojë publikut një shpjegim mjaftueshëm konkret për arsyet juridike të kthimit të ligjit. Në njoftimin e 22 tetorit, vendimi u lidh me kërkesën zyrtare të Grupit Parlamentar të PDK-së dhe me çështjet e juridiksionit, mandatit dhe të drejtave kushtetuese.
Kështu, një iniciativë që duhej të shërbente për forcimin e mbështetjes juridike për katër krerët e UÇK-së përfundoi në një tjetër debat politik dhe procedural.
Është e papranueshme që një ligj i kësaj rëndësie të mbetet peng i paqartësive, mospajtimeve dhe kalkulimeve politike. Aq më tepër kur koha është thelbësore: procesi gjyqësor vazhdon dhe mbrojtja ka nevojë për përgatitje serioze për Apelin.
Pse Kuvendi nuk po e trajton këtë ligj me urgjencën që kërkon situata?
Kthimi i ligjit nuk e ka përjashtuar mundësinë e rishqyrtimit të tij. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë procedurat që duhet të ndiqen, përfshirë shqyrtimin në komision dhe vendimmarrjen përfundimtare me të paktën 61 vota. Edhe nëse ekzistojnë paqartësi procedurale për mundësinë e ndryshimit të tekstit, ato nuk duhet të shndërrohen në justifikim për mosveprim.
Është e papranueshme që kjo çështje të zvarritet pa një qëllim dhe pa një kalendar të qartë. Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë shumë më tepër sesa të shprehin solidaritet.
Ato mund dhe duhet të krijojnë kushtet për mbështetje serioze juridike të mbrojtjes, si dhe për një angazhim diplomatik të përgjegjshëm, në mënyrë që Apeli të rrëzojë aktgjykimin e Hagës dhe të shpallen të akuzuarit të pafajshëm e të lirë.
Gjashtëvjetori nuk duhet të jetë vetëm ditë kujtimi për katër krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë. Ai duhet të jetë edhe ditë llogaridhënieje për ata që sot kanë përgjegjësinë ta përfaqësojnë dhe ta mbrojnë interesin e Kosovës.
Nuk mjafton të thuhet se UÇK-ja është vlerë e historisë sonë. Kjo vlerë duhet të mbrohet me punë institucionale, seriozitet juridik, diplomaci dhe unitet përtej interesave partiake.
Në fund të fundit, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa nuk kanë nevojë për garë se cila parti e do më shumë UÇK-në. Ata kanë nevojë për një shtet që mbështetjen e dëshmon me vepra konkrete.
Është e papranueshme që, në gjashtëvjetorin e arrestimit të tyre, të kemi ende më shumë paqartësi politike rreth ligjit sesa përgjigje konkrete se çfarë po bëhet për t’i mbështetur ata.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në ceremoninë e…