Këshilli Prokurorial dhe Agjencia Kundër Korrupsionit diskutojnë forcimin e bashkëpunimit
Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Visar Krasniqi, mori pjesë sot në tryezën e organizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, me temën “Lansimi i Kornizës Zhvillimore Strategjike të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit 2026 – 2030”.
Në këtë tryezë morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Afërdita Bytyqi, përfaqësuesi i shoqërisë civile, Ismet Kryeziu, si dhe përfaqësuesi i Administratës Tatimore të Kosovës, Isen Lipovica.
Gjatë tryezës u diskutuan prioritetet strategjike dhe rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.
Gjatë fjalës së tij, anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve përgjegjëse në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Ai vuri në pah rolin e rëndësishëm të Sistemit Prokurorial në trajtimin e rasteve të korrupsionit, duke theksuar se rezultatet në këtë fushë varen nga bashkërendimi i veprimeve institucionale, shkëmbimi i informacioneve dhe forcimi i mekanizmave të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Me këtë rast, Krasniqi theksoi se Kryeprokurori i Shtetit ka themeluar dy mekanizma të rëndësishëm brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit: Mekanizmin Mbikëqyrës të Punës së Prokurorit të Shtetit dhe Mekanizmin e Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit, të cilët kontribuojnë në forcimin e mbikëqyrjes institucionale dhe ruajtjen e integritetit të institucionit.
Po ashtu, ai ngriti çështjen e rishikimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit dhe përcaktimit të formave më efektive të koordinimit ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave pjesëmarrëse shprehën qëndrimet dhe vlerësimet e tyre lidhur me Kornizën Zhvillimore Strategjike 2026 – 2030, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët, bashkëpunimit më të ngushtë ndërinstitucional dhe koordinimit të veprimeve për zbatimin e objektivave strategjike në funksion të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.



