Stabiliteti ekonomik i Bashkimit Evropian nën presion – midis krizave të njëpasnjëshme dhe mungesës së një vizioni të përbashkët

04 korrik 2025 | 16:20

Nga Nazmi Jusufi, ekspert i ekonomisë dhe financave

Bashkimi Evropian ka ndërtuar ndër vite një arkitekturë ekonomike që ka garantuar stabilitet të qëndrueshëm përmes integrimit të tregut të përbashkët, politikave monetare të përbashkëta dhe rregullave fiskale strikte. Megjithatë, zhvillimet e dekadës së fundit – duke filluar nga pandemia, lufta në Ukrainë, krizat energjetike, sfidat inflacionare dhe tranzicioni ekologjik – kanë vënë këtë stabilitet në provë serioze. Në këtë realitet të ri, stabiliteti ekonomik nuk mund të merret më si i mirëqenë, por kërkon përshtatje të thellë të paradigmave politike dhe ekonomike në nivel unional.
Pandemia COVID-19 theu zinxhirët ekonomikë të BE-së dhe solli reagimin më të unifikuar financiar ndonjëherë: krijimin e fondit NextGenerationEU, një mjet novator solidar për të mbështetur rimëkëmbjen. Megjithatë, sapo filloi rimëkëmbja, shpërtheu lufta në Ukrainë, e shoqëruar me një krizë energjetike që nxiti një valë inflacioni të paprecedentë.
Ndërhyrja e Bankës Qendrore Evropiane përmes rritjes së normave të interesit, ndonëse e nevojshme, krijoi efekte anësore negative mbi rritjen ekonomike, investimet dhe konsumin, sidomos në vendet më të ekspozuara ndaj borxheve publike. Kështu, BE ndodhet në një dilemë të dyfishtë: ruajtja e stabilitetit monetar dhe nevoja urgjente për investime strategjike në energji të pastër, teknologji digjitale dhe siguri kolektive. Në këtë kontekst, fragmentimi fiskal i BE-së është bërë gjithnjë e më evident. Megjithëse ekzistojnë rregulla të përbashkëta buxhetore, ato zbatohen në mënyrë të pabarabartë. Vendet e Europës Veriore ruajnë ekuilibra të shëndetshëm fiskalë, ndërsa ato të Jugut përballen me borxhe të larta dhe deficite kronike. Mungesa e një unioni të vërtetë fiskal kufizon aftësinë e BE-së për të reaguar në mënyrë të koordinuar dhe efektive ndaj krizave. Për më tepër, tranzicioni i gjelbër, ndonëse thelbësor për të ardhmen, ka thelluar hendekun midis vendeve me kapacitete të ndryshme industriale dhe buxhetore. Ndërsa Gjermania dhe Franca kanë mundësi të subvencionojnë transformimin teknologjik, shumë vende të Evropës Lindore dhe Juglindore përballen me sfida të mëdha financiare. Kjo krijon perceptime të pabarazisë dhe rrezikon kohezionin politik të projektit evropian. Në këtë sfond, roli i politikës monetare është gjithnjë e më i kufizuar. Inflacioni aktual buron më së shumti nga faktorë të anës së ofertës dhe jo të kërkesës, gjë që e bën më pak efektive ndërhyrjen klasike përmes normave të interesit. Prandaj, BE ka nevojë urgjente për një koordinim më të ngushtë ndërmjet politikave fiskale dhe monetare, duke e konceptuar stabilitetin jo vetëm si kontroll të inflacionit, por si një ekuilibër të qëndrueshëm midis rritjes ekonomike, mbrojtjes sociale dhe tranzicionit ekologjik. Zgjidhja nuk qëndron tek reagimi ad-hoc ndaj krizave, por tek ndërtimi i një vizioni afatgjatë. Ky vizion duhet të përfshijë: forcimin e bashkëpunimit fiskal dhe krijimin e instrumenteve të përbashkëta investuese; reformimin e rregullave buxhetore për të mundësuar investime strategjike publike; harmonizimin e politikave industriale dhe energjetike; dhe fuqizimin e institucioneve të përbashkëta të BE-së në menaxhimin e krizave ndërkufitare.
Dhe perundim mund te themi se stabiliteti ekonomik i Bashkimit Evropian është shumë më tepër sesa një çështje e treguesve makroekonomikë – ai është një projekt politik që kërkon besim të ndërsjellë, solidaritet të vërtetë dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Në këtë udhëkryq historik, BE duhet të zgjedhë: do të mbetet një bashkim ekonomik i bazuar në rregulla rigide, apo do të evoluojë në një bashkim strategjik që ndërton qëndrueshmëri, drejtësi dhe kohezion të vërtetë për gjeneratat që vijnë?

Hagë
4 korrik 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK),…