Standardet e dyfishta po e mbysin prodhimin vendor
Shkruan: Hisen Berisha
Ngjarjet e dy ditëve të fundit nxjerrin në pah një problem shumë më të madh siç shpërfaqet mungesa e standardeve të barabarta në zbatimin e ligjit.
Dje, me urdhër të Prokurorisë Speciale, u arrestuan nëntë persona, të dyshuar për një skemë mashtrimi me derivate të naftës. Sipas dyshimeve, cisternat që deklaroheshin të ngarkuara me naftë transportonin ujë dhe kalonin kufirin si karburant.
Nëse kjo provohet, kemi të bëjmë me një nga mashtrimet më të mëdha ekonomike dhe fiskale të viteve të fundit.
Por lind një pyetje që nuk mund të anashkalohet, ku ishin institucionet përgjegjëse për kontrollin e cilësisë?
Ligji parasheh që mostrat të merren dhe të kontrollohen nga institucionet kompetente.
Si mund të funksionojë për një kohë të gjatë një skemë e tillë pa u zbuluar?
A ishte paaftësi, neglizhencë apo mbyllje sysh?
Deri më sot nuk kemi dëgjuar për asnjë përgjegjësi institucionale.
Ndërkohë, sot institucionet u vërsulën ndaj një prej kompanive më të mëdha të prodhimit vendor, “VITA”.
Askush nuk kërkon që bizneset të jenë mbi ligjin. Përkundrazi, ligji duhet të zbatohet ndaj secilit. Por ligji nuk mund të jetë selektiv. Ai nuk mund të jetë i verbër ndaj skemave milionëshe të mashtrimit dhe njëkohësisht spektakolar ndaj një kompanie që prej vitesh prodhon, investon, eksporton dhe mban gjallë një zinxhir të tërë ekonomik.
VITA nuk është vetëm një fabrikë. Ajo është burim i të ardhurave për mijëra punëtor, mijëra familje, partner i qindra fermerëve që çdo ditë dorëzojnë qumështin e tyre dhe një nga shtyllat e industrisë ushqimore në Kosovë.
Çdo goditje e pamatur ndaj një kompanie të tillë nuk prek vetëm pronarët e saj por, prek punëtorët, fermerët, transportuesit, furnitorët dhe gjithë ekonominë vendore.
Ekonomia nuk zhvillohet me spektakle institucionale. Ajo zhvillohet me siguri juridike. Investitorët investojnë aty ku ligji zbatohet në mënyrë të barabartë, ku institucionet janë profesionale dhe ku shteti nuk krijon frikë, por besim.
Nëse qeveria deklaron se mbështet prodhimin vendor, atëherë kjo duhet të dëshmohet me veprime, jo me slogane. Sepse prodhuesit vendorë nuk kanë nevojë për fjalë por, kanë nevojë për institucione të drejta, për konkurrencë të ndershme dhe për një shtet që lufton kontrabandën, mashtrimin dhe korrupsionin me të njëjtin vendosmëri me të cilën kontrollon bizneset e rregullta.
Kur standardet janë të dyfishta, humbet besimi. Kur humbet besimi, ikin investimet. Kur ikin investimet, mbyllen fabrikat, humben vendet e punës dhe varfërohet vendi.
Një shtet serioz nuk e sheh sektorin privat si armik. E sheh si partner në zhvillimin ekonomik. Sepse nuk ka ekonomi të fortë pa industri të fortë, nuk ka industri të fortë pa prodhim vendor dhe nuk ka prodhim vendor pa sundim të barabartë të ligjit.
Kosova ka nevojë për drejtësi të barabartë, jo për standarde të dyfishta. Ka nevojë për institucione që mbrojnë ligjin dhe ekonominë njëkohësisht, sepse vetëm kështu mbrohet interesi i qytetarëve dhe i shtetit.



