17 MUAJ BURGIM, PAS 25 VJETËVE DENIM, NJË KUNDËRTHËNIE QË KËRKON PËRGJIGJE!
Shkruan: Hanife Salihu
Dënimi i sotëm i Presidentit Hashim Thaçit me 17 muaj burgim për pengim të administrimit të drejtësisë ngre pikëpyetje serioze dhe të pashmangshme.
Nëse Hashim Thaçi paska arritur ta pengojë procesin gjyqësor në Hagë, atëherë si është e mundur që në procesin kryesor të dënohet me 25 vjet burgim? Nëse pengimi i drejtësisë ka qenë aq i rëndë sa të justifikojë një dënim të veçantë, si nuk është reflektuar kjo në procesin kryesor? E, nëse procesi kryesor ka përfunduar me një dënim prej 25 vjetësh, atëherë pse sot shqiptohet edhe një dënim tjetër prej 17 muajsh për pengim të drejtësisë?
Pikërisht këtu qëndron pyetja që kërkon përgjigje: si mund të flitet për pengim të procesit, kur procesi ka vazhduar dhe ka prodhuar një vendim kaq të rëndë? A nuk krijon kjo një kontrast që meriton të shpjegohet para opinionit publik?
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, edhe data e sotme mbart një simbolikë të veçantë. 17 Nëntori, datë e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shënohet sot me një dënim prej pikërisht 17 muajsh burgim ndaj njërit prej figurave kryesore të historisë së saj.
Nuk mund të mos shtrohet pyetja: a është thjesht rastësi kjo përputhje e datës 17 me 17 muaj burgim? Pse pikërisht 17 muaj? Pse jo 16 apo 18? Nuk po them se këto përputhje dëshmojnë një qëllim të caktuar, por simbolika e tyre nuk mund të kalojë pa u vënë re, sidomos kur bëhet fjalë për një datë kaq domethënëse për historinë tonë.
17 Nëntori duhet të mbetet në kujtesën tonë si datë e lidhur me themelimin e UÇK-së, me rrugëtimin e saj dhe me përpjekjen për lirinë e Kosovës. Një datë që bart peshën e historisë, të sakrificës dhe të një populli që nuk u pajtua kurrë me robërinë.
Prandaj, dënimi i sotëm prej 17 muajsh burgim ndaj Hashim Thaçit është i papranueshëm dhe nuk mund të kalojë pa kundërshtim. Ai ngre shqetësime të thella dhe kërkon shpjegime të qarta përballë pikëpyetjeve dhe kundërthënieve që e shoqërojnë. Nuk mund të pranojmë vendime që, në vend se të forcojnë besimin në drejtësi, thellojnë dyshimet dhe lënë pas vetes më shumë pyetje sesa përgjigje. Ne kërkojmë drejtësi të vërtetë, të paanshme dhe të besueshme, drejtësi që nuk lë vend për dyshime dhe që respekton dinjitetin e njeriut dhe historinë e një populli që luftoi për liri, gjë që Dhomat e Specializuara në Hagë, si me dënimin e sotëm, ashtu edhe me vendimin e 16 shtatorit ndaj katërshes së UÇK-së, nuk arritën ta dëshmojnë se po bëjnë drejtësi, dhe vetëm drejtësi nuk bënë.
Shkruan: Hanife Salih



