Qeveria miraton tri projektligje për njohjen e vendimeve gjyqësore dhe luftimin e krimeve ndërkombëtare

16 nëntor 2026 | 12:15

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar tri projektligje për ratifikimin e konventave ndërkombëtare të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, rritjen e sigurisë juridike dhe avancimin e mekanizmave për luftimin e krimeve më të rënda ndërkombëtare.

Projektligji i parë ka të bëjë me ratifikimin e Konventës së Hagës për Marrëveshjen për Zgjedhjen e Gjykatës (2005), e cila garanton respektimin e marrëveshjeve ndërmjet palëve për përcaktimin e gjykatës kompetente në rast të kontesteve në marrëdhëniet ndërkombëtare civile dhe tregtare.

Për Republikën e Kosovës, ratifikimi i saj ka rëndësi të veçantë për krijimin e një mjedisi juridik më të besueshëm dhe të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët e huaj, si dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit përmes anëtarësimit në instrumentet kryesore të Hagës.

Projektligji i dytë parasheh ratifikimin e Konventës së Ljublanës/Hagës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të tjera Ndërkombëtare, e cila krijon një kornizë të strukturuar për bashkëpunimin ndërmjet shteteve në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve më të rënda ndërkombëtare.

Ky Projektligj, përfshinë mekanizmat për ndihmë të ndërsjellë juridike, ekstradim dhe shkëmbim të informacionit, si dhe përcakton garanci për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtave të viktimave.

Po ashtu, ky Projektligj mbështet përpjekjet për luftimin e pandëshkueshmërisë dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë dhe organeve të zbatimit të ligjit, përmes bashkëpunimit më të strukturuar me shtetet e tjera.

Ndërkaq, projektligji i tretë ka të bëjë me ratifikimin e Konventës së Hagës për Aktgjykimet (2019), për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve Gjyqësore të Huaja në Çështjet Civile ose Tregtare, i cili përcakton rregulla të përbashkëta për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja në çështjet civile dhe tregtare.

Aderimi i Republikës së Kosovës në këtë instrument ndërkombëtar pritet të rrisë sigurinë juridike, të lehtësojë marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare dhe investimet e huaja, si dhe të forcojë bashkëpunimin gjyqësor ndërmjet shteteve.

Ratifikimi i këtyre tri konventave përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e angazhimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në fushën e drejtësisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një sistemi juridik më të sigurt e më të besueshëm, në përputhje me standardet dhe instrumentet ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në…