PERBASHKIMI, NDRYSHIMI I KURSIT, NDASIA DHE LUFTA ÇLIRIMTARE

16 nëntor 2026 | 13:15

Shkruan: Hajdin Abazi

Propaganda si egjra kundër së vërtetës së luftës çlirimtare

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, po sidomos pas saj, ndodhi një devijim nga vlera e përbashkët që ishte arritur, shpesh duke harruar burimin e së vërtetës.
Kjo u manifestua në përhapjen e një propagande tepër denigruese ndaj imazhit të UÇK, duke e shtrembëruar pak nga pak thuaja në gjithçka që ishte e vlefshme e që ishte krijuar me mund e me sakrifica.
Askush nuk u kursye.
Dje asgjë.
Kësaj klime që vinte nga jugo-nostalgjikët, nga inteligjenca serbe e atyre proserbe, i kontribuuan jo pak edhe shfrenimet retorike, akuzat e kundër akuzat, shpesh deri në shpifje, të emrave eminent të luftës çlirimtare, duke dashur të zhvlerësohen thuaja të gjithë të tjerët e të mbetej vetëm një, ai vetë dhe ndonjë pas tij. Mjafton të futesh në YouTube dhe rrëqethesh nga ato që sheh e dëgjon!
Kjo frymë delirante që dukej si një çrregullim kognitiv, ua lehtësoi fushë-veprimtarinë atyre që kishin agjenda anti-Kosovë, po edhe e legalizoi shpifjen e të pavërtetën.
Aq shumë u përhap trendi i keq-portretizimit të UCK, sa propaganda u përhap gjithandej si egjra, një bimë e keqe parazitë e cila rritet me grurin e drithëra të tjera, fara e së cilës po u përzi me grurin shkakton marramendje Dhe çrregullime serioze. Mu si egjra, propaganda anti-UÇK përhapej gjithandej si alternativë e së vërtetës, ndërkohë që ishte e pavërtetë dhe në të shumtën edhe e rreme.
Kjo na kushtoi, shumë madje.
Dhe tash, e kemi kuptuar gabimin e madh që qe bërë, e që na ka sjellë dëme të mëdha.
Degradimin i pavend i vlerave të luftës çlirimtare e shpreh dhembshëm thënia se “po më vjen turp me i thënë sekujt se kam qenë në UÇK!”, që jo rrallë e kam dëgjuar nga bashkëluftëtarët, në shenj dëshpërimi dhe zhgënjimi.

Inferioriteti i LDK-së ndaj vlerave të veta të luftës çlirimtare

Në një atmosferë të tillë, kur vetë ish pjesëtarët e UÇK-së ndjehen keq nga reputacioni i deformuar i luftës çlirimtare, është e kuptueshme se LDK-ja do të ndjehej mirë që nuk ishte identifikuar me UÇK-në.
Por kjo ishte e gabuar.
E gabuar, jo nga disa eksponentë ekstrem përçarës edhe sot e kësaj dite, por nga masat e gjera të LDK-së dhe nga disa figura kredibile e me integritet të saj. Në fakt, qëndrimi i LDK-së kundrejt UÇK-së është më kompleks. Këtu ka pasur ndikim politika qendrore e saj e pasivizimit të rezistencës së armatosur dhe përcaktimi ekskluziv për politikë paqësore madje edhe në momentet kur ajo nuk jepte asnjë fryt fare.
Edhe mospërmbushja e marrëveshjes së Rambujesë për Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (QPK), e bëri LDK-në politikisht deri në fund, deri në shuarjen nga UNMIK-u të institucioneve kosovare, të mbetej në pozita rigide.
Atëherë e ndër vite dhe ende edhe sot e kësaj dite ndjehet gjithandej një lloj inferioriteti i LDK-së ndaj UÇK-së. E kjo ka kontribuar në përforcimin e perceptimit të gabuar se ajo ishte kundër UÇK-së, gjë që sigurisht i ka çuar ujë mullirit të ndonjë eksponenti të UÇK-së që, për arsye e motive të ndryshme, gjoja për ta lartësuar UÇK-në me “luftën” që “i ka bërë LDK-ja”.
Përtej qëndrimeve jo të duhura politike të nivelit qendror që sigurisht e kishin efektin e vet jo të mirë, anëtarësia e gjerë e LDK-së ka shumë arsye faktike që të mos ndjehet inferiore kundrejt UÇK-së.
E rrjedhimisht as mos t’i braktisë vlerat e veta të luftës çlirimtare dhe të vetë UÇK-së. Sepse është i gabuar perceptimi (i vetë asaj dhe i të tjerëve) se UÇK-ja nuk i përket fare LDK-së.
I gabuar, sepse inferioriteti i LDK-së tregon diçka tjetër, se ajo nuk e njeh kontributin tejet të madh të bazës së vet në vetë UÇK.
Se kishte një lloj konkurrence që i ngjanë asaj për pushtet në një periudhë të caktuar – nuk mund të mohohet; porse konkurrenca për pushtet nuk është armiqësi.
Në këtë kontekst, perceptimi si anti-UÇK nuk është në përputhje me veprimin e bazës së LDK-së në terren.
Po aq, as i UÇK-së si anti-LDK.
Nuk kishte një pozicionim të tillë të prerë dhe strikt gjatë kohës së luftës.
Madje, po qe se e abstraktojmë ndonjë incident, gjendja në terren zbulon një pamje krejt tjetër.

Institucionet e Kosovës ndërmorën veprime për rezistencë të armatosur

Po qe se kthehet vështrimi historik në retrospektivë, atje ku diku ishte fillimi i angazhimit të institucioneve të mëvetësishme të Kosovës, do të shquajmë se në emër të qeverisë Bukoshi në ekzil, e në Kosovë vepronin strukturat e LDK-së, u financua rekrutimi dhe caktimi i grupeve për stërvitje ushtarake në Shqipëri.
Kjo ndodhi në vitin 1991.
Sipas të dhënave, më 1 tetor ka mbërritur grupi i parë i vullnetarëve, në mesin e të cilëve ishin Sali Çekaj dhe Zahir Pajaziti.
Në nëntor mbërriti edhe grupi tjetër vullnetarësh ku bënin pjesë Adem Jashari, Hamëz Jashari e të tjerë.
Pas një muaj stërvitjesh shumë intensive, të dyja grupet, gjithsesi të furnizuar me armë dhe municion, u kthyen në fillim të dhjetorit po të atij viti në Kosovë.
Menjëherë, në Drenicë, Llap e Dukagjin, radhët guerile të Adem Jasharit, Zahir Pajazitit dhe Sali Çekajt filluan sulmet kundër forcave agresore serbe në Kosovë.
Më 30 dhjetor 1991, forcat agresore serbe, pasi kishin identifikuar strumbullarin e rezistencës së armatosur, rrethuan shtëpinë e Jasharajve në Prekaz dhe pas një qëndrese heroike, Adem, Hamëz e Shaban Jashari me familje i thyen forcat që i kishin rrethuar.
Kështu, organizimi i rezistencës së armatosur në nivel kombëtar në vitin 1991, me gjithë se kishte grupe guerile që më parë, u bë nga institucionet që drejtoheshin nga LDK-ja.

Bashkëpunimi i rezistencës së armatosur me Dr. Ibrahim Rugovën

Ka fakte, si xhirime filmike, se familja Jashari emblemë e UÇK-së dhe e luftës çlirimtare, duke e ditur se vetëm organizimi në nivel kombi dhe institucionet shtetërore mund ta avancojnë rezistencën kombëtare, kishin në muri fotografinë e presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Ka të dhëna se në atë kohë vetë Adem Jashari presidentin Rugova e konsideronte si komandant të tij dhe të radhëve çlirimtare, kurse veten ushtar të tij. Përtej së vërtetës, kjo tregon se çfarë mentaliteti shtetformues kishte Komandanti Legjendar dhe familja Jashari.
Flitet se pas stërvitjeve ushtarake në Shqipëri, presidenti Rugova dhe rrethi i ngushtë i tij informoheshin paraprakisht për aksionet që do të bëheshin nga njësitet guerile të Adem Jasharit.
Po ashtu thuhet se janë zhvilluar dy takime, në Zvicër dhe në Tiranë, të Adem Jasharit me Ibrahim Rugovën në vitin 1993, por nuk dihet se për çfarë është biseduar, për çfarë janë pajtuar apo nuk janë pajtuar.
Këto raporte duhet të ndriçohen, të shkruhen artikuj, studime, të bëhen dokumentarë, sepse e vërteta do të ndikojë në kuptimin real të zhvillimeve të asaj kohe, dhe do të pasqyrojnë unitetin politik e kombëtar të rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës.

Një shembull konkret bashkëpunimi në diasporë

Si veprimtar i hershëm kam marrë pjesë tri herë në Kosovë në bashkimet organizative midis radhëve atdhetare-revolucionare ilegale në Kosovë.
Në vitin 1985 kur u bashkuan katër grupet ilegale dhe riorganizuam OMLK. Në fund të atij viti, pas arrestimeve masive në nëntor, ramë dakord që të bashkoheshim në Kosovë me PKMLSHJ. Pastaj në vitin 1989, kur nga diaspora bashkë me Ali Ahmetin kam ardhur ilegalisht për të ndihmuar rikonsolidimin e radhëve në Kosovë.
Edhe në veprimtarinë time në Suedi, kam ndjekur linjën e bashkëpunimit me të gjitha subjektet politike shqiptare, e veçanërisht me LDK-në, për temat e organizimet me karakter kombëtar.
Kam marrë pjesë në grumbullimin e Fondit të 30%; kam ndihmuar Fondin e 3% me krijimin e një programi në Exel për evidentimin e kontributeve vullnetare nga mërgimtarët, kam marrë pjesë në referendumin për Pavarësinë e Kosovës (26 – 30 shtator 1991) dhe shumë aktivitete të tjera, gjithnjë në bashkëpunim si LPK me LDK-në.
Më interesantja e që lidhet me temën e këtij shkrimi, ka të bëj me vitin 1991, në Malmö të Suedisë. Dega e LDK-së kishte filluar të rekrutonte vullnetarë për stërvitje ushtarake në Shqipëri. Meqë kryetarin e Degës së LDK-së në Suedi, Dr. Muhamet Shatrin, e njihja mirë sepse kemi pasur një bashkëpunim shumë korrekt në çdo veprimtari me karakter kombëtar. Shkova tek ai dhe i thashë se kam ardhur të paraqitem vullnetar. Ai, në stilin e tij me humor, më tha: “Se ti, si kryetar i LPK-së në Suedi, vjen me u bë ushtar i LDK-së – nuk e kam besuar!”. Unë iu përgjigja miqësisht: “Jam veprimtar i një partie si edhe ti, dhe kjo është fryma e pluralitetit politik në demokraci; e nuk jam e nuk bëhem kurrë ushtar i asnjë partie. Porse do të bëhem ushtar i një ushtrie që e ka program luftën kundër robërisë dhe terrorit shtetëror të Serbisë – kushdo që ta organizojë një ushtri të tille!”.

Pasivizimi i rezistencës së armatosur i ndryshoi raportet

Diku në vitin 1993-1994 raportet ndryshuan.
Shkaku ishte përcaktimi për rezistencë ekskluzive paqësore i Rugovës e rrjedhimisht edhe i LDK-së në nivel qendror dhe i institucioneve qeveritare e shtetërore të Kosovës, gjë që bëri që nismat për organizimin institucional të rezistencës së armatosur u pasivizuan ose u lanë në stand bay.
Radhët e organizuara guerile në Kosovë nuk u pajtuan me këtë kurs politik, qoftë për shkak të bindjeve se vetëm me luftë mund të fitohej liria e qoftë për shkak se ishin ekspozuar shumë kundrejt armikut. Ndaj ato vazhduan misionin e tyre të rezistencës.
Kjo solli bashkimin e njësiteve të mëhershme që organizoheshin nga LPK-ja e nga LKÇK-ja, dhe kështu, erdhi deri te ndarja e rrugëve organizative të rezistencës së armatosur.
Edhe ky aspekt duhet të ndriçohet me fakte se çfarë e shtyu presidentin Rugova të ndryshonte kursin në terren duke e pasivizuar rezistencën e armatosur, për të cilën ai dikur ishte dakord; kjo nuk duhet të mbetet enigmë, aq më tepër që pati si pasojë faktin se rezistenca e armatosur u bë me mbështetjen e masave të gjera popullore e jo nga institucionet ekzistuese të Kosovës.
Ndërkaq, nga përvoja ime, e di fare mirë se në terren, në rrafshin praktik, sidomos gjatë vitit 1998-1999, kishte një prirje tjetër, shumë më fatlume.
Pas daljes së UÇK-së publikisht në Llaushë të Skenderajt më 28 nëntor 1997, bazat e LDK-së, që i kishin qëndruar besnik kursit për pasivitet, në shumë vendbanime nisën të braktisnin në heshtje kursin për rezistencë paqësore dhe të bashkoheshin me luftën çlirimtare.

Tentativa për koordinim me kolonel Ahmet Krasniqin në Tiranë

Pasi isha shëruar tërësisht nga lëndimet e marsit, jam nisur për herën e dytë në frontin e luftës në Kosovë. Në fund të majit 1998, jam takuar në Vjenë me major Sali Veselin dhe bashkë kemi udhëtuar për në Tiranë.
Pas dy-tri ditësh, më mori në shoqërim të shkonim e të takoheshim më kolonelin Ahmet Krasniqi, Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe që drejtonte organizimin e FARK-ut në Shqipëri.
Qëndrimi dhe qasja e kolonelit Krasniqi, m’i kujtoi ato që, pak vite më parë, m’i kishte thënë Adem Demaçi, se ai ishte nga një familje e shquar atdhetare dhe se kishte shkuar me mision në studimet ushtarake për t’u përgatitur për oficer, që të vihej në shërbim të luftës çlirimtare kur ta niste populli i Kosovës.
Qëllimi i kontaktit dhe i vizitës ishte përpjekja për koordinim dhe bashkërendim të drejtpërdrejtë.
Nuk dua të hy në detaje të tjera që nuk janë relevante për fokusin e këtij shkrimi, por dua të theksoj se në gjithçka u dakorduam, pra se duhej organizuar mirë, stërvitur dhe bashkërenduar për operacione.
E vetmja gjë për të cilën nuk u pajtuam qe koha për futjen në frontet e luftës kundër forcave pushtuese ushtarako-policore të Serbisë.
Major Veseli kërkonte që për tri-katër ditë ose më së voni brenda një javë të niseshim për në Kosovë, kurse kolonel Krasniqi kërkonte që nisja të bëhej më vonë, por pa caktuar ndonjë kohë apo datë dhe pa na dhënë ndonjë informatë më konkrete. “Ne nuk duam ta humbim as dhe një ditë rrugëve të Tiranës kur atdheu ka kaq shumë nevojë, duam sa më parë të futemi në frontin e luftës!” – ia shprehu qartë synimin tonë major Veseli kolonel Krasniqit.
Nga mungesa e komunikimit dhe njohjes së afërt të ndërsjellë, ata kanë mund të na perceptojnë neve ndryshe nga ç’ishim, kurse ato që na i tha neve kolonel Krasniqi kishin shumë paqartësi, sa nuk na bindën.
Nuk shkuan as 4 ditë, ashtu sikurse i morëm udhëzimet nga strukturat rekrutuese të UÇK-së në Shqipëri, u nisëm për në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por që paraprakisht do të ndaleshin në Gllogjan, ku ishte Shtabi Operativ i Zonës së Dukagjinit.

Kishte ndasi por jo armiqësi

Nga këto dromca që i shkrova deri këtu, kuptohet qartë se ishin organizime të ndara UÇK-ja dhe FARK-u. Por, po ashtu, se kishte kontakte e madje edhe bashkëpunonim.
Vetëkuptohet se kishim rezerva të ndërsjella – gjë që ishte krejt e natyrshme në kushtet e rrethanat e luftës dhe të organizimit ndaras; por unë asnjëherë nuk kam ndjerë se kishte as dhe një grimë armiqësie.
Realisht, nuk kishte.
Që të kisha një perceptim tjetër, për mua kishte një arsye shtesë.
Një shok i idealit dhe që kishim qëndruar bashkë në burgun e Mitrovicës së Sremit, e që më pas kishin vazhduar veprimtarinë atdhetare, Ibrahim Shala nga Mushtishti, ishte pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë në ekzil, e cila kishte selinë në Tiranë. Ai ishte kryeredaktor i “Revistës ushtarake” të kësaj ministrie, si dhe ishte shef i Sektorit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak (G5).
Për mua, ky ishte tregues se njerëz atdhetar, me kredibilitet të dëshmuar ishin edhe aty dhe e jepnin kontributin për të njëjtin qëllim – luftën kundër robërisë dhe terrorit e gjenocidit serb dhe për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër…