Jakup Krasniqi – njëriu që shkroi histori, bëri histori dhe po e mbron historinë
Shkruan: Ibrahim Gashi
Ka njerëz që historinë nuk e kanë shkruar vetëm me fjalë, por me jetën, vuajtjet dhe sakrificat e tyre. Njëri prej tyre është Jakup Krasniqi, i cili dhjetë vjet të jetës së tij i kaloi në burgjet jugosllave për idealin e lirisë kombëtare. Më pas, si luftëtar, zv. komandant i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëdhënës i UÇK-së, u bë një nga zërat më të njohur të luftës sonë çlirimtare.
Kontributi i tij nuk përfundoi me çlirimin e Kosovës. Ai vazhdoi me përkushtim edhe në procesin e ndërtimit të institucioneve dhe të shtetit të Kosovës. Si ministër, deputet, udhëheqës parlamentar dhe kryetar i Kuvendit historik që më 17 shkurt 2008 shpalli Pavarësinë e Kosovës, Jakup Krasniqi ishte pjesëmarrës dhe protagonist i drejtpërdrejtë i proceseve më të rëndësishme shtetformuese. Edhe në përgjegjësinë më të lartë institucionale, si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës, ai dëshmoi dinjitet, përgjegjësi shtetërore dhe integritet personal e institucional.
Në të gjitha këto detyra, ai la gjurmët e një veprimtari që lirinë e shihte si përgjegjësi, ndërsa shtetin si amanet të brezave që sakrifikuan për të. Për këtë kontribut shumëdimensional, Jakup Krasniqi zë një vend të veçantë ndër personalitetet dhe etërit themelues të Republikës së Kosovës.
Sot, pas gjithë atyre sakrificave, ai përballet me një tjetër sprovë të rëndë në Dhomat e Specializuara në Hagë, një proces që për shuumicen absolute të qytetarëve përjetohet si padrejtësi e madhe. Kësaj dhimbjeje i shtohet edhe sëmundja e bashkëshortes dhe drama njerëzore e takimeve të kufizuara familjare. Veçanërisht prekëse është pamja e vëllait të tij të moshuar, që e priste me lot në sy, por pa mundur ta përqafonte.
Sa shumë duhet të sakrifikojë një njeri për atdheun dhe sa dhimbje duhet të përballojë një familje që i dha kaq shumë lirisë së Kosovës?
Përtej dallimeve politike, kontributi atdhetar, çlirimtar dhe shtetformues i Jakup Krasniqit meriton respekt dhe mirënjohje të përhershme.
Sepse historia nuk mund të harrojë ata që sakrifikuan lirinë personale për lirinë e popullit dhe që jetën e tyre ia kushtuan ndërtimit të shtetit!
Drejtësia duhet të mbështetet në të vërtetën dhe ligjin, por nuk guxon ta humbasë kurrë dimensionin njerëzor!



