Përse melodia çetnike në Forumin e Bashkimit Evropian?

16 nëntor 2026 | 16:20

Shkruan: Agim R. ZOGAJ

Nostalgjikët evropianë, në kurthet e Projektit të “Serbisë së Madhe”

Kosova e di se, Serbia, nuk lë gur pa lëvizur, për ta shfaqur ideologjinë e saj pushtuese, çetnike ndaj shtetit të Kosovës, në çdo formë, me diplomaci, me ekonomi, me siguri, me ushtri, e polici, me sport, kulturë, kësaj radhe, dje edhe me muzikë! Më 15 nëntor në Bruksel, gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Komisioni Evropian, në konçertin me titull, “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, u interpretua edhe melodia e këngës serbe, “Oj Kosovo, Kosovo”! Kënga “ Sa Kosova zora sviçe” ( Nga Kosova zbardh agimi ) e njohur edhe si “ Oj Kosovo, Kosovo”, u krijua në vitin 1989 nga kompozitori serb, Lubomir Manasijeviç. Kënga, sipas rrëfimit të kompozitorit Manasijeviç ishte frymëzuar nga përjetimet e tij gjatë shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në Manastirin e Graçanicës, në qershor të vitit 1989. Teksti i këngës përmban referenca të kujtesë mitike serbe të historisë mesjetare dhe trashëgimisë fetare, gjithsesi, me pretendimet fashiste të e shtetit serb ndaj territorit, shtetit të Kosovës. Në një nga vargjet e kësaj kënge “Nga Kosova zbardh agimi” thuhet :” Nuk të japim, Kosovë”, ndërsa në vargjet tjera, Kosova paraqitet si territor, i cili, sipas politikës shoviniste serbomadhe, gjoja u ka takuar serbëve dhe është “trashëguar nga brezat e përparëm serb”! Në tekstin e këngës, më 15 nëntor 2016, shekulli i XXI, jehon fuqishëm ideologjia ekspansioniste serbe kundrejt Kosovës, e shndërruar në mitin e rrejshëm serb: “… Toka e Kreshnikëve legjendarë Lazarit e Miloshit; Srbadija thërret e gjitha, “Nuk të japim Kosovo”; Ajo ishte e yna gjithmonë nga gjyshërit na ka mbetur; Oj Kosovo, Kosovo toka ime e dashur”…!
Gjithsesi, emitimi i kësaj kënge, kryekëput me përmbajtje serbomëdha, të ideologjisë ekspoansioniste të shtetit serb, të ideologjisë çetnike, në një ngjarje kulturore të organizuar nga Komisioni Evropian paraqet skandal të rëndë diplomatik, ndërkombëtar të organizatorit. Për më tepër, ky akt i emitimit të melodisë, këngës serbe, me përmbajtje të pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, është akoma më i turpshëm, sepse, koncerti është titulluar “ Meloditë e unitetit…”! Nuk është e mundur që, organizatorët, pra, Komsioni për zgjerim i BE-së të mos e kanë ditur se, çfarë përmbajtje shoviniste, anti Kosovë, ka ajo melodi e këngës. Edhe për faktin se, titulli i këngës, melodisë ishte shfaqur në ekran.

Riho Terras e kritikon oportunizmin politik të Marta Kos

Pas, reagimeve të zyrtarëve të shtetit të Kosovës, Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e shprehi një keqardhje të përgjithësuar, gati se formale. Madje, sipas saj “… përzgjedhja e kësaj kënge ishte përgjegjësi e muzikantëve…”! Vlora Çitaku, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së dhe nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në reagimin e saj shprehet se: “Komisioni Evropian nuk mund t’ua bartë përgjegjësinë vetëm muzikantëve”! Kos, nuk e tha asnjë fjalë për porositë serbomëdha, me ideologjinë çetnike dhe për pretendimet territoriale, ekspansioniste të vargjeve të këngës, melodisë, “ Nga Kosova zbardh agimi”!? Më tej, Kos shprehet: “…ne nuk kërkojmë që dallimet të harrohen”? E nderuara zonjë, nuk e qartëson se për çfarë dallime ajo mendon? Në fakt, nuk është fjala për dallime, por për politikën shoviniste, të Serbisë kundrejt Kosovës, për politikën shtetërore, institucionale të Serbisë, e cila, në luftën e Kosovës 1998 – 1999 kulmoi me gjenocidin e shtetit serb, me vrasjen e mbi 14.000 civilëve shqiptarë! Kos, po ashtu nuk dha asnjë shpjegim, përse, për të dytin vit radhazi, Kosova nuk ftohet në “Forumin për Zgjerim”? Ish ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi dhe ambasador në Washington, Miodrag Vlahoviç është edhe më i drejtpërdrejt në lidhje me përgjegjësinë e Marta Kos: “… Kos vazhdon të tregojë një prirje jashtëzakonisht problematike drejt bashkëpunimit dhe përkrahjes së partive dhe politikanëve nacional – shovnist…”! Ndërsa, Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras me të drejtë, ka kritikuar Bashkimin Evropian, për emitimin e melodisë, këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës e cila u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Ai, përkundër oportunizmit të Marta Kos, ka konstatuar se ky është: “ Një provokim i qëllimshëm, ose një shfaqje e pastër e injorancës”!
Për opinionin publik në Kosovë kjo shkelje brutale, përmes artit, melodisë së këngës serbomadhe, e sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës, në Forumin për Zgjerimin e BE-së, paraqet një akt të paprecedent kundër lirisë, shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Nuk është hera e parë që, institucionet e BE-së, tolerojnë, “përkëdhelin” shovinizmin shtetëror të Serbisë kundrejt Kosovës, popullit liridashës shqiptar! BE, disa udhëheqës të saj, mendojnë ta afrojnë Serbinë shoviniste, duke e dëmtuar Kosovën, duke na kërkuar që të “pajtohemi” me fashizmin shtetëror serb, ta harrojmë gjenocidin e saj kundër fëmijëve, grave, burrave, të rinjve, racës sonë shqiptare! BE-ja, e cila, aq shumë na qenka e “frymëzuar” me Serbinë, le ta detyrojë Serbinë ta heq nga preambula e Kushtetutës së saj emërtimin serbomadh, “Kosovë dhe Metohi”, ose, për më tepër, le t’ia sugjerojnë Serbisë që, në preambulën e Kushtetutës së saj t’i vendos, edhe emrat e shteteve anëtare të BE-së!
BE-ja, jo që nuk e ka bërë deri më tani asnjë reagim, vendim për këtë, pretendim të hapur serb me kushtetutë, ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, por, sikur ndodhi më 15 nëntor 2026, lejon që, ideologjia çetnike serbe kundër Kosovës të jehojë në Forumin e BE-së. Madje, duket se, për të mos e trazuar Serbinë, udhëheqjen e saj të re, nacionaliste, Republika e Kosovës nuk u ftua në Forumin për Zgjerimin e BE-së. Natyrisht që, Kosova, në çdo rast e në çdo situatë, mbi vlerat evropiane, perëndimore, do ta mbrojë lirinë e saj, shtetin tonë! Edhe me këtë demokraci të rrethuar, shteti i pavarur i Kosovës, e forcon lirinë e Evropës së Re!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gjykata Speciale në Hagë pritet që nesër, në orën 10:00,…