19 vjet nga themelimi i “KosovaPress”-it

04 janar 2018 | 17:43

Më 4 janar të vitit 1999, si një nevojë e kohës dhe për të informuar për zhvillimet në Kosovë, u themelua Agjencia e Lajmeve “KosovaPress”, duke dhënë kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën çlirimtare, krimet serbe dhe bombardimet e NATO-s.

“KosovaPress”-i gjatë luftës, lajmet i publikoi në gjuhën shqipe, angleze, frënge dhe gjermane.
Me shuarjen e Qeverisë së Përkohshme, në janar të vitit 2000 dhe krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ, u shuan të gjitha institucionet e krijuara nga drejtoria politike e UÇK-së dhe Qeveria e Përkohshme.

Nga shtatori i vitit 2000, “KosovaPress”-i ka nisur rrugëtimin e saj si Agjenci e Pavarur e Lajmeve, duke u sfiduar gjatë këtyre viteve, fillimisht më mbijetesën, e pastaj edhe me zhvillimin.
Nga viti 2002, “KosovaPress”-i ka kaluar në sistemin me parapagim, fillimisht në gjuhën shqipe, e nga viti 2005 ka rifilluar në gjuhën angleze, ndërsa në 2007 edhe në gjuhën serbe dhe turke.
Në dhjetëvjetorin e themelimit (2009) “KosovaPress”-i solli në tregun medial të vendit produktet më të reja: video-lajmin dhe audio-lajmin, ndërsa në 15-vjetorin e themelimit, hapi zyrën në Tiranë.

Në 16 vjetorin, si produkt të ri solli sektorin e fotove. Në vitin e 17-të, startoi me produktin e transmetimeve të ngjarjeve LIVE (direkt). Transmetimet e drejtpërdrejta u realizuan me teknologjinë më të re të transmetimeve, përmes kamerave 4K. Ndërkohë që viti i ri do të sjell edhe një sërë projektesh të reja, që lidhen me punën profesionale dhe atë të teknologjisë. Ofrimi i këtyre produkteve, ka bërë që “KosovaPress”-i të rrit edhe më shumë bashkëpunimin me mediat e vendit, të rajonit dhe të botës.

Të gjitha këto informacione, “KosovaPress”-i ua sjell klientëve dhe lexuesve përmes lajmit të shkruar, video-lajmit, audio-lajmit dhe fotove, 7 ditë në javë, 365 ditë në vit, në gjuhën shqipe dhe angleze.

Agjencia e Pavarur e Lajmeve “KosovaPress”, gjatë këtyre viteve, ka dëshmuar vazhdimin e punës së gazetarisë së pavarur, kurse objektivi i “KosovaPress”-it do të vazhdojë të jetë i tillë, duke qenë një burim i lajmit të besuar dhe të shpejtë si dhe një kontribuues i rritjes së lirisë së të shprehurit.

“KosovaPress” është anëtare dhe një nga themelueset e Agjencive të Pavarura të Evropës Juglindore (APNA).

Në vitin 2017, “KosovaPress”-i është pranuar anëtare me të drejta të plota nga Asambleja e Përgjithshme e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE).

Produktet që “KosovaPress”-i ua ofron klientëve janë lajmet si tekst, videolajmet, audiolajmet, fotolajmet dhe transmetimet e drejtpërdrejta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brenda pak javësh Haxhi Zeka do ta fillojë punën në…