E PARA KOSOVA, PASTAJ TË GJITHË NE!
Shkruan: Faton Hasani
Kosova po kalon nëpër një situatë jashtëzakonisht të rëndë dhe shqetësuese. Nuk mund dhe nuk duhet t’i mbyllim sytë para asaj që po ndodh me vendin tonë. Zhvillimet e ditëve të fundit janë tri mesazhe të qarta se kemi hyrë në një periudhë të jashtëzakonshme, në të cilën asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë dhe askush nuk mund ta dijë se çfarë na pret nesër.
Brenda vetëm tri ditësh ndodhën tri zhvillime që kërkojnë vëmendjen dhe reagimin e të gjithëve:
1. Intonimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, në praninë e zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Evropian. Një veprim me peshë politike dhe simbolike, që nuk mund të kalojë në heshtje, sidomos kur bëhet fjalë për një çështje kaq të ndjeshme për Kosovën.
2. Një tjetër vendim dënues ndaj Hashim Thaçit, bashkëthemeluesit të UÇK-së dhe presidentit të parë të Kosovës, si dhe zhvillimet e tjera në proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Deri më tani, janë shqiptuar 12 dënime në këto procese, ndërsa shqetësimet për mënyrën se si po trajtohet historia dhe lufta çlirimtare mbeten të mëdha. Përpjekjet për ta trajtuar UÇK-në si organizatë kriminale janë shqetësim që prek jo vetëm individët, por edhe kujtesën historike dhe dinjitetin e vendit tonë.
3. Trajtimi i Jakup Krasniqit, i cili u soll nga Haga për të vizituar bashkëshorten e tij në gjendje të rëndë shëndetësore. Pamundësia për t’u përshëndetur qoftë edhe me vëllain e tij, në këto rrethana të dhimbshme familjare, ngre shqetësime serioze njerëzore dhe për trajtimin dinjitoz që duhet t’i garantohet çdo të paraburgosuri.
Këto nuk janë zhvillime të zakonshme. Ato kanë dimension politik, kombëtar, diplomatik dhe njerëzor. Për nga disa dimensione, situata që po përjetojmë është e paprecedentë edhe në raport me periudhën e viteve 1998–1999.
Përballë kësaj gjendjeje, Kosova ka nevojë për unitet, përgjegjësi dhe mobilizim të përbashkët. Ka nevojë që interesat partiake dhe ambiciet individuale të lihen përkohësisht anash. Sot nuk është koha për gara, për ndarje apo për përplasje brenda nesh. Sot është koha që të dëshmojmë se dimë të bashkohemi kur vendi ka më së shumti nevojë.
Pikërisht për këtë arsye, kam marrë një vendim të rëndësishëm personal dhe politik.
Pezulloj kandidaturën time për Kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të gjithë aktivitetin tim politik, deri në përfundimin e procesit gjyqësor ndaj çlirimtarëve në Hagë.
Ky nuk është një vendim kundër garës, kundër PDK-së apo kundër ambicieve të mia politike. Është një vendim i marrë duke vlerësuar rrethanat e jashtëzakonshme në të cilat ndodhet vendi ynë. Besoj se në këtë moment përgjegjësia ndaj Kosovës duhet të jetë mbi çdo interes dhe angazhim individual apo partiak.
Dua të falënderoj sinqerisht të gjithë ata që më kanë përkrahur, inkurajuar dhe besuar në kandidaturën time për të udhëhequr PDK-në. E vlerësoj secilin prej jush dhe gjithë besimin që më keni dhënë.
Por sot besoj se PDK-ja dhe të gjitha forcat politike duhet të reflektojnë përtej garave të brendshme. Nuk kemi nevojë për ndarje të reja, por për bashkim, mirëkuptim dhe një qëndrim të përbashkët për çështjet që prekin themelet e shtetit tonë.
Njëkohësisht, dua ta bëj të qartë se nuk po tërhiqem nga përgjegjësia ime ndaj vendit. Përkundrazi, jam i gatshëm të angazhohem edhe më shumë aty ku sot është më e nevojshme.
Vihem në dispozicion të plotë të ekipit qeveritar dhe të të gjitha strukturave që merren me mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë, në çdo detyrë dhe përgjegjësi ku vlerësohet se mund të jap kontribut.
Jam i gatshëm të vë në shërbim të këtij angazhimi të gjitha kapacitetet e mia financiare, intelektuale dhe profesionale, përvojën time, raportet dhe njohjet ndërkombëtare, si dhe gatishmërinë për të lobuar te partnerët tanë ndërkombëtarë.
Këtë angazhim e konsideroj detyrim ndaj vendit, historisë sonë dhe njerëzve që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Synimi im është të kontribuoj që çlirimtarët të kenë një proces gjyqësor të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm, duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
Nuk është koha të numërojmë se kush fiton apo humb politikisht. Është koha të dëshmojmë se sa jemi të gatshëm të bëjmë për Kosovën.
Garat politike do të kenë kohën e tyre. Përgjegjësia ndaj Kosovës nuk pret.
E PARA KOSOVA, PASTAJ TË GJITHË NE!



