Nacionalizmi primitiv serb gjen vend në forumin zyrtar të Bashkimit Evropian
Shkruan: Hisen Berisha
Nga një këngë ultranacionaliste serbe e vitit 1989, te kriza e besueshmërisë së ndërmjetësimit evropian ndaj Kosovës.
Interpretimi i këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, më 15 nëntor 2026, nuk mund të trajtohet si një incident i zakonshëm protokolar.
Për Kosovën, kjo ngjarje ka domethënie shumë më të thellë historike, politike dhe diplomatike.
Nuk është fjala vetëm për titullin e një kënge, por për përmbajtjen, kohën kur është krijuar, narrativën që bart dhe simbolikën që përfaqëson.
Aq më tepër kur ajo interpretohet në një aktivitet zyrtar të Bashkimit Evropian, i cili pretendon të promovojë unitetin, fqinjësinë e mirë dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kënga u krijua në vitin 1989, pikërisht në kohën kur regjimi serbo-jugosllav i Slobodan Millosheviqit kishte ndërmarrë ofensivën politike dhe institucionale për shkatërrimin e autonomisë dhe subjektivitetit federal të Kosovës.
Më 23 mars 1989, nën trysninë ushtarake e policore të njësive federale, të regjimit komunist jugosllav dhe në rrethana të jashtëzakonshme, u imponuan ndryshimet kushtetuese, ndërsa më 28 mars Serbia i miratoi ato, duke ia marrë Kosovës në mënyrë efektive autonominë e garantuar me Kushtetutën e vitit 1974.
Ky ishte fillimi i një periudhe të represionit sistematik, largimit masiv të shqiptarëve nga institucionet,përjashtimit nga puna, arsimi, shëndetësia dhe jeta publike, pra gjenocid shtetror në kuptimin procesual, si dhe i vendosjes së kontrollit të drejtpërdrejtë të Beogradit mbi Kosovën.
Prandaj, viti 1989 nuk është një detaj kalendarik.
Është një pikë kthese në historinë moderne të Kosovës.
Është viti kur Millosheviqi e shndërroi Kosovën në instrument të projektit të tij nacionalist dhe kur shqiptarët u përballën me një regjim ua mohonte të drejtat politike, institucionale dhe kombëtare.
Në këtë kontekst historik duhet kuptuar edhe ngarkesa politike e këngës “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila ndërtohet mbi narrativën nacionaliste dhe fetare serbe për Kosovën si “djep të shtetësisë dhe identitetit serb”.
Një dimension indikativ i kësaj ngjarjeje lidhet me vetë komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos dhe pikpyetjet që nuk mund të anashkalohen!
Përpara se të emërohej në këtë detyrë, emri i saj ishte përfshirë në një debat publik në Slloveni lidhur me pretendimet për bashkëpunim me shërbimin sekret jugosllav UDB, edhe nga vetë kryeministri slloven.
Autori slloven Igor Omerza, në librin e tij “Komisarja”, ka publikuar dokumente arkivore për të cilat pretendon se dëshmojnë bashkëpunimin e saj me strukturat e ish-shërbimit sekret jugosllav.
Këto pretendime janë ngritur edhe në Parlamentin Evropian dhe janë adresuar pyetje zyrtare nga eurodeputetë, lidhur me dokumentet e publikuara dhe nevojën për verifikimin e tyre.
Këto pretendime nuk mund të paraqiten si fakte të vërtetuara gjyqësisht. Por, duke pasur parasysh rëndësinë e detyrës që ajo ushtron, dokumentet e pretenduara dhe pyetjet e ngritura në institucionet evropiane meritojnë transparencë dhe përgjigje të qarta.
Këtu shtrohet edhe një pyetje politike se, a është e vetëdijshme Marta Kos për domethënien historike të këngës që u interpretua në aktivitetin nën përgjegjësinë institucionale të Komisionit Evropian që organizohet nën përgjegjësinë e saj?
Për ne që kemi jetuar e udhëtuar bashkë me historinë e popullit shqiptar nën ish jugosllavin komuniste dhe vet Kosovës deri në shkëputjen nga kthetrat e serbo-Jugosllavisë, Marta Kos jo vetëm që ja ka ditur domethënien këngës por edhe e di përmbajtjen dhe e ka pasur si motivim në misionin e saj si argat i shërbimit sekret serb të kohës.
Dhe nisur nga doktrina amerikane “njëherë marrins terë jetën marrins” – Marta Kos vazhdon të mbetet peng e të kaluarës së saj në UDB jugosllave, tani BIA serbe.
Është e vështirë të trajtohet kjo çështje vetëm si një gabim teknik i muzikantëve, pa kërkuar sqarime për mënyrën se si është përzgjedhur programi, kush ka pasur përgjegjësi për të dhe çfarë njohurish kanë pasur organizatorët për historinë e Kosovës.
Nëse pretendohet se gjithçka ishte një gabim i pavetëdijshëm, atëherë BE dhe strukturat tij si KE, PE, kanë krize identiteti politik, komunitar dhe diplomatik.
Pra, një vend si Kosova nuk duhet ti besoj një kreature të tillë që nuk arrin të ruaj pastërtinë përfaqësuese të mekanizmave të vetë politik, diplomatik, drejtues e ndërmjetësues.
Pra, dua të them se, BE-ja nuk mund të kërkojë besim, pa garantuar besueshmëri.
Për Kosovën, kjo ngjarje duhet të hapë një debat më të gjerë për raportet me Bashkimin Evropian dhe për besueshmërinë e zyrtarëve që kanë marrë përsipër ndërmjetësimin në raportet Kosovë-Serbi.
Rasti i Marta Kos nuk mund të shkëputet nga përvoja e mëparshme me përfaqësuesit e BE-së në dialog, përfshirë Josep Borrellin dhe Miroslav Lajçakun.
Gjatë mandatit të tyre janë ngritur vazhdimisht kritika në Kosovë lidhur me paanshmërinë, baraspeshën e presionit dhe mënyrën e trajtimit të përgjegjësive të Serbisë dhe Kosovës. Por, për të reaguar duhen burrështetas me autoritet kombëtar, pa hipoteka.
Ndërmjetësimi ndërkombëtar nuk mund të funksionojë vetëm mbi autoritetin formal të institucionit.
Ai kërkon besim, paanshmëri të demonstrueshme, standarde të njëjta dhe përgjegjësi politike.
Kur këto kushte vihen në dyshim, Kosova ka të drejtë të kërkojë rishqyrtim të mekanizmave të ndërmjetësimit dhe të marrëdhënieve institucionale.
Një çështje tjetër që kërkon vëmendje është ndikimi i Rusisë në politikën evropiane dhe në proceset e sigurisë në Ballkan.
Marrëdhëniet e Serbisë me Moskën, bashkëpunimi i tyre politik dhe interesat ruse për destabilizimin e rajonit janë arsye që Kosova të kërkojë vlerësim të vazhdueshëm të çdo politike evropiane që prek drejtpërdrejt sigurinë dhe sovranitetin e saj.
Megjithatë, ajo që duhet të kërkohet është transparencë për ndikimet politike, qëndrimet ndaj Serbisë dhe mënyrën se si mbrohen interesat e Kosovës.
Historia moderne e Kosovës dëshmon rëndësinë vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si, partneri strategjik i lirisë dhe sigurisë së Kosovës.
Në vitin 1999, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për ndaljen e represionit dhe dhunës së regjimit të Millosheviqit, NATO-ja ndërmori fushatën ajrore kundër Republikës Federale të Jugosllavisë.
Shtetet e Bashkuara luajtën rol udhëheqës në këtë ndërhyrje dhe në përpjekjet diplomatike që e paraprinë dhe e pasuan atë.
Kjo është një pjesë themelore e historisë sonë, rrëfimi se, liria e Kosovës u bë e mundur nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s, me udhëheqjen vendimtare amerikane, pas një periudhe të gjatë represioni dhe dhune shtetërore serbe.
Prandaj, partneriteti me SHBA-në nuk është thjesht një orientim diplomatik.
Ai është pjesë e themelit mbi të cilin u ndërtua siguria dhe perspektiva ndërkombëtare e Kosovës.
Në çdo çështje që prek sovranitetin, sigurinë, integritetin territorial dhe marrëdhëniet me Serbinë, koordinimi strategjik me Uashingtonin duhet të jetë pjesë thelbësore e politikës së jashtme të Kosovës.
Në këtë kontekst duhet të shqyrtohet edhe roli i ndërmjetësimit evropian.
Kosova ka të drejtë të kërkojë që SHBA-ja të ketë rol qendror në çdo proces të ardhshëm, sidomos kur besueshmëria e ndërmjetësimit të BE-së vihet në pikëpyetje.
Me një fjalë, është qëndrim doktrinor politik se, nuk mund të kërkohet besim pa përgjegjësi.
Ngjarja nuk duhet të mbyllet me një deklaratë keqardhjeje.
Kosova duhet të kërkojë përgjegjësi, transparencë dhe garanci institucionale.
Duhet të mbrojë interesat e veta shtetërore dhe të mos lejojë që ndjeshmëria e saj historike të trajtohet si një problem protokollar.
Mbi të gjitha, kjo ngjarje duhet të shërbejë si rast për një rishqyrtim serioz të politikës së jashtme të Kosovës, të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe të rolit të Shteteve të Bashkuara në proceset që përcaktojnë të ardhmen e vendit.
Kosova nuk e fitoi lirinë duke pritur që regjimi i Millosheviqit të ndryshonte vetvetiu. Ajo u çlirua pas rezistencës së popullit të saj dhe ndërhyrjes vendimtare të NATO-s, me udhëheqjen amerikane.
Kjo histori duhet të mbetet udhërrëfyes për politikën tonë të jashtme, se partneritet strategjik me SHBA-në, mbrojtje e pakompromis e sovranitetit dhe marrëdhënie ndërkombëtare të bazuara në respekt, barazi dhe besueshmëri.
Me ketë, Kosova kërkon respekt për historinë e saj, për shtetësinë e saj dhe për të drejtën e saj që të mos vihet në pikëpyetje nga narrativat nacionaliste primitive të atyre që dikur ia mohuan lirinë.



